Return   Facebook   Zip File

The Kitáb-i-Aqdas

1

NË EMËR TË ATIJ QË ËSHTË SUNDUESI SUPREM MBI ÇDO GJË QË KA QENË DHE MBI ÇDO GJË QË DO TË JETË

DETYRA E PARË që Perëndia u ka caktuar shërbëtorëve të Vet është të njohin Atë Që është Agimi i Revelacionit të Tij dhe Gurra e ligjeve të Tij, që përfaqëson Hyjninë si në Mbretërinë e Kauzës së Tij dhe në botën e krijimit. Kushdo që e kryen këtë detyrë ka arritur gjithë të mirat; dhe kushdo që është i privuar nga kjo ka humbur rrugën, edhe sikur të ketë kryer veprat më të denja. Është detyrë e cilitdo që arrin këtë pozitë kaq sublime, këtë majë lavdie të përkryer, të zbatojë çdo porosi të Atij Që është Dëshira e botës. Këto detyra binjake janë të pandara. Asnjëra nuk është e pranueshme pa tjetrën. Kështu ka dekretuar Ai Që është Burimi i frymëzimit Hyjnor.

2

Ata që Perëndia i ka pajisur me intuitë do ta pranojnë me lehtësi se porositë e dhëna nga Perëndia përbëjnë mjetet supreme për ruajtjen e rendit në botë dhe për sigurinë e popujve të saj. Ai që u kthen shpinën atyre është mjeran e i marrë. Me të vërtetë, Ne ju kemi urdhëruar të flakni diktatin e pasioneve të liga e të dëshirave të mbrapshta dhe të mos i kapërceni caqet që Penda e Më të Lartit ka caktuar, sepse ato janë fryma e jetës për të gjitha gjërat e krijuara. Detet e urtisë Hyjnore e të fjalës Hyjnore janë fryrë nga flladi i Mëshirëplotit. Nxitoni të pini plot kupën, o njerëz me mend! Ata që kanë shkelur Besëlidhjen e Perëndisë, duke dhunuar porositë e Tij, dhe janë kthyer mprapsht, kanë gabuar rëndë në sytë e Perëndisë, Gjithëzotëruesit, Më të Lartit.

3

O ju popuj të botës! Dijeni me siguri se porositë e Mia janë llambat e provanisë Sime dashamirëse midis shërbëtorëve të Mi dhe çelësat e mëshirës Sime për krijesat e Mia. Kjo është dërguar nga qielli i Vullnetit të Zotit tuaj, Zotit të Revelacionit. Sikur ndokush të shijonte ëmbëlsinë e fjalëve që buzët e Mëshirëplotit kanë dashur të shqiptojnë, ai, edhe po të zotëronte të gjitha thesaret e tokës, do të hiqte dorë nga të gjitha këto për të provuar vërtetësinë qoftë edhe të njërës prej porosive të Tij, që shkëlqejnë mbi Agimet e kujdesit bujar e të dashamirësisë së Tij.

4

Thuaj: Nga ligjet e Mia nuhatet aroma e këndshme e rrobës Sime dhe me ndihmën e tyre flamujt e fitores do të ngulen në majat më të larta. Gjuha e pushtetit Tim i ka drejtuar nga qielli i lavdisë Sime fuqiplotë krijimit Tim këto fjalë: “Zbato porositë e Mia, për hir të bukurisë Sime”. Lum dashuruesi që ka thithur aromën hyjnore të të Shumëdashurit të tij prej këtyre fjalëve të mbushura me kundërmimin e një mirësie që asnjë gjuhë s’e përshkruan dot. Për jetën Time! Ai që ka pirë verën e zgjedhur të drejtësisë nga duart e mirëdashjes Sime bujare, do të sillet rreth porosive të Mia, që shkëlqejnë përmbi Agimin e krijimit Tim.

5

Mos mendoni se Ne ju kemi reveluar thjesht një kod ligjesh. Jo, madje me gishtat e fuqisë e të pushtetit, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur. Për këtë dëshmon ajo që ka reveluar Penda e Revelacionit. Përsiateni këtë, o njerëz me intuitë!

6

Ne ju kemi urdhëruar lutjen e detyrueshme, me nëntë rak‘ah·ë, që i duhet drejtuar Perëndisë, Reveluesit të Vargjeve, në mesditë, në mëngjes e në mbrëmje. Ne ju kemi liruar nga një numër më i madh, si një porosi në Librin e Perëndisë. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi, i Gjithëfuqishmi, i Papërmbajtshmi. Kur doni të thoni këtë lutje, kthejeni fytyrën ndaj Oborrit të Pranisë Sime Më të Shenjtë, këtij Vendi të Shenjtëruar që Perëndia e ka bërë Qendrën rreth së cilës sillet Tubimi Qiellor e që Ai e ka caktuar të jetë Pika e Adhurimit për banorët e Qyteteve të Përjetësisë dhe Burimi i Urdhërave për të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë; dhe kur Dielli i së Vërtetës e i Fjalës të ketë perënduar, kthejeni fytyrën ndaj Vendit që ju kemi urdhëruar. Ai, me të vërtetë, është Fuqiplotë e i Gjithëdijshëm.

7

Çdo gjë që ekziston ka ardhur në jetë përmes urdhërit të Tij të pakundërshtueshëm. Sa herë që ligjet e Mia dalin si dielli në qiellin e thënieve të Mia, ato duhet të zbatohen besnikërisht nga të gjithë, edhe në qoftë urdhëri Im i tillë që të çajë më dysh qiellin e çdo feje. Ai bën ç’i pëlqen. Ai zgjedh, dhe askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje zgjedhjen e Tij. Çdo gjë që Ai, i Shumë¬dashuri, urdhëron, vetë kjo gjë është, me të vërtetë, e shumëdashur. Për këtë Më është dëshmitar Ai që është Zoti i çdo krijimi. Kushdo që ka nuhatur aromën e këndshme të Mëshirëplotit dhe ka njohur Burimin e kësaj thënieje, do t’i mirëpresë me vetë sytë e tij shigjetat e armikut, për të përhapur të vërtetën e ligjeve të Perëndisë midis njerëzve. Lum ai që është kthyer ndaj tyre dhe e ka kuptuar domethënien e urdhërit të Tij vendimtar.

8

I kemi shtjelluar hollësitë e lutjes së detyrueshme në një Tabelë tjetër. Lum kush vë re atë që i është urdhëruar prej Atij Që sundon mbi gjithë njerëzimin. Në Lutjen për të Vdekurit ju janë dërguar gjashtë pasazhe të posaçme nga Perëndia, Reveluesi i Vargjeve. Kush është në gjendje të lexojë, le të recitojë atë që është reveluar për t’u paraprirë këtyre pasazheve; ndërsa atë që nuk është në gjendje, Perëndia e ka liruar nga kjo kërkesë. Ai, me të vërtetë, është i Fuqishmi, Falësi.

9

Flokët (qimet) nuk e shvleftësojnë lutjen tuaj, as ndonjë gjë tjetër nga e cila shpirti është larguar, siç janë kockat e të tjera si këto. Jeni të lirë të mbani lëkurë kunadheje, si dhe kastori, ketri ose kafshësh të tjera; ndalimi i përdorimit të tyre nuk rrjedh nga Kurani, por nga keqkuptimet e teologëve. Ai, me të vërtetë, është Lavdiploti, i Gjithëdijshmi.

10

Ju kemi porositur të luteni e të agjëroni që kur fillon mosha e pjekurisë; këtë e ka urdhëruar Perëndia, Zoti juaj dhe Zoti i stërgjyshërve tuaj. Ai ka përjashtuar nga kjo ata që janë të dobët për shkak sëmundjeje ose moshe, në shenjë bujarie të Pranisë së Tij, dhe Ai është Falësi, Fisniku. Perëndia ju ka lejuar të përkuleni deri në tokë mbi çdo sipërfaqe të pastër, sepse Ne kemi hequr lidhur me këtë kufizimet e shënuara në Librin; Perëndia, me të vërtetë, është në dijeni të gjërave për të cilat ju nuk dini asgjë. Kush nuk gjen ujë për të marrë avdes, le të përsërisë pesë herë fjalët “Në emër të Perëndisë, Më të Dëlirit, Më të Dëlirit” dhe pastaj të bëjë lutjen. Ky është urdhëri i Zotit të të gjitha botëve. Në rajone ku dita dhe nata zgjaten, le të maten kohët e lutjes me sahatë e me mjete të tjera që tregojnë kalimin e orëve. Ai është, me të vërtetë, Shpjeguesi, i Urti.

11

Ne ju kemi liruar nga kërkesa e kryerjes së Lutjes së Shenjave. Kur shfaqen ngjarje natyrore të frikshme, sillni ndërmend fuqinë e madhështinë e Zotit tuaj, të Atij Që dëgjon e sheh çdo gjë, dhe thoni “Sundimi i përket Perëndisë, Zotit të së dukshmes e të së padukshmes, Zotit të krijimit”.

12

Është urdhëruar që lutja e detyrueshme të kryhet nga secili prej jush individualisht. Me përjashtim të Lutjes për të Vdekurit, praktika e lutjes kolektive është hequr. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi, Urtiploti.

13

Perëndia i ka përjashtuar nga lutja e detyrueshme dhe agjërimi gratë që janë me zakonet e përmuajshme. Në vend të kësaj, ato, pasi marrin avdes, le të lavdërojnë Perëndinë, duke përsëritur nëntëdhjetë e pesë herë nga mesdita deri të nesërmen në mesditë fjalët “Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Shkëlqimit e i Bukurisë”. Kështu është dekretuar në Librin, në qofshi ndër ata që kuptojnë.

14

Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni – gra e burra njëlloj – një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë, dhe ndërsa përkuleni thoni “Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Fuqisë e i Madhështisë, i Mirëdashjes e i Bujarisë”. Kush nuk është në gjendje ta bëjë këtë, le të thotë vetëm “Lëvduar qoftë Perëndia”; kjo me siguri do të jetë e mjaftueshme për të. Ai është, me të vërtetë, Perëndia i gjithëmjaftueshëm, i përherë¬pranishëm, falës, zemërdhembshur. Pasi t’i plotësoni përkuljet, uluni këmbëkryq – burra e gra njëlloj – dhe përsëritni tetëmbë¬dhjetë herë “Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i mbretërive të tokës e të qiellit”. Kështu Zoti i sheshon rrugët e së vërtetës e të udhërrëfimit, rrugë që çojnë në një rrugë të vetme, që është Shtegu i Drejtë. Falënderoni Perëndinë për këtë mirësi kaq të hirshme; lavdërojeni Atë për këtë bujari që ka përfshirë qiejt dhe tokën; ngrijini lavde Atij për këtë mëshirë që ka përshkuar gjithë krijimin.

15

Thuaj: Perëndia e ka bërë dashurinë Time të fshehur çelësin e Thesarit; sikur të mund ta shquanit këtë! Po të mos ishte çelësi, Thesari do të mbetej përjetë i fshehur; sikur të mund ta besonit këtë! Thuaj: Ky është Burimi i Revelacionit, Vendagimi i Shkëlqimit, vezullimi i të Cilit ka ndriçuar horizontet e botës. Sikur të mund ta kuptonit këtë! Ky është, me të vërtetë, Dekreti i paracaktuar, përmes të cilit çdo dekret i pakundër-shtueshëm është vendosur.

16

O Pendë e Më të Lartit! Thuaj: O popuj të botës! Ne jua kemi bërë të detyrueshëm agjërimin për një periudhë të shkurtër dhe në përfundim të tij ju kemi caktuar Novruzin si festë. Kështu ka ndriçuar Dielli i Fjalës mbi horizontin e Librit, siç e ka dekretuar Ai Që është Zoti i fillimit e i fundit. Le të vendosen ditët e tepërta të muajve para muajit të agjërimit. Ne kemi urdhëruar që këto, midis të gjitha netëve e ditëve, të jenë manifestimet e shkronjës Há, dhe kështu ato nuk do të jenë të kufizuara brenda caqeve të vitit e të muajve të tij. U ka hije njerëzve të Bahá-it që, gjatë gjithë këtyre ditëve, të gostiten mirë bashkë me të afërmit e vet dhe, veç tyre, të gostisin të varfërit e nevojtarët, dhe me gëzim e hare të përshëndesin e lëvdojnë Zotin e tyre, t’i këndojnë lavde e të madhërojnë Emrin e Tij; dhe kur të përfundojnë – ditët e dhurimit që i paraprijnë periudhës së kufizimit – le të hyjnë në Agjërim. Kështu ka urdhëruar Ai Që është Zoti i gjithë njerëzimit. Udhëtarët, të sëmurët, gratë shtatzëna ose me foshnje gjiri, nuk e kanë të detyrueshëm Agjërimin; ata janë përjashtuar nga Perëndia, si shenjë e mirësisë së Tij. Ai, me të vërtetë, është Fuqiploti, Më Fisniku.

17

Këto janë porositë e Perëndisë, që janë shkruar në Librat e Tabelat nga Penda e Tij Më e Lartësuar. Përmbajuni fort ligjeve e porosive të Tij dhe mos jini ndër ata që, duke rendur pas fantazive të padobishme e imagjinatave të tyre të kota, janë kapur pas kritereve të caktuara prej atyre vetë dhe kanë hedhur pas kurrizit kriteret e hartuara nga Perëndia. Përmbahuni nga ushqimi e të pirët që nga lindja deri në perëndim të diellit, dhe kini mendjen që dëshira të mos ju privojë nga mirësia e përcaktuar në Librin.

18

Është urdhëruar që çdo besimtar në Perëndinë, Zotin e Gjykimit, duhet çdo ditë, pasi të ketë larë duart e pastaj fytyrën, të ulet dhe, duke iu drejtuar Perëndisë, të përsërisë nëntëdhjetë e pesë herë “Alláh-u-Abhá”. I tillë ishte urdhëri i Artuesit të Qiejve kur, me madhështi e fuqi, Ai u vendos në fronet e Emrave të Tij. Merrni edhe ju avdes për Lutjen e Detyrueshme; ky është urdhëri i Perëndisë, të Pakrahasueshmit, të Papër¬mbajtshmit.

19

Ju është ndaluar të kryeni vrasje ose marrëdhënie intime jashtë kurore, ose të merreni me përgojim ose shpifje; shmangeni, pra, atë që është e ndaluar në Librat e Tabelat e shenjta.

20

Ne e kemi ndarë trashëgiminë në shtatë kategori: fëmijëve u kemi caktuar nëntë pjesë me pesëqind e dyzet njësi; bashkëshortes tetë pjesë me katërqind e tetëdhjetë njësi; babait shtatë pjesë me katërqind e njëzet njësi; nënës gjashtë pjesë me treqind e gjashtëdhjetë njësi; vëllezërve pesë pjesë ose treqind njësi; motrave katër pjesë ose dyqind e dyzet njësi; dhe mësuesve tre pjesë ose njëqind e tetëdhjetë njësi. Kjo ishte porosia e pararendësit Tim, e Atij Që lartësoi Emrin Tim në errësirën e natës e në agim të ditës. Kur dëgjuam britmën e fëmijëve ende të palindur, Ne e dyfishuam pjesën e tyre dhe e pakësuam atë të të tjerëve. Ai, me të vërtetë, ka pushtet të urdhërojë çdo gjë që dëshiron dhe bën atë që i pëlqen, falë fuqisë së Tij sovrane.

21

Po qe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë, që të shpenzohet nga të Besuarit e Mëshirëplotit për jetimët e të vejat dhe për çdo gjë që u sjell dobi të gjithë njerëzve, në mënyrë që të gjithë të falënderojnë Zotin e tyre, të Gjithëmëshirshmin, Falësin.

22

Po qe se i ndjeri lë fëmijë, por nuk lë asnjë nga të kategorive të tjera të trashëgimtarëve që janë përcaktuar në Librin, ata (fëmijët) do të marrin dy të tretat e trashëgimit, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. E tillë është porosia e dhënë, me madhështi e lavdi, nga Ai Që është Gjithëzotëruesi, Më i Larti.

23

Në rast se i ndjeri nuk lë trashëgimtarë nga ata që janë përcaktuar, por ka midis farefisit nipa e mbesa, qoftë nga ana e vëllezërve ose e motrave të tij, dy të tretat e trashëgimit u kalojnë atyre; ose, në mungesë të tyre, ungjërve e tetove si nga ana e babait dhe e nënës së tij dhe pas tyre djemve e vajzave të tyre. Një e treta e trashëgimit që mbetet i kalon, në çdo rast, Selisë së Drejtësisë. Kështu është shkruar në Librin nga Ai Që sundon mbi të gjithë njerëzit.

24

Në rast se pas të ndjerit nuk jeton asnjë prej atyre që janë regjistruar nga Penda e Më të Lartit, gjithë malli i tij i kalon Selisë së lartpërmendur, që të shpenzohet për atë që ka porositur Perëndia. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi, i Gjithëfuqishmi.

25

Ne ua kemi caktuar banesën dhe rrobat personale të të ndjerit trashëgimtarëve meshkuj, e jo femra, dhe as trashëgimtarëve të tjerë. Ai, me të vërtetë, është Dorë-hapuri, Bujariploti.

26

Në rast se i biri i të ndjerit ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte dhe ka lënë fëmijë, ata trashëgojnë pjesën e atit të tyre, siç përshkruhet në Librin e Perëndisë. Ndajeni me drejtësi të plotë midis tyre pjesën që u takon. Kështu janë ngritur valët e Oqeanit të Fjalës, duke nxjerrë në breg margaritarët e ligjeve të dekretuara nga Zoti i gjithë njerëzimit.

27

Në qoftë se i ndjeri lë fëmijë që janë të mitur, pjesa e tyre e trashëgimit duhet t’i lihet në kujdestari një personi të besueshëm, ose një shoqërie, që të investohet në emër të tyre në tregti ose veprimtari të tjera, derisa ata të arrijnë moshën e pjekur. Kujdestarit i duhet caktuar një pjesë e fitimit të shtuar si rezultat i këtij përdorimi.

28

Ndarja e pronës duhet bërë vetëm pasi të jetë paguar Ḥuqúqu’lláh-u, të jenë rregulluar borxhet, të jenë paguar shpenzimet e funeralit e të varrimit dhe të jenë marrë masat që i ndjeri të çohet në vendprehjen e tij me dinjitet e nder. Kështu ka porositur Ai Që është Zoti i fillimit e i fundit.

29

Thuaj: Kjo është ajo dije e fshehur e cila kurrë nuk do të ndryshojë, sepse fillon me nëntën, simbolin që nënkupton të fshehurën e të dukshmen, Emrin e lartësuar të pacënueshëm e të paarritshëm. Përsa i takon asaj që Ne u kemi caktuar fëmijëve, kjo është një dhuratë bujare që u është dhënë atyre nga Perëndia, që ata të falënderojnë Zotin e tyre, Zemërdhembshurin, të Mëshirshmin. Këto janë, me të vërtetë, Ligjet e Perëndisë; mos i shkelni ato nga tundimi i dëshirave tuaja të ulëta e egoiste. Zbatoni urdhërat që ju ka ngarkuar Ai Që është Vendagimi i Fjalës. Të sinqertët ndër shërbëtorët e Tij do t’i shohin porositë e shtjelluara nga Perëndia si Ujin e Jetës për pasuesit e çdo feje dhe si Llambën e urtisë e të provanisë dashamirëse për të gjithë banorët e tokës e të qiellit.

30

Zoti ka urdhëruar që në çdo qytet të ngrihet një Shtëpi e Drejtësisë, ku të mblidhen këshilltarë sipas numrit të Bahá-it, dhe në qoftë se ky numër kapërcehet kjo nuk ka rëndësi. Ata duhet ta konsiderojnë veten sikur hyjnë në Oborrin e pranisë së Perëndisë, të Lartësuarit, Më të Lartit, dhe shohin Atë Që është i Padukshmi. Ata duhet të jenë të besuarit e të Mëshirshmit midis njerëzve dhe ta shohin veten e tyre si ruajtësit e caktuar nga Perëndia për të gjithë ata që banojnë mbi tokë. Atyre u takon të këshillohen së bashku dhe të kujdesen për interesat e shërbëtorëve të Perëndisë, për hir të Tij, ashtu siç kujdesen për interesat e veta, dhe të zgjedhin atë që është e përshtatshme dhe e hijshme. Kështu ju ka urdhëruar Zoti Perëndia juaj. Kini mendjen të mos lini pasdore atë që është reveluar qartë në Tabelën e Tij. Druajuni Perëndisë, o ju që kuptoni.

31

O njerëz të botës! Ndërtoni shtëpi adhurimi në të gjitha tokat në emër të Atij Që është Zoti i të gjitha feve. I bëni ato sa më të përkryera në botën e qenies dhe stolisini me atë që u përshtatet, e jo me figura e shëmbëlltyra. Pastaj, me ngazëllim e gëzim, i thurni në to lavde Zotit tuaj, Më Zemërdhembshurit. Me të vërtetë, duke kujtuar Atë, syri gëzohet dhe zemra mbushet me dritë.

32

Zoti ka porositur që ata ndër ju që janë në gjendje le të bëjnë haxhillëk në Shtëpinë e Shenjtë, dhe nga kjo ka përjashtuar gratë si shenjë mëshire nga ana e Tij. Ai, me të vërtetë, është Bujariploti, Më Fisniku.

33

O njerëz të Bahá-it! Është e detyrueshme që secili prej jush të merret me ndonjë punë, si me ndonjë zeje, me tregti ose me diçka të ngjashme. Ne e kemi lartësuar angazhimin tuaj në punë të tilla në rangun e adhurimit të të vetmit Perëndi të vërtetë. Mendoni, o njerëz, për hirin e bekimet e Zotit tuaj dhe falënderojeni Atë nga mbrëmja në mëngjes. Mos e humbni kohën në përtaci e ngathtësi, por merruni me atë që do t’ju sjellë përfitim juve dhe të tjerëve. Kështu është dekretuar në këtë Tabelë, nga horizonti i së cilës ka ndriçuar dielli i urtisë e i fjalës. Më të përçmuarit ndër njerëzit në sytë e Perëndisë janë ata që rrinë e lypin. Mbahuni fort pas litarit të mjeteve të jetesës dhe mbështeteni besimin te Perëndia, Dhuruesi i të gjitha mjeteve.

34

Puthja e dorës është e ndaluar në Librin. Ky zakon është ndaluar nga Perëndia, Zoti i lavdisë e i urdhërit. Askujt nuk i lejohet të kërkojë falje të mëkateve nga një shpirt tjetër; le të jetë pendesa midis vetë jush dhe Perëndisë. Ai, me të vërtetë, është Falësi, Bujari, Mëshiruesi, Ai Që fal të penduarin.

35

O ju shërbëtorë të të Mëshirshmit! Ngrihuni për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë, që hallet e hidhërimet e shkaktuara prej atyre që nuk kanë besuar në Agimin e Shenjave të Perëndisë të mos ju brengosin. Në kohën që Premtimi u përmbush dhe i Premtuari u shfaq, midis fiseve të botës u dukën dallime dhe çdo popull ndoqi fantazinë e imagjinatat e veta të kota.

36

Midis njerëzve është ai që ulet midis sandaleve te dera, ndërsa në zemër fsheh zilinë për vendin e nderit. Thuaj: Ç’lloj njeriu je ti, o shpirt i kotë e i shkujdesur, që kërkon të dukesh ndryshe nga ç’je? Dhe midis njerëzve është ai që pretendon për dije të brendshme dhe për një njohuri akoma më të thellë të fshehur brenda kësaj dije. Thuaj: Ti thua të rremen! Për Perëndi! Ajo që zotëron ti s’është veçse byk që Ne të kemi lënë siç u lihen kockat qenve. Për drejtësinë e të vetmit Perëndi të vërtetë! Sikur ndonjëri t’i lante këmbët gjithë njerëzimit, dhe sikur ai të adhuronte Perëndinë në pyje, lugina e male, mbi kodra të pjerrëta e në maja të larta, sikur të mos mbetej shkëmb ose dru, asnjë plis dheu që të mos ishte dëshmitar i adhurimit të tij – megjithatë, sikur prej tij të mos përhapej aroma e pëlqimit Tim, mundimet e tij kurrë nuk do të ishin të pranueshme nga Perëndia. Kështu është dekretuar nga Ai Që është Zoti i të gjithëve. Sa njerëz e kanë mbyllur veten në klimat e Indisë, i kanë mohuar vetes gjërat që Perëndia i ka dekretuar si të ligjshme, i kanë imponuar vetes një regjim të rreptë e mundime trupore, por nuk janë kujtuar nga Perëndia, Reveluesi i Vargjeve. Mos i bëni veprat tuaja si gracka për të kapur objektin e lakmisë suaj, dhe mos e privoni veten nga ky Objektiv Përfundimtar, të cilin e kanë dëshiruar gjithmonë me zjarr ata që janë qasur pranë Perëndisë. Thuaj: Vetë jeta e të gjitha bëmave është pëlqimi Im dhe të gjitha gjërat varen nga pranimi Im. Lexojini Tabelat, që të dini ç’qëllime ka në Librat e Perëndisë, Lavdiplotit, Gjithmonëbujarit. Ai që fiton dashurinë Time ka të drejtën për një fron të artë, ku të rrijë me nderim mbi gjithë botën; ai që është i privuar nga kjo edhe po të rrinte mbi pluhur, ky pluhur do të kërkonte strehë te Perëndia, Zoti i të gjitha Feve.

37

Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet, një njeri i tillë është mashtrues e gënjeshtar. Ne i lutemi Perëndisë ta ndihmojë me dashamirësi atë që ta tërheqë e ta hedhë poshtë një pretendim të tillë. Po qe se pendohet, Perëndia, padyshim, do ta falë. Por po qe se ai ngul këmbë në gabimin e tij, Perëndia, me siguri, do të dërgojë dikë që do të sillet pa mëshirë me të. I tmerrshëm, me të vërtetë, është Perëndia kur ndëshkon! Kushdo që e interpreton këtë varg ndryshe nga domethënia e tij e qartë, atij do t’i mohohet Fryma e Perëndisë dhe mëshira e Tij, që përfshin të gjitha gjërat e krijuara. Rrini në frikë të Perëndisë dhe mos shkoni pas fantazive tuaja të kota. Përkundrazi, ndiqni porosinë e Zotit tuaj, të Gjithëfuqishmit, Urtiplotit. Së shpejti zëra të bujshëm do të ngrihen në shumë vende. Shmangini ato, o njerëzit e Mi, dhe mos shkoni pas të padrejtëve e zemërligjve. Për këtë ju kemi paralajmëruar kur ishim në Irak, dhe më pas, kur ndodheshim në Tokën e Misterit, dhe tani nga ky Vend i Shndritshëm.

38

Mos u tronditni, o popuj të botës, kur ylli i ditës i bukurisë Sime të ketë perënduar dhe qielli i faltores Sime të jetë fshehur prej syve tuaj. Ngrihuni për të ndjekur Kauzën Time dhe për të lartësuar Fjalën Time midis njerëzve. Ne do të jemi gjithnjë me ju dhe do t’ju forcojmë me fuqinë e së vërtetës. Ne jemi me të vërtetë të plotfuqishëm. Kush më ka njohur Mua, do të ngrihet e do të Më shërbejë me vendosmëri të tillë, sa fuqitë e tokës e të qiellit nuk do të jenë në gjendje ta mposhtin qëllimin e tij.

39

Popujt e botës janë në gjumë të thellë. Sikur të zgjoheshin nga letargjia, ata do të nxitonin me vrull te Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Ata do të flaknin gjithçka zotërojnë, qofshin edhe të gjitha thesaret e tokës, që Zoti i tyre t’i kujtojë qoftë edhe duke u drejtuar atyre vetëm një fjalë. E tillë është porosia e Atij që bart dijet e gjërave të fshehura në një Tabelë, të cilën syri i krijimit nuk e ka parë dhe e cila nuk i është reveluar askujt, veç Atij Vetë, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm të të gjitha botëve. Kaq të hutuar janë ata në dehjen e dëshirave të tyre të mbrapshta, saqë s’janë në gjendje të njohin Zotin e të gjitha qenieve, zëri i të Cilit kumbon nga çdo drejtim: “Nuk ka tjetër Perëndi, veç Meje, të Fuqishmit, Urtiplotit”.

40

Thuaj: Mos iu gëzoni gjërave që zotëroni; sonte ato janë tuajat, nesër do t’i kenë të tjerë. Kështu ju paralajmëron Ai që është i Gjithëdijshmi, i Gjith-informuari. Thuaj: A mund të pretendoni se ajo që zotëroni është e qëndrueshme dhe e sigurt? Jo! Për kokën Time, të Mëshirëplotit. Ditët e jetës suaj fluturojnë si fllad ere dhe gjithë salltaneti e lavdia juaj do të marrin fund ashtu siç kanë marrë fund salltaneti e lavdia e të tjerëve që kanë shkuar para jush. Vriteni mendjen, o njerëz! Ç’ka ndodhur me ditët tuaja të shkuara, me shekujt tuaj të humbur? Të lumtura kanë qenë ditët që i janë kushtuar të kujtuarit të Perëndisë dhe të bekuara orët që janë harxhuar për të lëvduar Atë Që është Urtiploti. Për jetën Time! As salltaneti i të fuqishmëve, as begatia e të pasurve, madje as sundimi i të pafeve, nuk do të zgjasin. Të gjitha do të zhduken vetëm me një fjalë të Tij. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëfuqishmi, Gjithëdetyruesi, i Gjithëpushtetshmi. Ç’përfitim ka prej gjërave tokësore që zotërojnë njerëzit? Ata e kanë lënë krejtësisht pasdore atë që do t’u sillte përfitim. Së shpejti ata do të zgjohen nga gjumi dhe do ta gjejnë veten të pafuqishëm të fitojnë atë që kanë lënë t’u shpëtojë në ditët e Zotit të tyre, të Gjithëfuqishmit, të Shumëlëvduarit. Veç po ta dinin këtë, ata do të hiqnin dorë nga të gjitha, që emrat e tyre të përmendeshin para fronit të Tij. Ata, me të vërtetë, duhen numëruar midis të vdekurve.

41

Midis njerëzve është ai që dituria i ka rritur mendjen, duke e penguar të njohë Emrin Tim, të Vetëqenëshmit; ai që kur dëgjon pas shpine hapin e sandaleve e ndien veten e tij më të madh se Nimrodi. Thuaj: O i padenjë! Ku është tani banesa e tij? Për Perëndi, në zjarrin më të thellë. Thuaj: O turmë teologësh! A nuk e dëgjoni ju zërin depërtues të Pendës Sime Më të Lartësuar? A nuk e shihni këtë Diell që ndriçon me shkëlqim vezullues mbi Horizontin Lavdiplotë? Sa kohë do të adhuroni ju idhujt e pasioneve tuaja të liga? Hiqni dorë nga imagjinatat tuaja të kota dhe kthejeni fytyrën ndaj Perëndisë, Zotit tuaj të Përjetshëm.

42

Dhurimet kushtuar bamirësisë i kthehen Perëndisë, Reveluesit të Shenjave. Askush nuk ka të drejtë t’i përdorë ato pa lejen e Atij Që është Vendagimi i Revelacionit. Pas Tij, kjo e drejtë do t’u kalojë Aghṣán-ëve dhe pas tyre Shtëpisë së Drejtësisë – në qoftë se do të jetë vendosur në botë në atë kohë – që ata t’i përdorin këto dhurime në dobi të Vendndodhjeve që janë lartësuar në këtë Kauzë dhe për çdo gjë që u është urdhëruar atyre prej Atij Që është Perëndia i fuqisë e i pushtetit. Përndryshe, dhurimet do t’u kalojnë njerëzve të Bahá-it, të cilët nuk flasin veçse me lejen e Tij dhe nuk gjykojnë veçse në pajtim me atë që Perëndia ka urdhëruar në këtë Tabelë – ja, ata janë luftëtarët e fitores ndërmjet qiellit e tokës – që t’i përdorin ato në mënyrën e shtjelluar në Librin e Perëndisë, të Fuqishmit, Zemërgjerit.

43

Mos u qani në orët tuaja të sprovës dhe as mos u gëzoni; kërkoni Rrugën e Mesme, që është të Më kujtoni Mua në hidhërimet tuaja dhe të përsiatni për atë që mund t’ju ndodhë në të ardhmen. Kështu ju njofton Ai Që është i Gjithëdijshmi, Ai Që është i vetëdijshëm.

44

Mos e rruani kokën; Perëndia e ka stolisur atë me flokë, dhe në këtë ka shenja nga ana e Zotit të krijimit për ata që përsiatin rreth kërkesave të natyrës. Ai, me të vërtetë, është Perëndia i forcës e i urtisë. Megjithatë, nuk është e hijshsme t’i lësh flokët të kalojnë kufirin e veshëve. Kështu është dekretuar nga Ai Që është Zoti i të gjitha botëve.

45

Për hajdutët janë dekretuar syrgjynosja e burgimi dhe, në shkeljen e tretë, i vini një shenjë në ballë, në mënyrë që, duke e njohur , të mos e pranojnë në qytetet e në vendet e Perëndisë. Kini mendjen që për mëshirë të mos lini pasdore zbatimin e ligjeve të fesë së Perëndisë; bëni ashtu siç jeni urdhëruar nga Ai Që është zemërdhembshur e i mëshirshëm. Ne ju mësojmë me shkopin e urtisë e të ligjeve, ashtu si babai që edukon djalin e tij, dhe kjo vetëm e vetëm për t’ju ruajtur ju vetë dhe për lartësimin e pozitës suaj. Për jetën Time, po të zbulonit se ç’kemi dashur për ju duke reveluar ligjet Tona të shenjta, ju do të jepnit edhe shpirtin për këtë Besim të shenjtë, të fuqishëm e kaq të lartësuar.

46

Kush dëshiron të përdorë orendi argjendi e ari është i lirë ta bëjë. Kini mendjen që kur hani të mos futni duart në tasa e tabaka. Merrni zakone sa më të hijshme. Ai, me të vërtetë, dëshiron të shohë tek ju sjelljet e banorëve të Parajsës në Mbretërinë e Tij të fuqishme e më të madhërishme. Përmbajuni në të gjitha rrethanat asaj që është e hijshme, që sytë tuaj të mos shohin atë që është e neveritshme si për veten tuaj dhe për banorët e Parajsës. Po iu largua dikush kësaj, veprat e tij që nga ai çast janë të kota; por po pati një arsye të fortë, Perëndia do t’ia falë. Ai, me të vërtetë, është Shpirtmiri, Më Zemërgjeri.

47

Ai që është Vendagimi i Kauzës së Perëndisë nuk ka shoq në Pagabueshmërinë Më të Madhe. Është Ai Manifestimi i “Ai bën ç’i pëlqen” në mbretërinë e krijimit. Perëndia e ka ruajtur për Veten e Tij këtë shquarsi dhe nuk i ka caktuar askujt pjesë në një pozitë të tillë kaq sublime e të lartësuar. Ky është dekreti i Perëndisë, i fshehur deri më sot pas perdes së një misteri të padepërtueshëm. Ne e kemi nxjerrë atë në dritë në këtë Revelacion dhe kështu kemi çarë më dysh perdet e atyre që nuk kanë njohur atë që ka shtjelluar Libri i Perëndisë dhe që janë numëruar ndër të shkujdesurit.

48

Çdo ati i është urdhëruar të mësojë djalin e vajzën e tij në artin e shkrim-leximit dhe në të gjitha ato që janë shtjelluar në Tabelën e Shenjtë. Prej atij që lë pasdore ç’i është urdhëruar, të Besuarit duhet të marrin atë që kërkohet për arsimimin e tyre, në qoftë se është i pasur; në qoftë se jo, çështja i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Me të vërtetë, këtë Ne e kemi bërë strehë për të varfërit e nevojtarët. Kush edukon djalin e vet ose djalin e një tjetri, është njëlloj sikur ka edukuar një djalë Timin; mbi të qofshin lavdia Ime, dashamirësia Ime, mëshira Ime, që kanë përfshirë botën.

49

Perëndia ka ngarkuar çdo shkelës dhe çdo shkelëse të kurorës me një gjobë, e cila duhet t’i paguhet Shtëpisë së Drejtësisë: nëntë mithqálë ar, që dyfishohen në qoftë se faji përsëritet. Ky është ndëshkimi që Ai Që është Zoti i Emrave ka caktuar për ta në këtë botë; dhe në botën e ardhme ka urdhëruar për ta një mundim poshtërues. Në qoftë se dikush është prekur nga ndonjë mëkat, ai duhet të pendohet për këtë dhe të kthehet te Zoti i tij. Ai, me të vërtetë i dhuron ndjesë cilitdo Që dëshiron dhe askush nuk mund të verë në pikëpyetje atë që Atij i pëlqen të urdhërojë. Ai është, me të vërtetë, Gjithmonëfalësi, Fuqiploti, i Shumëlëvduari.

50

Kini mendjen se mos perdet e lavdisë ju pengojnë të pini nga ujërat e kristalta të kësaj Gurre të gjallë. Rrëmbeni kupën e shëlbimit në këtë kohë agimi në emër të Atij Që bën të lindë dita dhe pijeni në përlëvdim të Atij Që është Lavdiploti, i Pakraha-sueshmi.

51

Ne jua kemi bërë të ligjshme të dëgjoni muzikë e këngë. Por kini mendjen që të dëgjuarit e tyre të mos ju bëjë të kapërceni kufijtë e sjelljes së hijshme e të dinjitetit. Le të jetë gëzimi juaj gëzim i lindur nga Emri Im Më i Madh, një emër që rrëmben zemrën dhe çon në ekstazë mendjet e të gjithë atyre që janë qasur pranë Perëndisë. Ne, me të vërtetë, e kemi bërë muzikën si një shkallë për shpirtrat tuaj, një mjet me anën e të cilit ata të mund të ngjiten në mbretërinë qiellore; mos e bëni, pra, atë krahë për egon e pasionin. Me të vërtetë, nuk Na pëlqen t’ju shohim të renditur ndër të marrët.

52

Ne kemi dekretuar që një e treta e të gjitha gjobave t’i kalojë Selisë së Drejtësisë dhe i paralajmërojmë njerëzit e saj t’i përmbahen drejtësisë së kulluar, në mënyrë që ta shpenzojnë atë që është grumbulluar për ato qëllime që u janë urdhëruar nga Ai Që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti. O ju njerëz të drejtësisë! Jini në mbretërinë e Perëndisë barinj të grigjës së Tij dhe e ruani atë nga ujqit e uritur që kanë ardhur tebdil, ashtu siç do të mbronit vetë bijtë tuaj. Kështu ju këshillon Këshilluesi, Besniku.

53

Po lindën midis jush mosmarrëveshje për ndonjë çështje, ia parashtroni ato Perëndisë ndërkohë që dielli ende ndriçon mbi horizontin e këtij Qielli dhe, kur ai të ketë perënduar, referojuni çdo gjëje që është dërguar prej Tij. Kjo, me të vërtetë, është e mjaftueshme për popujt e botës. Thuaj: Le të mos shqetësohen zemrat tuaja, o njerëz, kur lavdia e Pranisë Sime të jetë tërhequr dhe oqeani i thënieve të Mia të jetë fashitur. Në praninë Time midis jush ka një urti dhe në mungesën Time ka përsëri një tjetër, që është e padukshme për të gjithë veç Perëndisë, të Pakrahasueshmit, të Gjithëdijshmit. Me të vërtetë, Ne ju vështrojmë nga mbretëria Jonë e lavdisë dhe cilindo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë do ta ndihmojmë me turmat e legjioneve qiellore dhe me një aradhe të engjëjve Tanë më të dashur.

54

O popuj të botës! Perëndia, e Vërteta e Për¬jetshme, Më është dëshmitar që rrëke ujërash të freskët që rrjedhin qetë kanë buruar nga shkëmbinjtë falë ëmbëlsisë së fjalëve të shqiptuara nga Zoti juaj, i Padetyruari; dhe ju ende flini. Flakeni tej atë që zotëroni dhe me krahët e shkëputjes ngrihuni më lart se të gjitha gjërat e krijuara. Kështu ju urdhëron Zoti i krijimit, lëvizja e Pendës së të Cilit ka revolucionarizuar shpirtin e njerëzimit.

55

A e dini nga ç’lartësi Zoti juaj, Lavdiploti, po ju thërret? A mendoni se e keni njohur Pendën me të cilën Zoti juaj, Zoti i të gjithë emrave, ju komandon? Jo, për jetën Time! Po ta dinit këtë, do të hiqnit dorë nga bota dhe do të nxitonit me gjithë zemër në praninë e të Shumëdashurit. Shpirtrat tuaj do të rrëmbeheshin aq shumë nga Fjala e Tij, saqë do të tronditnin Botën Më të Madhe, aq më tepër këtë botë të vogël e të ngushtë! Kështu kanë vërshuar nga qielli i dashamirësisë Sime shirat e bujarisë Sime, si shenjë e mirësisë Sime; që ju të jeni ndër mirënjohësit.

56

Ndëshkimet për plagosje ose goditje të një personi varen nga shkalla e dëmtimit; për çdo shkallë Zoti i Gjykimit ka caktuar njëfarë zhdëmtimi. Ai është, me të vërtetë, Urdhëruesi, i Fuqishmi, Më i Lartësuari. Ne, në qoftë Vullneti Ynë, do të njoftojmë masën e drejtë të këtyre pagesave – ky është një premtim nga ana Jonë, dhe Ai, me të vërtetë, është Mbajtësi i zotimit të Tij, Njohësi i të gjitha gjërave.

57

Me të vërtetë, juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj, edhe sikur aty të shërbehet vetëm ujë; sepse Perëndia ka për qëllim t’i lidhë zemrat bashkë, si me mjete tokësore dhe me mjete qiellore.

58

Kini mendjen që dëshirat trupore e të ndonjë prirjeje të zvetënuar të mos shkaktojnë përçarje në mes jush. Jini si gishtat e një dore, si organet e një trupi. Kështu ju këshillon Penda e Revelacionit, në qofshi ndër ata që besojnë.

59

Mendoni mëshirën e Perëndisë dhe dhuratat e Tij. Edhe pse Vetë mund të bëjë fare mirë pa të gjitha krijesat, Ai ju urdhëron atë që do t’ju sjellë juve përfitim. Veprat tuaja të këqija kurrë nuk Na bëjnë dot keq Neve, dhe as veprat tuaja të hijshme nuk Na sjellin përfitim. Ne ju bëjmë thirrje krejtësisht për hir të Perëndisë. Për këtë do të dëshmojë çdo njeri që kupton e që ka intuitë.

60

Në qoftë se gjuani me kafshë ose shpendë grabitqarë, përmendni Emrin e Perëndisë kur i lëshoni ato për të ndjekur gjahun; sepse atëherë çdo gjë që të kapin do të jetë e ligjshme për ju, edhe sikur ta gjeni të ngordhur. Por kini mendjen mos e teproni në gjueti. Ndiqni shtegun e drejtësisë e të ndershmërisë në të gjitha gjërat. Kështu ju urdhëron Ai Që është Vendagimi i Revelacionit, po të mund ta kuptonit këtë.

61

Perëndia ju ka urdhëruar të tregoni përzemërsi ndaj fisit Tim, por nuk u ka dhënë atyre të drejta mbi pronën e të tjerëve. Ai, me të vërtetë, është i vetëmjaftueshëm mbi çdo nevojë të krijesave të Tij.

62

Në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë shkatërron një shtëpi duke i vënë zjarrin, ju edhe atë do ta digjni; në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë i merr jetën një tjetri, ju edhe atë do ta vrisni. Përmbajuni porosive të Perëndisë me të gjitha forcat e fuqinë dhe hiqni dorë nga rrugët e injorantëve. Në qoftë se e dënoni zjarrvënësin e vrasësin me burgim të përjetshëm, kjo do të jetë e pranueshme sipas porosive të Librit. Ai, me të vërtetë, ka pushtet të urdhërojë ç’i pëlqen.

63

Perëndia ju ka porositur të martoheni. Kini mendjen mos merrni më shumë se dy gra. Kush kënaqet me një shoqe të vetme ndër shërbëtoret e Perëndisë, ai dhe ajo që të dy do të jetojnë në paqe. Dhe kush dëshiron të marrë në shërbim një shërbëtore, mund ta bëjë këtë në mënyrë të përshtatshme. Kjo është porosia, e cila, me të vërtetë e drejtësi, është shkruar nga Penda e Revelacionit. Lidhni martesë, o njerëz, që të mund të lindni një që do të Më përmendë Mua midis shërbëtorëve të Mi. Ky është urdhëri Im për ju; përmbajuni fort atij që të ndihmoni vetveten.

64

O njerëz të botës! Mos shkoni pas tundimeve të egos, sepse ajo ju fton me këmbëngulje në ligësi e epsh; përkundrazi, shkoni pas Atij Që është Zotëruesi i të gjitha gjërave të krijuara, Që ju urdhëron të tregoni devotshmëri e druajtje të Perëndisë. Ai, me të vërtetë, është i pavarur nga të gjitha krijesat e Tij. Kini mendjen mos nxisni ngatërresa mbi tokë pasi është vendosur rregull në të. Ai që vepron në këtë mënyrë nuk është nga Tanët dhe Ne e heqim qafe atë. I tillë është urdhëri që, përmes fuqisë së të vërtetës, është shfaqur nga qielli i Revelacionit.

65

Në Bayán është shkruar se martesa varet nga pëlqimi i të dyja palëve. Duke dashur të vendosim dashuri, unitet e harmoni midis shërbëtorëve Tanë, kur dëshira e çiftit dihet Ne e kemi kushtëzuar martesën me lejën e prindërve të tyre, që midis tyre të mos lindë armiqësi e mllef. Dhe për këtë Ne kemi edhe synime të tjera. Kjo është porosia Jonë që kemi urdhëruar.

66

Asnjë martesë nuk mund të lidhet pa pagesën e një prike , e cila është caktuar në nëntëmbëdhjetë mithqálë ar të pastër për banorët e qyteteve dhe në të njëjtën sasi argjendi për banorët e fshatrave. Atij që dëshiron ta rrisë këtë shumë, i ndalohet të kapërcejë kufirin e nëntë¬dhjetë e pesë mithqálëve. Kjo është porosia e shkruar me madhështi e pushtet. Por në qoftë se ai kënaqet me shifrën më të ulët, për të do të jetë më mirë t’i përmbahet asaj që thuhet në Librin. Perëndia, me të vërtetë, pasuron cilindo që i pëlqen si me mjete qiellore dhe me mjete tokësore; dhe me të vërtetë Ai ka pushtet mbi të gjitha gjërat.

67

Nga Perëndia është dekretuar që, në qoftë se dikush prej shërbëtorëve të Tij ka ndërmend të bëjë një udhëtim, ai duhet të caktojë për të shoqen kohën se kur do të kthehet në shtëpi. Në qoftë se kthehet në kohën e premtuar, atëherë do t’i jetë bindur detyrimit të ngarkuar nga Zoti i tij dhe do të renditet ndër të drejtët nga Penda e urdhërit të Tij; përndryshe, në qoftë se ka arsye të shëndoshë për vonesën, duhet të njoftojë të shoqen dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për t’u kthyer pranë saj. Po qe se asnjëra prej këtyre mundësive nuk ndodh, asaj i takon të presë për një periudhë prej nëntë muajsh, pas së cilës nuk ka ndonjë pengesë që ajo të marrë burrë tjetër; por po qe se ajo pret më gjatë, Perëndia, me të vërtetë, i do ata burra e gra që tregohen të duruar. Bindjuni porosive të Mia dhe mos shkoni pas të pafeve, atyre që janë quajtur mëkatarë në Tabelën e Shenjtë të Perëndisë. Në qoftë se gjatë periudhës së pritjes i vjen lajm për burrin, ajo duhet të zgjedhë atë mënyrë veprimi që është e lavdërueshme. Ai, me të vërtetë, dëshiron që shërbëtorët dhe shërbëtoret e Tij të jenë në paqe me njëri-tjetrin; kini mendjen të mos bëni asgjë që mund të shkaktojë papajtueshmëri midis jush. Kështu përcaktohet në dekretin dhe premtimi është mbajtur. Por, në rast se i vjen lajm për vdekjen ose vrasjen e të shoqit dhe kjo vërtetohet nga opinioni i përgjithshëm ose nga dëshmia e dy dëshmitarëve të drejtë, asaj i takon të mbetet vetëm; pastaj, kur të jetë plotësuar numri i caktuar i muajve, është e lirë të veprojë siç ka vendosur. I tillë është urdhëri i Atij që është i fuqishëm e i pushtetshëm në komandën e Tij.

68

Në qoftë se midis burrit e gruas lind mëri e antipati, ai nuk duhet ta ndajë atë, por të presë me durim plot një vit se mos aroma e dashurisë përtërihet midis tyre. Në qoftë se pas plotësimit të kësaj periudhe dashuria e tyre nuk është rikthyer, është e lejueshme të bëhet ndarja. Urtia e Perëndisë, me të vërtetë, ka përfshirë të gjitha gjërat. Zoti, në një Tabelë të shkruar nga Penda e komandës së Tij, e ka ndaluar zakonin që ju ndiqnit më parë kur e ndanit tri herë një grua. Këtë Ai e ka bërë si një favor ndaj jush nga ana e Tij, që ju të renditeni ndër mirënjohësit. Ai që ka ndarë gruan mund të vendosë, me kalimin e çdo muaji, të rimartohet me të kur ka dashuri e pëlqim të ndërsjellë, sakohë ajo nuk ka marrë një burrë tjetër. Në rast se ajo është martuar përsëri, atëherë me këtë bashkim tjetër ndarja është konfirmuar dhe çështja është mbyllur, veç po qe se gjendja e saj ndryshon në mënyrë të qartë. Kështu është shkruar me madhështi dekreti në këtë Tabelë të lavdishme nga Ai Që është Vendagimi i Bukurisë.

69

Në qoftë se gruaja e shoqëron burrin e saj në një udhëtim dhe gjatë rrugës midis tyre lindin mosmarrëveshje, ai ka për detyrë t’i sigurojë asaj shpenzimet për një vit të tërë dhe o ta kthejë nga kishte ardhur ose t’ia besojë, bashkë me të gjitha gjërat e nevojshme për udhëtimin, një personi të besueshëm që ta shoqërojë deri në shtëpi. Zoti, me të vërtetë, urdhëron ashtu siç i pëlqen, falë sovranitetit që shtrihet mbi popujt e botës.

70

Po qe se një grua e ndan burri si rrjedhojë e një veprimi të provuar të shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, ajo nuk merr mbështetje me mjete jetese gjatë periudhës së pritjes. Kështu ka ndriçuar me shkëlqim dielli i porosisë Sonë nga qielli i drejtësisë. Me të vërtetë, Zoti i do bashkimin e harmoninë dhe i urren ndarjen e shkurorëzimin. Jetoni me njëri-tjetrin, o njerëz, në dashuri e gëzim. Për jetën Time! Çdo gjë që është mbi tokë do të zhduket dhe vetëm veprat e mira do të mbeten; Vetë Perëndia është dëshmitar për vërtetësinë e fjalëve të Mia. Ndreqni mosmarrëveshjet tuaja, o shërbëtorë të Mi; pastaj vijini veshin këshillës së Pendës Sonë të Lavdisë dhe mos shkoni pas arrogantëve e kokëfortëve.

71

Kini mendjen që bota të mos ju mashtrojë, siç ka mashtruar njerëzit që kanë shkuar para jush! Zbatoni ligjet e porositë e Zotit tuaj dhe ecni me ndershmëri e vërtetësi në Rrugën që është shtruar para jush. Ata që i shmangen padrejtësisë e gabimit dhe që i përmbahen virtytit, janë në sytë e të vetmit Perëndi të vërtetë ndër të zgjedhurit e krijesave të Tij; emrat e tyre lartësohen nga Tubimi i mbretërive qiellore e nga ata që banojnë në këtë Faltore që është ngritur në emër të Perëndisë.

72

Ju ndalohet të bëni tregti skllevërish, burra a gra qofshin. Nuk i takon atij që është vetë shërbëtor të blejë një shërbëtor tjetër të Perëndisë, dhe kjo është ndaluar në Tabelën e Tij të Shenjtë. Kështu, për hir të mëshirës së Tij, është shkruar kjo porosi nga Penda e drejtësisë. Askush të mos lartësojë veten mbi të tjerët; të gjithë s’janë veçse skllevër para Zotit dhe të gjithë dëshmojnë të vërtetën se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëdijshmi, urtia e të Cilit përfshin të gjitha gjërat.

73

Stolisuni me petkun e veprave të hijshme. Ai, veprat e të cilit kanë pëlqimin e Perëndisë, është me siguri nga njerëzit e Bahá-it dhe përmendet para fronit të Tij. Ndihmojeni Zotin e të gjithë krijimit me vepra prej njeriu të drejtë, si dhe me urti e fjalë. Në të vërtetë kështu ju ka porositur në shumë prej Tabelave Ai Që është Mëshirëploti. Ai, me të vërtetë, është në dijeni të asaj që them Unë. Askush të mos grindet me ndonjë tjetër dhe asnjë shpirt të mos vrasë një tjetër; kjo, me të vërtetë, ju ishte ndaluar juve në një Libër që qëndronte i fshehur brenda Faltores së lavdisë. Si! A do të vrisnit ju atë që Perëndia e ka sjellë në jetë, atë që Ai i ka dhënë shpirt me një frymë të Tij? I rëndë, pra, do të jetë mëkati juaj para fronit të Tij! Druajuni Perëndisë dhe mos ngrini dorën e padrejtësisë e të shtypjes për të shkatërruar atë që Ai Vetë ka ndërtuar; jo, ecni në rrugën e Perëndisë, të Vërtetit. Sapo ushtria e dijes së vërtetë u duk, duke mbajtur flamujt e fjalës Hyjnore, fiset e feve ua mbathën këmbëve, me përjashtim vetëm të atyre që donin të pinin nga gurra e jetës së pasosur në një Parajsë të krijuar nga fryma e Lavdiplotit.

74

Perëndia ka dekretuar, si shenjë të mëshirës së Tij për krijesat e Veta, që fara nuk është e papastër. Falënderojeni Atë me gëzim e rëzëllim dhe mos shkoni pas atyre që janë larg Vendagimit të afrisë së Tij. Në çdo rrethanë ngrihuni për t’i shërbyer Kauzës, sepse Perëndia me siguri do t’ju ndihmojë me fuqinë e sovranitetit të Tij që mbulon me hijen e vet botët. Mbahuni pas litarit të sqimës me aq këmbëngulje sa të mos lejoni që asnjë shenjë papastërtie të duket në rrobat tuaja. I tillë është urdhëri i Atij Që është i kulluar mbi çdo sqimë. Ai që e lë mangut këtë normë për një arsye të shëndoshë, nuk do të ngarkohet me faj. Perëndia, me të vërtetë, është Falësi, i Mëshirshmi. Lajeni çdo gjë të ndotur me ujë që nuk ka pësuar ndryshime në asnjërin prej tre aspekteve; kini kujdes mos përdorni ujë që është ndryshuar përmes lënies nën veprimin e ajrit ose të ndonjë elementi tjetër. Jini thelbi vetë i pastërtisë midis njerëzimit. Kjo është, me të vërtetë, ajo që Zoti juaj, i Pakrahasueshmi, Urtiploti, dëshiron për ju.

75

Perëndia po kështu ka shfuqizuar, si shenjë bujarie e pranisë së Tij, konceptin e “papastërtisë”, për shkak të të cilit shumë gjëra e njerëz janë konsideruar si të papastër. Ai, me siguri, është Gjithmonëfalësi, Më Fisniku. Me të vërtetë, të gjitha gjërat e krijuara u zhytën në detin e dëlirjes kur, në atë ditë të parë të Riḍvánit, Ne përhapëm mbi gjithë krijimin shkëlqimet e Emrave Tanë më të përsosur e të Atributeve Tona më të lartësuara. Kjo është, me të vërtetë, shenjë e provanisë Sime dashamirëse, e cila ka përfshirë të gjitha botët. Shoqërohuni, pra, me pasuesit e të gjitha feve, dhe shpallni Kauzën e Zotit tuaj, Më Zemërdhembshurit; kjo është vetë kurora e bëmave, në qofshi ndër ata që kuptojnë.

76

Perëndia ju ka urdhëruar të mbani pastërtinë më të madhe, deri në atë shkallë sa të lani atë që është e ndotur me pluhur, pa përmendur atë me pisllëk të ngurtësuar e fëlliqësi të tjera si këto. Druajuni Atij dhe jini ndër ata që janë të dëlirë. Në qoftë se rrobat e cilitdo janë të ndotura në mënyrë të dukshme, lutjet e tij nuk do të arrijnë te Perëndia dhe Tubimi qiellor do t’i kthejë shpinën atij. Përdorni ujë trëndafili dhe parfum të kulluar; kjo është, me të vërtetë, ajo që Perëndia ka dashur që nga fillimi që s’ka fillim, në mënyrë që nga ju të përhapet ajo që dëshiron Zoti juaj, i Pakrahasueshmi, Urtiploti.

77

Perëndia ju ka liruar nga porosia e shkruar në Bayán përsa i përket zhdukjes së librave. Ne ju kemi lejuar të lexoni ato shkenca që janë të dobishme për ju, dhe jo të tilla që përfundojnë në polemika të kota; kjo është më mirë për ju, në qofshi ndër ata që kuptojnë.

78

O mbretër të tokës! Ai Që është Zoti sovran i çdo gjëje ka ardhur. Mbretëria është e Perëndisë, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm, të Vetëqenëshmit. Mos adhuroni asgjë veç Perëndisë dhe, me zemra rrëzëllyese, ngrini lart fytyrat nga Zoti juaj, Zoti i të gjithë emrave. Ky është një Revelacion, me të cilin nuk mund të krahasohet kurrë çdo gjë që zotëroni, sikur ta dinit këtë.

79

Ju shohim të gëzoheni për atë që keni grumbulluar për të tjerët dhe t’i mbyllni vetes rrugën për në botët, të cilat asgjë veç Tabelës Sime të ruajtur nuk mund t’i numërojë. Thesaret që keni vënë mënjanë ju kanë larguar së tepërmi nga synimi juaj përfundimtar. Kjo ju përshtatet keq juve, sikur ta kuptonit këtë. Pastroni nga zemrat tuaja çdo ndotje tokësore dhe shpejtoni të hyni në Mbretërinë e Zotit tuaj, Krijuesit të tokës e të qiellit, i Cili bëri të lëkundet toka dhe të gjithë popujt e saj të vajtojnë, me përjashtim të atyre që kanë hequr dorë prej çdo gjëje dhe mbahen pas asaj që ka urdhëruar Tabela e Fshehur.

80

Kjo është Dita në të cilën Ai Që ka biseduar me Perëndinë ka arritur dritën e të Lashtit të Kohëve dhe ka pirë nga ujërat e kulluara të ribashkimit, me këtë Kupë që i ka bërë detrat të fryhen. Thuaj: Për Perëndinë e vërtetë Që është Një! Sinai sillet rreth Burimit të Revelacionit, ndërsa nga lartësitë e Mbretërisë Zëri i Frymës së Perëndisë dëgjohet të shpallë: “Shkunduni, o ju krenarët e tokës, dhe nxitoni tek Ai”. Në këtë Ditë, Karmeli ka shpejtuar me adhurim të zjarrtë të arrijë oborrin e Tij, ndërkohë që nga zemra e Sionit vjen thirrja: “Premtimi u përmbush. Ajo që ishte njoftuar në Shkrimin e shenjtë të Perëndisë, Më të Lartësuarit, Fuqiplotit, Më të Shumëdashurit, u shfaq”.

81

O mbretër të tokës! Ligji Më i Madh është reveluar në këtë Vend, në këtë skenë të shkëlqimit transhendent. Çdo gjë e fshehur është nxjerrë në dritë falë Vullnetit të Urdhëruesit Suprem, të Atij Që ka sjellë Orën e Fundit dhe përmes të Cilit Hëna është çarë e çdo dekret i pakundërshtueshëm është shtjelluar.

82

Ju s’jeni veçse vasalë, o mbretër të tokës! Ai Që është Mbreti i Mbretërve është shfaqur, i veshur me lavdinë e Tij më të mahnitshme, dhe ju thërret ju pranë Vetes, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi. Kini mendjen që krenaria të mos ju pengojë të njihni Burimin e Revelacionit, që gjërat e kësaj bote të mos ju ndajnë si një perde nga Ai Që është Krijuesi i qiellit. Ngrihuni dhe vihuni në shërbim të Atij Që është Dëshira e të gjitha kombeve, Që ju ka krijuar me një fjalë të Vetën dhe ju ka urdhëruar të jeni përgjithmonë emblemat e sovranitetit të Tij.

83

Për drejtësinë e Perëndisë! Nuk është dëshira jonë të vëmë dorë mbi mbretëritë tuaja. Misioni Ynë është të pushtojmë e të zotërojmë zemrat e njerëzve. Mbi to janë mbërthyer sytë e Bahá-it. Për këtë dëshmon Mbretëria e Emrave, po ta kuptonit këtë. Kush shkon pas Zotit të tij heq dorë nga bota e nga çdo gjë që ndodhet në të; sa më e madhe është, pra, shkëputja e Atij Që ka një pozitë kaq të madhërishme! Braktisni pallatet tuaja dhe shpejtoni të fitoni hyrjen në Mbretërinë e Tij. Kjo, me të vërtetë, do t’ju vlejë si në këtë botë dhe në tjetrën. Për këtë dëshmon Zoti i mbretërisë qiellore, veç ta dinit këtë.

84

Ç’bekim i madh e pret mbretin që do të ngrihet për të mbrojtur Kauzën Time në Mbretërinë Time, që do të shkëputet nga çdo gjë tjetër veç Meje! Një mbret i tillë numërohet ndër shokët e Arkës Kërmëz, të Arkës që Perëndia ka përgatitur për njerëzit e Bahá-it. Të gjithë duhet t’i thurin lavdi emrit të tij, të nderojnë pozitën e tij dhe ta ndihmojnë atë të hapë qytetet me çelësat e Emrit Tim, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm të të gjithë atyre që banojnë në mbretëritë e dukshme e të padukshme. Një mbret i tillë është syri i njerëzimit, stolia e ndritshme në ballin e krijimit, burimi i bekimeve mbi mbarë botën. Jepni, o njerëz të Bahá-it, pasurinë tuaj, madje vetë jetët tuaja, për ta ndihmuar.

85

O Perandor i Austrisë! Ai Që është Agimi i Dritës së Perëndisë ndodhej në burgun e ‘Akká-së në kohën që ti u nise për të vizituar Xhaminë Al-Aqṣá. Ti kalove pranë Tij dhe nuk pyete për Atë, falë të Cilit çdo shtëpi është lartësuar dhe çdo portë e lartë është hapur. Ne, me të vërtetë, e kemi bërë atë një vend ndaj të cilit duhet të kthehet bota, që ata të më kujtojnë Mua, e megjithatë ti e ke mohuar Atë Që është Objekti i këtij kujtimi, kur Ai u shfaq me Mbretërinë e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të botëve. Ne kemi qenë gjithmonë me ty dhe të kemi parë të mbahesh pas Degës e të jesh moskokëçarës për Rrënjën. Zoti yt, me të vërtetë, është dëshmitar për këtë që them. Ne u brengosëm duke të parë të vish rrotull Emrit Tonë, ndërsa ishe i pavetë¬dijshëm për Ne, edhe pse Ne ishim para fytyrës sate. Hapi sytë, që të mund të shohësh këtë Pamje të lavdishme e të njohësh Atë Që ke thirrur ditë e natë, dhe të sodisësh Dritën që shkëlqen mbi këtë Horizont të shndritshëm.

86

Thuaj: O Mbret i Berlinit! Vëri veshin Zërit që nga ky tempull i dukshëm thërret: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Përjetshmit, të Pashoqit, të Lashtit të Kohëve”. Ki mendjen që krenaria të mos të të pengojë të njohësh Agimin e Revelacionit Hyjnor, që dëshirat tokësore të mos të të ndajnë, si me perde, nga Zoti i Fronit atje lart dhe të tokës këtu poshtë. Kështu të këshillon Penda e Më të Lartit. Ai, me të vërtetë, është Më i Mëshirshmi, Bujariploti. A të kujtohet ai , pushteti i të cilit ia kalonte pushtetit tënd dhe pozita e të cilit ishte më e lartë se jotja? Ku ndodhet ai? Ku kanë shkuar ato që ai zotëronte? Mbaj parasysh para¬lajmërimin dhe mos ji ndër ata që bëjnë gjumë të thellë. Ishte ai që flaku pas shpine Tabelën e Perëndisë, kur Ne i bëmë të njohur se çfarë vuajtjesh Na shkaktuan hordhitë e tiranisë. Prandaj fatkeqësitë e sulmuan atë nga të gjitha anët dhe ai u përmbys në pluhur në vështirësi të madhe. Mendo thellë, O Mbret, lidhur me të dhe lidhur me ata që, ashtu si ti, kanë pushtuar qytete e kanë sunduar mbi njerëzit. I Gjithëmëshirshmi i ka rrëzuar ata nga pallatet në varret e tyre. Ki mendjen, ji ndër ata që përsiatin.

87

Ne nuk kemi kërkuar asgjë prej jush. Ne, me të vërtetë, ju këshillojmë për hir të Perëndisë dhe do të jemi të duruar, siç kemi qenë të duruar për atë që Na ka rënë mbi krye prej duarve tuaja, o turmë mbretërish!

88

O Sundimtarë të Amerikës e Presidentë të Republikave të atjeshme, dëgjoni atë që këndon Pëllumbi mbi Degën e Përjetësisë: “Nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Përherëpranishmit, Falësit, Bujariplotit”. Stolisini tëmthat e sundimit me stolinë e drejtësisë e të druajtjes së Perëndisë dhe kokën e tij me kurorën e kujtimit të Zotit tuaj, Krijuesit të qiejve. Kështu ju këshillon Ai Që është Agimi i Emrave, siç e urdhëron Ai Që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti. I Premtuari është shfaqur në këtë Pozitë të lartësuar, e për këtë të gjitha gjërat, të dukshme e të padukshme, janë gëzuar. Përfitoni nga Dita e Perëndisë. Me të vërtetë, të takoni Atë për ju është më e mirë se çdo gjë mbi të cilën ndriçon dielli, sikur ta dinit këtë. O turmë sunduesish! Vërini veshin asaj që është shqiptuar nga Agimi i Madhështisë: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Zotit të Fjalës, të Gjithëdijshmit”. Atë që është thyer ngjiteni me duart e drejtësisë dhe shtypësin që lulëzon dërrmojeni me shkopin e porosive të Zotit tuaj, Urdhëruesit, Urtiplotit.

89

O popull i Konstantinopojës! Ja, midis jush dëgjojmë klithmën ogurzezë të kukuvajkës. Mos vallë ju ka mbërthyer dehja e pasionit, apo jeni zhytur në moskokëçarje? O vend që ndodhesh në brigjet e dy deteve! Me të vërtetë, froni i tiranisë është vendosur mbi ty dhe flaka e urrejtjes është ndezur në gjoksin tënd, aq sa Tubimi qiellor dhe ata që sillen qark Fronit të Lartësuar kanë qarë e vajtuar. Ne shohim tek ti të marrin të sundojë mbi të urtin dhe errësirën të mburret kundër dritës. Ti je me të vërtetë e fryrë nga krenaria. Mos vallë shkëlqimi yt i jashtëm të ka rritur mendjen? Për Atë Që është Zoti i njerëzimit! Kjo së shpejti do të marrë fund dhe bijat e vejushat tuaja dhe të gjitha fiset që jetojnë brenda teje do të vajtojnë. Kështu të njofton i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

90

O brigje të Rinit! Ju kemi parë të mbuluara me gjak, sepse shpatat e shpagimit janë nxjerrë kundër jush; dhe juve do t’ju vijë radha edhe një herë tjetër. Dhe dëgjojmë vajtimin e Berlinit, edhe pse sot ai është në lavdi të dukshme.

91

Mos u brengos për asgjë, o tokë e Ṭá-së , sepse Perëndia të ka zgjedhur të jesh burim i gëzimit të mbarë njerëzimit. Ai, në qoftë ky Vullneti i Tij, ka për ta bekuar fronin tënd me dikë që do të sundojë me drejtësi dhe do të mbledhë grigjën e Perëndisë, që ujqit e kanë shpërndarë. Ai sundimtar do ta kthejë me gëzim e hare shikimin nga njerëzit e Bahá-it dhe do të shtrijë mbi ta favoret e tij. Ai me të vërtetë konsiderohet në sytë e Perëndisë si një gur i çmuar midis njerëzve. Mbi të qëndroftë përjetë lavdia e Perëndisë dhe lavdia e të gjithë atyre që banojnë në mbretërinë e Revelacionit të Tij.

92

Gëzohu me hare të madhe, sepse Perëndia të bëri ty “Agimin e dritës së Vet”, përderisa brenda teje lindi Manifestimi i Lavdisë së Tij. Ji e gëzuar për këtë emër që të është dhënë, një emër, përmes të cilit Ylli i Ditës i Mirësisë ka lëshuar shkëlqimin e vet dhe tokë e qiell janë ndriçuar.

93

Së shpejti gjendja e punëve brenda teje do të ndryshojë dhe frerët e pushtetit do të bien në duart e popullit. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshmi. Pushteti i Tij përfshin të gjitha gjërat. Të jesh e sigurt për favorin dashamirës të Zotit tënd. Syri i mirëdashjes së Tij do të drejtohet përgjithmonë tek ti. Po afron dita kur trazimi yt do të shndërrohet në paqe e qetësi të plotë. Kështu është dekretuar në Librin e mrekullueshëm.

94

O tokë e Khá·së! Dëgjojmë nga ti zëra heronjsh, që janë ngritur për t’i thurur lavde Zotit tënd, Gjithëzotëruesit, Më të Lartësuarit. Bekuar qoftë dita në të cilën flamujt e Emrave hyjnorë do të ngrihen në mbretërinë e krijimit në emrin Tim, Lavdiplotit. Atë ditë besnikët do të gëzojnë në fitoren e Perëndisë dhe mosbesimtarët do të vajtojnë.

95

Askush nuk duhet t’u kundërvihet atyre që kanë pushtet mbi popullin; leruni atyre atë që është e tyrja dhe drejtojeni vëmendjen tuaj te zemrat e njerëzve.

96

O Oqean Shumë i Fuqishëm! Spërkat mbi kombet atë që Të ka ngarkuar Ai Që është Sovrani i Përjetësisë dhe stolisi tempujt e të gjithë atyre që banojnë mbi tokë me veshjen e ligjeve të Tij, falë të cilave të gjitha zemrat do të gëzojnë dhe të gjithë sytë do të shndrisin.

97

Po qe se dikush fiton njëqind mithqálë ar, nëntëmbëdhjetë mithqálë prej tyre janë të Perëndisë, Artuesit të tokës e të qiellit, dhe duhet t’i jepen Atij. Kini mendjen, o njerëz, mos i mohoni vetes një bujari kaq të madhe. Këtë ju kemi urdhëruar, megjithëse jemi në gjendje të bëjmë pa ju dhe pa gjithçka që është në qiejt e mbi tokë; në këtë ka përfitime e urti që shkojnë tej njohurive të cilitdo veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit. Thuaj: Ai ka dashur kështu të dëlirë atë që zotëroni dhe t’ju bëjë të aftë të qaseni pranë pozitave të tilla që askush nuk i kupton veç atyre që ka dashur Perëndia. Ai, me të vërtetë, është Mirëbërësi, Mëshiruesi, Zemërgjeri. O njerëz! Mos veproni në mënyrë të pabesë me të Drejtën e Perëndisë dhe as mos e përdorni atë sipas qejfit pa lejën e Tij. Kështu është vendosur porosia e Tij në Tabelat e shenjta dhe në këtë Libër të lavdëruar. Ai që vepron me të pabesë me Perëndinë, me të drejtë do të ndeshet edhe vetë me pabesinë; por ai që vepron në pajtim me urdhërin e Perëndisë do të marrë një bekim nga qielli i bujarisë i Zotit të tij, të Mëshirshmit, Dhuruesit, Fisnikut, të Lashtit të Kohëve. Ai, me të vërtetë, ka dashur për ju atë që është tej dijes suaj, por që do t’ju bëhet e njohur atëherë kur, pas kësaj jete kalimtare, shpirtrat tuaj do të fluturojnë drejt qiellit dhe shkëlqimet e gëzimeve tuaja tokësore do të mbarojnë. Kështu ju këshillon Ai Që zotëron Tabelën e Ruajtur.

98

Peticione të ndryshme kanë ardhur para fronit Tonë nga besimtarët lidhur me ligje të Perëndisë, Zotit të së dukshmes e të së padukshmes, Zotit të të gjitha botëve. Ne, për rrjedhojë, kemi reveluar këtë Tabelë të Shenjtë dhe e kemi stolisur atë me rrobën e Ligjit të Tij, që ndoshta njerëzit t’u përmbahen porosive të Zotit të tyre. Kërkesa të ngjashme Na janë bërë gjatë disa viteve të mëparshme, por, me urtinë Tonë, Ne e përmbajtëm Pendën, derisa kohët e fundit arritën letra nga një numër miqsh dhe Ne atëherë u përgjigjëm, me fuqinë e së vërtetës, me atë që do të gjallërojë zemrat e njerëzve.

99

Thuaj: O udhëheqës të fesë! Mos e gjykoni Librin e Perëndisë sipas atyre modeleve e shkencave që përdoren ndër ju, sepse vetë Libri është peshorja e pagabueshme e vendosur midis njerëzve. Në këtë peshore kaq të përsosur duhet të peshohet gjithçka zotërojnë popujt dhe fiset e tokës, kurse masa e peshës së saj duhet të matet sipas vetë modelit të saj, veç ta kuptonit këtë.

100

Syri i dashamirësisë Sime qan me dënesë për ju, sepse nuk njohët Atë që e keni thirrur ditë e natë, çdo mbrëmje e mëngjes. O njerëz, shkoni përpara, me fytyra të bardha borë e me zemra të gëzuara, për në Vendin e bekuar kërmëz, prej nga Sadratu’l Muntahá·i thërret: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Mbrojtësit të Gjithëfuqishëm, të Vetë¬qenëshmit!”

101

O ju udhëheqës të fesë! Cili prej jush mund të matet me Mua në përfytyrim ose largpamësi? Ku është ai që guxon të pretendojë se është i barabartë me Mua në fjalë ose urti? Jo, për Zotin Tim, Mëshirëplotin! Gjithçka në botë do të zhduket; e kjo është fytyra e Zotit tuaj, Fuqiplotit, të Shumëdashurit.

102

Ne kemi dekretuar, o njerëz, që qëllimi më i lartë e i fundit i çdo diturie të jetë njohja e Atij Që është Objekti i çdo dije; e megjithatë, shih sesi keni lejuar që dituria juaj t’ju ndajë si me perde prej Atij Që është Agimi i kësaj Drite, falë të Cilit çdo gjë e fshehur është reveluar. Sikur vetëm të zbulonit burimin nga përhapet shkëlqimi i kësaj fjale, ju do të braktisnit popujt e tokës e çdo gjë që ata zotërojnë dhe do t’i qaseshit pranë kësaj Selie kaq të bekuar të lavdisë.

103

Thuaj: Ky, me të vërtetë, është qielli në të cilin Libri Mëmë është ruajtur, veç ta kuptonit këtë. Është Ai që e ka bërë shkëmbin të thërrasë dhe Drizën e Përflakur të ngrejë zërin në Malin që ngrihet mbi Tokën e Shenjtë për të shpallur: “Mbretëria është e Perëndisë, Zotit Sovran të gjithçkaje, Fuqiplotit, Dashuruesit!”

104

Ne nuk kemi ndjekur ndonjë shkollë, as kemi lexuar ndonjë prej disertacioneve tuaja. Veruni veshin fjalëve të këtij të Pashkolluari, tek ju thërret te Perëndia, i Përherëpranishmi. Kjo është më e mirë për ju sesa të gjitha thesaret e tokës, veç të mund ta kuptonit këtë.

105

Kush interpreton atë që është dërguar nga qielli i Revelacionit dhe ndryshon domethënien e qartë të saj, ai me të vërtetë është ndër ata që kanë shtrembëruar Fjalën Sublime të Perëndisë dhe në Librin e Qartë renditet ndër të humburit.

106

Ju është urdhëruar të prisni thonjtë, të laheni çdo javë në ujë që të mbulojë trupin dhe të pastroheni me atë që keni përdorur më parë. Kini kujdes që, për shkak të shkujdesjes të mos lini pa zbatuar atë që ju ka urdhëruar Ai Që është i Pakrahasueshmi, Mëshiruesi. Zhytuni në ujë të pastër; nuk është e lejueshme të laheni në ujë të përdorur. Kini mendjen mos u futni në hurdhat publike të banjave persiane; kush shkon në banja të tilla thith erën e tyre të qelbur sapo futet atje. Shmangini ato, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që në mënyrë të shëmtuar pranojnë një ndyrësi të tillë. Me të vërtetë, ato janë fole ndotjeje e infektimi, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Shmangiuni gjithashtu hurdhave me erë të keqe në oborret e shtëpive persiane dhe jini të dëlirë e të pastër. Me të vërtetë, Ne duam t’ju shohim ju si manifestime të parajsës mbi tokë, që prej jush të përhapet një erë e mirë që të gëzojë zemrat e të zgjedhurve të Perëndisë. Në qoftë se ai që lahet, në vend që të hyjë në ujë, lahet duke e derdhur atë mbi trupin e tij, kjo është më mirë dhe e çliron atë nga nevoja e zhytjes së trupit në ujë. Zoti, me të vërtetë, dëshiron, si një dhunti të pranisë së Tij, t’jua bëjë jetën më të lehtë, që të jeni ndër ata që janë vërtet mirënjohës.

107

Ju ndalohet të martoheni me gratë e atit tuaj. Ne i bëjmë bisht, nga turpi, të shtjellojmë çështjen e djemve. Druajuni të Mëshirshmit, o popuj të botës! Mos kryeni atë që ju është ndaluar në Tabelën Tonë të Shenjtë dhe mos jini ndër ata që enden të hutuar në shkretëtirën e dëshirave të tyre.

108

Askujt nuk i lejohet të mërmërisë vargje të shenjta para njerëzve duke ecur në rrugë ose në pazar; përkundrazi, në rast se dëshiron të madhërojë Zotin, është e përshtatshme ta bëjë këtë në vende që janë ngritur për këtë qëllim ose në shtëpinë e vet. Kjo pajtohet më shumë me sinqeritetin e përshpirtshmërinë. Kështu ka ndritur në horizontin e fjalës Sonë dielli i porosisë Sonë. Bekuar qofshin, pra, ata që zbatojnë urdhërin Tonë.

109

Secili e ka për detyrë të shkruajë një testament. Trashëgimlënësi duhet ta fillojë këtë dokument me stolinë e Emrit Më të Madh, të dëshmojë aty njëshmërinë e Perëndisë në Agimin e Revelacionit të Tij dhe të përmendë, ashtu si dëshiron, atë që është e lavdërueshme, që kjo të jetë një dëshmi për të në mbretëritë e Revelacionit e të Krijimit dhe një thesar pranë Zotit të tij, Mbrojtësit Suprem, Besnikut.

110

Të gjitha Festat kanë arritur përmbushjen e tyre në dy Festat Më të Mëdha, si dhe në dy Festa të tjera që bien në ditët binjake – duke qenë e para ndër dy Festat Më të Mëdha ato ditë kur Mëshirëploti shtriu mbi të gjithë krijimin lavdinë e ndritshme të Emrave të Tij më të përsosur dhe Atributet e tij më të lartësuara, dhe e dyta ajo ditë në të cilën Ne nxorrëm Atë Që i njoftoi mbarë njerëzimit lajmin e gëzuar të këtij Emri, falë të cilit u ringjallën të vdekurit dhe u mblodhën së bashku të gjithë ata që janë në qiejt e mbi tokë. Kështu ka dekretuar Ai Që është Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi.

111

Lum ai që hyn në ditën e parë të muajit të Bahá-it, ditën që Perëndia ia ka kushtuar këtij Emri të Madh. Dhe bekuar qoftë ai që në këtë ditë tregon bujaritë që Perëndia i ka dhuruar atij; ai, me të vërtetë, është ndër ata që shfaqin mirënjohje ndaj Perëndisë përmes veprimesh që tregojnë bujarinë e Zotit, e cila ka përfshirë të gjitha botët. Thuaj: Kjo ditë është, me të vërtetë, kurora e burimi i të gjithë muajve, dita në të cilën fryma e jetës është përhapur mbi të gjitha gjërat e krijuara. I madh është bekimi i atij që e përshëndet atë fytyrëçelur e me gëzim. Ne dëshmojmë se ai është, me të vërtetë, ndër ata që janë të lumtur.

112

Thuaj: Festa Më e Madhe është, me të vërtetë, Mbretëresha e Festave. Sillni ndërmend, o njerëz, bujarinë që ju ka dhuruar Perëndia. Ju keni qenë të zhytur në gjumë dhe, ja! Ai ju zgjoi me flladet gjallëruese të Revelacionit të Tij dhe ju bëri të njohur Shtegun e Tij të dukshëm e të pagabueshëm.

113

Në kohë sëmundjeje, drejtojuni mjekëve të aftë; Ne nuk e kemi lënë mënjanë përdorimin e mjeteve materiale, përkundrazi e kemi pohuar atë me anë të kësaj Pende, që Perëndia e ka bërë të jetë Vendagimi i Kauzës së Tij të shndritshme e të lavdishme.

114

Më parë Perëndia i kishte ngarkuar secilit besimtar detyrën për të blatuar para fronit Tonë dhurata të paçmuara nga zotërimet e tij. Tani, në shenjë dasha-mirësie nga ana Jonë, Ne i kemi liruar ata nga ky detyrim. Ai, me të vërtetë, është Më Fisniku, Bujariploti.

115

I bekuar është ai që në agim, me mendimim të ngulitur te Perëndia, i përqëndruar në kujtimin e Tij dhe duke iu lutur për ndjesë, i drejton hapat për në Mashriqu’l-Adhkár dhe, pasi hyn atje, ulet në heshtje për të dëgjuar vargjet e Perëndisë, Sovranit, të Fuqishmit, të Gjithëlavdëruarit. Thuaj: Mashrikul Azkar është çdo ndërtesë e ngritur në qytete e fshatra për të më thurur lavde Mua. Ky është emri me të cilin është quajtur ai para fronit të lavdisë, në qofshi ndër ata që kuptojnë.

116

Ata që recitojnë vargjet e Mëshirëplotit me zërat më të melodishëm, do të shquajnë në to gjëra me të cilat toka e qielli kurrë nuk mund të krahasohen. Prej tyre ai do të thithë aromën hyjnore të botëve të Mia, botë që sot askush nuk mund t’i shohë, veç atyre që u është dhuruar vizioni falë këtij Revelacioni sublim e të mrekulleshëm. Thuaj: Këto vargje tërheqin zemrat e dëlira në ato botë shpirtërore, të cilat nuk mund të shprehen me fjalë e as të nënkuptohen me aluzione. Bekuar qofshin ata që vënë vesh.

117

Ndihmoni, o njerëzit e Mi, shërbëtorët e Mi të zgjedhur që janë ngritur për të më përmendur Mua midis krijesave të Mia dhe për të lartësuar Fjalën Time anembanë mbretërisë Sime. Këta janë, me të vërtetë, yjet e qiellit të provanisë Sime dashamirëse dhe llambat e udhërrëfimit Tim për gjithë njerëzimin. Por ai, fjalët e të cilit vinë në kundërshtim me atë që është dërguar në Tabelat e Mia të Shenjta, nuk është nga të Mitë. Kini mendjen mos shkoni pas ndonjë pretendenti të pafe. Këto Tabela janë zbukuruar me vulën e Atij Që bën të agojë dita, Që ngre zërin midis qiejve dhe tokës. Kapuni pas kësaj Dorëze të Sigurt dhe pas Litarit të Kauzës Sime të fuqishme e të pamposhtur.

118

Zoti ka lejuar cilindo që ka dëshirë, të mësojë gjuhët e ndryshme të botës, që të çojë mesazhin e Kauzës së Perëndisë kudo në Lindje e Perëndim, që ta përmendë Atë midis fiseve e popujve të botës, në mënyrë që zemrat të ringjallen dhe eshtrat e mykura të gjallërohen.

119

Është e papranueshme që njeriu, të cilit i është dhuruar arsyeja, të kryejë diçka që ia rrëmben atë. Jo, përkundrazi, ai duhet të sillet në mënyrë të denjë për pozitën e tij si njeri, e jo sipas veprimeve të gabuara të çdo shpirti të pamatur e të lëkundur.

120

Stoliseni kokën me kurorat e besueshmërisë e të besnikërisë, zemrën me rrobën e druajtjes së Perëndisë, gjuhën me vërtetësi absolute, trupat me veshjen e mirësjelljes. Këto janë me të vërtetë stoli të hijshme në ballin e njeriut, në qofshi ndër ata që mendojnë. Mbahuni, o ju njerëz të Bahá-it, pas litarit të nënshtrimit ndaj Perëndisë së Vërtetë Që është Një i Vetëm, sepse kështu pozita juaj do të bëhet e dukshme, emri juaj do të shkruhet e ruhet, rangu juaj do të ngrihet dhe kujtimi juaj do të lartësohet në Tabelën e Ruajtur. Kini mendjen që banorët e tokës të mos ju bëhen pengesë në këtë pozitë të lavdishme e sublime. Kështu ju kemi këshilluar në shumë prej Letrave Tona dhe tani në këtë Tabelën Tonë të Shenjtë, mbi të cilën ka ndritur Dielli i Ligjeve të Zotit, Perëndisë suaj, të Fuqishmit, Urtiplotit.

121

Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, kthejeni fytyrën nga Ai që Perëndia ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë.

122

Shikoni meskinitetin e mendjes së njerëzve. Ata kërkojnë atë që i dëmton dhe refuzojnë atë që u sjell përfitim. Ata janë me të vërtetë prej atyre që enden në rrugë të gabuar. Gjejmë njerëz që dëshirojnë lirinë dhe që mburren se e kanë këtë. Njerëz të tillë janë të zhytur në mosdijen më të thellë.

123

Liria, në fund të fundit, çon medoemos në rebelim, flakët e të cilit askush nuk mund t’i shuajë. Kështu ju paralajmëron Ai Që është Vlerësuesi, i Gjithëdijshmi. Dijeni se mishërimi i lirisë e simboli i saj është kafsha. Ajo që i ka hije njeriut është t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla që ta mbrojnë atë nga mosdija e vet dhe ta ruajnë nga kurthet e ngatërrestarëve. Liria e bën njeriun të kalojë kufijtë e mirësjelljes dhe të shkelë dinjitetin e pozitës së tij. Ajo e ul atë deri në nivelin e shthurrjes e të ligësisë së skajshme.

124

Shikojini njerëzit si një kope dhensh, që kanë nevojë për një bari që t’i mbrojë. Kjo është, në fakt, e vërteta, e vërteta e padiskutueshme. Ne e miratojmë lirinë në rrethana të caktuara dhe refuzojmë ta mbështesim atë në disa të tjera. Ne jemi, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi.

125

Thuaj: liria e vërtetë qëndron në nënshtrimin e njeriut ndaj urdhërave të Mi, edhe pse ju e kuptoni aq pak këtë. Sikur njerëzit të zbatonin atë që Ne kemi dërguar nga Qielli i revelacionit, ata, me siguri, do të arrinin liri të plotë. Lum kush ka parë Qëllimin e Perëndisë në çdo gjë që ka reveluar Ai nga Qielli i Vullnetit të Tij, që përshkon të gjitha gjërat e krijuara. Thuaj: Liria që ju sjell përfitim nuk gjendet askund, veçse në nënshtrimin e plotë ndaj Perëndisë, të Vërtetës së Përjetshme. Kush ka shijuar ëmbëlsinë e kësaj, nuk do të pranojë ta shkëmbejë atë me tërë sundimin e tokës e të qiellit.

126

Në Bayán ju është ndaluar të Na bëni pyetje. Tani Zoti ju ka liruar nga ky ndalim, në mënyrë që ju të jeni të lirë të pyesni për atë që keni nevojë, por jo të bëni pyetje të kota si ato për të cilat kishin dëshirë të flisnin njerëzit e kohëve të mëparshme. Druajuni Perëndisë dhe jini ndër të drejtët! Pyesni për atë që do t’ju sjellë dobi në kauzën e Perëndisë e në mbretërinë e Tij, sepse portat e mëshirës së Tij dashamirëse janë hapur para të gjithë atyre që banojnë në qiell e mbi tokë.

127

Numri i muajve në një vit, i caktuar në Librin e Perëndisë, është nëntëmbëdhjetë. Prej tyre, i pari është stolisur me këtë Emër që ka mbuluar tërë krijimin.

128

Zoti ka urdhëruar që të vdekurit të shtihen në dhe në arkivole prej kristali, prej guri të fortë, rezistent ose prej druri që të jetë edhe i bukur edhe i qëndrueshëm, dhe që në gishtat e tyre të vihen unaza të gdhendura. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi Suprem, Ai që di gjithçka.

129

Mbishkrimi në këto unaza për burrat duhej të ishte: “Perëndisë i përket çdo gjë që është në qiell e mbi tokë dhe çdo gjë që ndodhet midis tyre, dhe Ai, me të vërtetë, ka dijeni për të gjitha gjërat”; kurse për gratë duhej të ishte: “Perëndisë i përket sundimi i qiejve e i tokës dhe çdo gjë që ndodhet midis tyre, dhe Ai, me të vërtetë, është i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat”. Këto janë vargje të reveluara qëmoti, por ja, tani Pika e Bayán·it shpall duke thirrur “O i Shumëdashuri i botëve! Revelo në vend të tyre të tilla fjalë, që të përhapin mbi gjithë njerëzimin aromën e favoreve Tuaja dashamirëse. Ne i kemi njoftuar gjithsecilit se edhe një fjalë e vetme nga Ti ia kalon të gjitha atyre që janë dërguar përmes Bayán·it. Ti, me të vërtetë, ke pushtet të bësh atë që Të pëlqen. Mos u moho shërbëtorëve të Tu vërshimin e bujarive të oqeanit të mëshirës Sate! Ti, me të vërtetë, je Ai mëshira e të Cilit është e pafund”. Shikoni, Ne ia kemi vënë veshin thirrjes së Tij dhe tani po e plotësojmë dëshirën e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Shumëdashuri, Përmbushësi i lutjeve. Në qoftë se në unazat e varrimit, si të burrave dhe të grave, do të gdhendet vargu i mëposhtëm, i dërguar nga Perëndia në këtë moment, kjo do të jetë më mirë për ta; Ne, sigurisht, jemi Urdhëruesi Suprem: “Unë kam ardhur nga Perëndia dhe tek Ai do të kthehem, i shkëputur nga gjithçka veç Tij, duke u mbajtur fort pas Emrit të Tij, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit”. Kështu Zoti zgjedh cilindo që dëshiron, si shenjë bujarie e pranisë së Tij. Ai është, me të vërtetë, Perëndia i fuqisë e i pushtetit.

130

Zoti ka dekretuar, veç kësaj, se të vdekurit duhet të mbështillen me pesë copë pëlhura mëndafshi ose pambuku. Për ata që kanë mjete të kufizuara është e mjaftueshme një copë e vetme e njërës prej këtyre pëlhurave. Kështu ka urdhëruar Ai Që është i Gjithëdijshmi, i Gjithëinformuari. Ju ndalohet ta transportoni trupin e të vdekurit në një largësi më të madhe se një orë rrugë nga qyteti; përkundrazi, ai duhet varrosur me madhështi e qetësi në një vend afër.

131

Perëndia i ka hequr kufizimet për udhëtim që ishin vendosur në Bayán. Ai, me të vërtetë, është i Padetyruari; Ai bën ç’i pëlqen dhe urdhëron atë që dëshiron.

132

O popuj të botës! Vërini veshin thirrjes së Atij Që është Zoti i Emrave, Që nga banesa e Tij në Burgun Më të Madh ju shpalli: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Pushtetshmit, të Fuqishmit, Gjithë-nënshtruesit, të Shumëlavdëruarit, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit”. Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Atij, Sundimtarit të Gjithëfuqishëm të botëve. Po të ishte ky Vullneti i Tij, Ai me një fjalë të vetme që rrjedh nga prania e Tij mund të nënshtronte gjithë njerëzimin. Kini mendjen mos ngurroni të pranoni Kauzën e Tij, një Kauzë para së cilës janë përulur Tubimi qiellor dhe banorët e Qyteteve të Emrave. Druajuni Perëndisë dhe mos jini ndër ata që janë të ndarë si me perde. Digjini perdet me zjarrin e dashurisë Sime dhe shpërndajini mjegullat e imagjinatave të kota me fuqinë e këtij Emri, përmes të cilit ne kemi nënshtruar gjithë krijimin.

133

Lartësoni e nderoni dy Shtëpitë në Vendet e Shenjta Binjake dhe vendndodhjet e tjera ku froni i Zotit tuaj, Mëshirëplotit, është vendosur. Kështu ju porosit Zoti i çdo zemre që kupton.

134

Hapni sytë që hallet e shqetësimet e kësaj bote të mos ju pengojnë të shihni atë që ju ka urdhëruar Ai Që është i Fuqishmi, Besniku. Jini mishërime të një vendosmërie të tillë midis njerëzimit, saqë dyshimet e atyre që nuk besuan tek Ai kur u shfaq, i veshur me një sovranitet të fuqishëm, të mos ju largojnë nga Perëndia. Kini mendjen që asgjë e shkruar në Librin të mos ju pengojë t’i vini veshin këtij që është Libri i Gjallë, Që shpall të vërtetën: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Më të Përsosurit, të Shumëlëvduarit”. Shiheni me syrin e drejtësisë Atë Që ka zbritur nga qielli i vullnetit e i fuqisë së Shenjtë dhe mos jini ndër ata që veprojnë në mënyrë të padrejtë.

135

Sillni ndërmend pastaj ato fjalë që kanë rrjedhur, si nderim për këtë Revelacion, nga Penda e Atij Që qe Lajmëtari Im dhe shihni se ç’kanë punuar gjatë tërë jetës Sime duart e shtypësve. Me të vërtetë ata numërohen ndër të humburit. Ai ka thënë: “Po të arrini në praninë e Atij Që Ne do ta shfaqim, lutjuni Perëndisë që, me bujarinë e Tij, ta lejojë Atë që të denjojë të ulet në minderët tuaj, sepse edhe vetëm ky veprim do t’ju dhuronte një nder të pakrahasueshëm e të pashoq. Sikur Ai të pinte një kupë ujë në shtëpitë tuaja, kjo do të ishte për ju e një rëndësie më të madhe sesa t’i jepnit çdo shpirti, madje çdo gjëje të krijuar, ujin e vetë jetës së saj. Dijeni këtë, o ju shërbëtorë të Mi!”

136

Të tilla janë fjalët me të cilat Pararendësi Im ka lëvduar Qenien Time, veç ta kuptonit këtë. Ai që reflekton për këto vargje dhe e kupton se ç’margaritarë të fshehur ruhen në to, do të ndiejë, falë drejtësisë së Perëndisë, aromën e Mëshirëplotit që përhapet nga drejtimi i këtij Burgu dhe me gjithë zemër do të nxitojë për tek Ai me një dëshirë të tillë të zjarrtë saqë ushtritë e tokës e të qiellit do të ishin të pafuqishme ta pengonin. Thuaj: Ky është një Revelacion rreth të cilit vërtitet çdo provë e dëshmi. Kështu ju është dërguar ai nga Zoti juaj, Perëndia i Mëshirës, në qofshi ndër ata që gjykojnë drejt. Thuaj: Ky është vetë shpirti i të gjitha Shkrimeve, që është fryrë në Pendën e Më të Lartit, duke lënë gojëhapur të gjitha qeniet e krijuara, me përjashtim vetëm të atyre që janë magjepsur nga flladet e lehta të dashamirësisë Sime dhe nga shijet e ëmbla të bujarive të Mia, të cilat kanë përshkuar gjithë krijimin.

137

O njerëz të Bayán·it! Druajuni Mëshirëplotit dhe shihni ç’ka reveluar Ai në një pasazh tjetër. Ai ka thënë: “Kibla është me të vërtetë Ai Që Perëndia do Ta shfaqë; sa herë që Ai lëviz, ajo lëviz, derisa Ai të arrijë në prehje”. Kështu është dërguar nga Urdhëruesi Suprem kur deshi të përmendë këtë Bukuri Më të Madhe. Mendoni për këtë, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që enden mendjehumbur në shkretëtirën e gabimit. Në qoftë se e refuzoni Atë, duke iu nënshtruar fantazive tuaja të kota, atëherë ku është Kibla ndaj së cilës ju do të ktheni fytyrat, o turmë e shkujdesur? Peshojeni këtë varg dhe gjykoni me drejtësi para Perëndisë, që ndoshta të mund të qëmtoni margaritarët e mistereve nga ai oqean që dallgëzohet në Emrin Tim, Lavdiplotit, Më të Lartit.

138

Askush, në këtë Ditë, të mos mbahet fort pas asgjëje, veç asaj që është shfaqur në këtë Revelacion. I tillë është urdhëri i Perëndisë, qëmoti e paskëtaj, urdhër me të cilin janë stolisur Shkrimet e Lajmëtarëve të së kaluarës. I tillë është paralajmërimi i Zotit, qëmoti e paskëtaj, paralajmërim me të cilin është zbukuruar hyrja në Librin e Jetës, veç ta kuptonit këtë. E tillë është porosia e Zotit, qëmoti e paskëtaj; kini mendjen që në vend të kësaj të mos zgjidhni pjesën e turpit e të poshtërimit. Asgjë nuk do t’ju sjellë dobi në këtë Ditë, veç Perëndisë, dhe as ka strehë ku të fshihesh, veç Atij, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Kush më ka njohur Mua ka njohur Synimin e çdo dëshire, dhe kush është kthyer ndaj Meje është kthyer ndaj Objektit të çdo adhurimi. Kështu është shkruar në Librin dhe kështu ka urdhëruar Perëndia, Zoti i të gjitha botëve. Të lexosh qoftë edhe një prej vargjeve të Revelacionit Tim është më mirë sesa të shqyrtosh Shkrimet si të brezave të mëparshëm dhe të mëvonshëm. Kjo është Fjala e Mëshirëplotit, po të keni veshë për ta dëgjuar! Thuaj: Ky është thelbi i dijes, veç ta kuptonit këtë.

139

Dhe tani shihni se ç’është reveluar edhe në një pasazh tjetër, se ndoshta hiqni dorë nga konceptet tuaja dhe i ktheni fytyrat ndaj Perëndisë, Zotit të qenies. Ai ka thënë: “Është e paligjshme të lidhësh martesë, veçse me ndonjë që beson në Bayán·in. Po qe se vetëm njëra palë e martesës e përqafon këtë Kauzë, zotërimet e tij ose të saj bëhen të paligjshme për palën tjetër, derisa kjo e fundit të jetë kthyer në këtë fe. Por ky ligj do të hyjë në fuqi vetëm pas lartësimit të Kauzës së Atij Që Ne me të vërtetë do ta shfaqim, ose të asaj që me të drejtë është shfaqur tashmë. Deri atëherë jeni të lirë të lidhni martesë si të dëshironi, që të mund të lartësoni Kauzën e Perëndisë”. Kështu ka kënduar Bilbili me zë të ëmbël mbi degën qiellore, duke lëvduar Zotin e tij, Mëshirë¬plotin. Lum ata që i venë veshin.

140

O njerëz të Bayán·it, ju përgjërohem për Zotin tuaj, Perëndinë e mëshirës, të shikoni me syrin e drejtësisë këtë thënie që është dërguar përmes fuqisë së të vërtetës dhe të mos jini ndër ata që e shohin dëshminë e Perëndisë por e refuzojnë dhe e mohojnë atë. Ata, me të vërtetë, janë prej atyre që me siguri do të mbarojnë. Pika e Bayán·it e ka përmendur shprehimisht në këtë varg lartësimin e Kauzës Sime mbi vetë Kauzën e Tij; për këtë do të dëshmojë çdo mendje e drejtë e që kupton. Siç mund ta shihni sot, lartësimi i saj është i tillë që askush nuk mund ta mohojë, veç atyre sytë e të cilëve janë të dehur në këtë jetë të vdekshme dhe që i pret një ndëshkim poshtërues në jetën e ardhshme.

141

Thuaj: Për drejtësinë e Perëndisë! Unë jam, me të vërtetë, i Shumëdashuri i Tij ; dhe në këtë çast Ai i dëgjon këto vargje që zbresin nga Qielli i Revelacionit dhe vajton për të këqiat që ju keni bërë në këtë ditë. Druajuni Perëndisë dhe mos u bashkoni me agresorin. Thuaj: O njerëz, po të vendosni të mos besoni tek Ai , të paktën mos u ngrini kundër Tij. Për Perëndi! Mjaftojnë hordhitë e tiranisë që janë lidhur kundër Tij!

142

Me të vërtetë, Ai reveloi disa ligje, kështu që në këtë Dispensacion Penda e Më të Lartit mund të mos kishte nevojë të lëvizte për asgjë veçse për t’i thurur lavde vetë Pozitës së Vet të lartësuar dhe Bukurisë së Vet më të ndritshme. Por, duke qenë se kemi dashur të tregojmë bujarinë Tonë ndaj jush, me fuqinë e së vërtetës kemi formuluar qartë këto ligje dhe kemi zbutur atë që Ne dëshirojmë që ju të zbatoni. Ai, me të vërtetë, është Dorëhapuri, Fisniku.

143

Ai ju ka bërë të njohur që më parë atë që do të thuhej nga ky Agim i urtisë Hyjnore. Ai ka thënë, dhe ka folur të vërtetën: “Ai është Personi Që në të gjitha rrethanat do të shpallë: ‘Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Vetmit, të Pakrahasueshmit, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit’”. Kjo është një pozitë që Perëndia ia ka caktuar vetëm këtij Revelacioni sublim, unik e të mahnitshëm. Kjo është një shenjë e mirësisë së Tij bujare, në qofshi ndër ata që kuptojnë, dhe një provë e urdhërit të Tij të pakundërshtueshëm. Ky është Emri i Tij Më i Madh, Fjala e Tij Më e Lartësuar dhe Agimi i Titujve të Tij Më të Përsosur, veç po ta kuptonit. Madje për më tepër, përmes Tij shfaqet çdo Burim, çdo Vendagim udhërrëfimi hyjnor. Mendoni, o njerëz, për atë që me të vërtetë është dërguar; peshojeni këtë dhe mos u bëni mëkatarë.

144

Afrohuni me të gjitha fetë në miqësi e mirëkuptim, që ato të mund të thithin prej jush aromën erëmirë të Perëndisë. Kini mendjen që midis njerëzve të mos ju mposhtë flaka e injorancës së çmendur. Të gjitha gjërat vinë nga Perëndia dhe tek Ai kthehen. Ai është burimi i të gjitha gjërave dhe tek Ai përfundojnë të gjitha gjërat.

145

Kini kujdes mos hyni në asnjë shtëpi në mungesë të pronarit të saj, veçse me lejen e tij. Silluni në mënyrë të hijshme në të gjitha kushtet dhe mos jini ndër ata që numërohen midis të pabindurve.

146

Jeni urdhëruar të dëlirni mjetet tuaja të jetesës dhe gjëra të tjera si këto nëpërmjet pagimit të Zeqatit. Kështu porosit në këtë Tabelë të lavdëruar Ai Që është Reveluesi i vargjeve. Në qoftë dëshira e qëllimi i Perëndisë, Ne së shpejti do të caktojmë masën e këtij tatimi. Ai, me të vërtetë, falë vetë dijes së Tij, shtjellon çdo gjë që do dhe Ai, me të vërtetë, është i Gjithë-dijshëm e Urtiplotë.

147

Është e paligjshme të lypësh dhe është e ndaluar t’i japësh atij që lyp. Të gjithë janë urdhëruar të fitojmë jetesën, dhe përsa u përket atyre që nuk janë të aftë ta bëjnë këtë, u takon të Dërguarve të Perëndisë dhe të pasurve të kujdesen në mënyrë të mjaftueshme për ta. Përmbajuni ligjeve e porosive të Perëndisë; madje ruajini ato si sytë tuaj dhe mos jini ndër ata që pësojnë humbje të rëndë.

148

Në Librin e Perëndisë ju është ndaluar të përzieheni në grindje e konflikte, të goditni tjetrin ose të kryeni veprime që mund të brengosin zemra e shpirtra. Një gjobë prej nëntëmbëdhjetë mithqálësh ar ka qenë caktuar më parë nga Ai Që është Zoti i gjithë njerëzimit për cilindo që i shkaktonte hidhërim tjetrit; megjithatë, në këtë Dispensacion Ai ju ka liruar nga kjo dhe ju këshillon të tregoni ndershmëri e devotshmëri. E tillë është porosia që ju jep juve Ai në këtë Tabelë të ndritur. Mos dëshironi për të tjerët atë që nuk e dëshironi për veten tuaj; druajuni Perëndisë dhe mos u bëni mendjemëdhenj. Ju të gjithë jeni krijuar nga uji dhe në pluhur do të ktheheni. Mendoni për fundin që ju pret dhe mos ecni në shtigjet e shtypësit. Vëriuni veshin vargjeve të Perëndisë, që ju këndon Ai Që është Pema e shenjtë e Lotusit. Ato janë me siguri peshorja e pagabueshme, e vendosur nga Perëndia, Zoti i kësaj bote dhe i asaj të ardhshme. Përmes tyre shpirti i njeriut merr fluturimin drejt Agimit të Revelacionit dhe zemra e çdo besimtari të vërtetë mbushet me dritë. Të tilla janë ligjet të cilave Perëndia ju ka urdhëruar t’u përmbaheni, të tilla janë porositë që ju jepen në Tabelën e Tij të Shenjtë; bindjuni atyre me gëzim e hare, sepse kështu është më mirë për ju, veç ta dinit këtë.

149

Recitojini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje. Ai që nuk i reciton ato, me të vërtetë nuk i ka qëndruar besnik Besëlidhjes së Perëndisë e Testamentit të Tij, dhe kush largohet prej këtyre vargjeve në këtë Ditë, me të vërtetë është ndër ata që në përjetësi janë larguar prej Perëndisë. Druajuni Perëndisë, o shërbëtorë të Mi, secili e të gjithë bashkë. Mos u mburrni me leximin e tepërt të vargjeve dhe me kryerjen e shumë veprave të devotshme natë e ditë; sepse sikur njeriu të lexonte vetëm një varg me ngazëllim e fytyrëndritur, do të ishte më mirë sesa të lexonte me lodhje të gjithë Librat e Shenjtë të Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Lexojini vargjet e shenjta aq sa të mos ju mposhtë këputja e shkurajimi. Mos i ngarkoni shpirtrat tuaj me atë që ju shkakton rraskapitje e rënie, por me atë që i ndriçon e i ngre ato, që të mund të fluturojnë mbi krahët e vargjeve Hyjnore drejt Vendagimit të shenjave të dukshme të Tij; kjo do t’ju çojë më pranë Perëndisë, veç ta kuptonit këtë.

150

Mësojuni fëmijëve tuaj vargjet e reveluara nga qielli i madhështisë e i pushtetit, që ata, me zërat më të melodishëm, të recitojnë Tabelat e Mëshirëplotit në mjediset e Mashrikul Azkarëve. Cilido që është rrëmbyer nga ekstaza e lindur prej adhurimit të Emrit Tim, Më Zemërdhembshurit, do të këndojë vargjet e Perëndisë në mënyrë të tillë që të pushtojë zemrat e atyre që ende janë të mbështjellë në dremitje. Lum ai që ka shijuar Verën Mistike të jetës së pasosur nga fjala e Zotit të tij të mëshirshëm në Emrin Tim, emër përmes të cilit çdo mal i lartë e madhështor është bërë pluhur.

151

Jeni urdhëruar të përtërini orenditë e pajimet e shtëpive tuaja pas kalimit të nëntëmbëdhjetë viteve; kështu ka urdhëruar Ai Që është i Gjithëdijshëm e Gjithëshikues. Ai, me të vërtetë, dëshiron sqimë si për vetë ju dhe për gjithçka zotëroni; mos lini pasdore druajtjen nga Perëndia dhe mos jini të shkujdesur. Kush sheh se mjetet e tij janë të pamjaftueshme për këtë qëllim, është falur nga Perëndia, Gjithmonëfalësi, Më Bujari.

152

Lani këmbët çdo ditë në verë dhe një herë në tri ditë në dimër.

153

Nëse ndonjëri zemërohet me ju, përgjigjiuni atij me mirësjellje; dhe nëse ndonjëri ju qorton, mos ia ktheni me qortime, por lëreni të qetë dhe kini besim te Perëndia, Shpagimtari i gjithëfuqishëm, Zoti i fuqisë e i drejtësisë.

154

Ju është ndaluar të përdorni amvona. Ai që dëshiron t’ju recitojë vargjet e Zotit të tij, le të ulet në një karrige të vendosur mbi një podium, që të përmendë Perëndinë, Zotin e tij dhe Zotin e gjithë njerëzimit. Perëndia kënaqet që ju të uleni në karrige e stola, si shenjë nderimi për dashurinë që keni për Të dhe për Manifestimin e Kauzës së Tij të lavdishme e të ndritshme.

155

Kumari dhe përdorimi i opiumit janë të ndaluara për ju. Ruhuni prej tyre, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që mëkatojnë. Kini kujdes mos përdorni lëndë që shkaktojnë plogështi e topitje në tëmthat e njeriut dhe i bëjnë dëm trupit. Ne, me të vërtetë, nuk dëshirojmë për ju asgjë veç asaj që ju sjell dobi dhe për këtë dëshmojnë të gjitha gjërat e krijuara, në paçi veshë të dëgjoni.

156

Sa herë t’ju ftojnë në gosti ose në ndonjë rast feste, pranoni me gëzim e hare, dhe kushdo që përmbush premtimin e tij nuk do të qortohet. Kjo është një Ditë në të cilën është sqaruar secili prej vendimeve të urta të Perëndisë.

157

Shikoni, “misteri i Ndryshimit të Madh në Shenjën e Sovranit” tani është shfaqur. Lum ai që Perëndia e ka ndihmuar të njohë “Gjashtën” e ngritur falë këtij “Elifi të Drejtë”; ai vërtet është ndër ata, besa e të cilëve është e sinqertë. Sa të devotshëm nga jashtë kanë ndërruar rrugë, dhe sa të paqëndrueshëm janë afruar pranë duke thirrur: “Gjithë lavdia qoftë mbi Ty, O Ti Dëshira e botëve!” Me të vërtetë, është në dorë të Perëndisë t’i japë atë që do cilitdo që Ai dëshiron dhe t’i mohojë atë që i pëlqen kujtdo që Ai dëshiron. Ai di të fshehtat e brendshme të zemrave dhe domethënien e fshehur në një lëvizje syri të tallësit. Sa mishërime të shkujdesjes, që kanë ardhur te Ne me zemër të dëlirë, i kemi vendosur në stolin e pranimit Tonë; dhe sa përfaqësues të urtisë Ne me plot të drejtë ia kemi dorëzuar zjarrit. Ne jemi, me të vërtetë, i Vetmi që gjykon. Ai Që është manifestimi i “Perëndia bën ç’i pëlqen” dhe qëndron mbi fronin e “Ai urdhëron çdo gjë që vendos”.

158

I bekuar është ai që zbulon aromën e domethënieve të brendshme nga gjurmët e kësaj Pende, përmes lëvizjes së të cilës flladet e Perëndisë përhapen mbi gjithë krijimin dhe përmes palëvizshmërisë së të cilës vetë thelbi i qetësisë shfaqet në botën e qenies. Lëvduar qoftë Mëshirëploti, Reveluesi i një bujarie kaq të paçmuar. Thuaj: Meqenëse Ai mbante mbi shpatulla padrejtësinë, mbi tokë u shfaq drejtësia, dhe meqenëse Ai pranoi poshtërimin, madhështia e Perëndisë shkëlqeu midis njerëzimit.

159

Ju ndalohet të mbani armë, veçse kur është e domosdoshme, dhe ju lejohet të visheni me mëndafsh. Zoti ju ka liruar, si shenjë e bujarisë së Tij, nga kufizimet që zbatoheshin më parë për veshjen dhe për prerjen e mjekrës. Ai, me të vërtetë, është Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi. Le të mos ketë në sjelljen tuaj asgjë që mendjet e shëndosha e të drejta nuk do ta pëlqenin, dhe mos e bëni veten lojë të injorantit. Lum ai që e ka stolisur veten me rrobën e sjelljes së hijshme e me karakter të lavdërueshëm. Ai me siguri numërohet ndër ata që e ndihmojnë Zotin e tyre përmes veprash të shquara e të rëndësishme.

160

Mbështetni zhvillimin e qyteteve të Perëndisë e të vendeve të Tij dhe lavdërojeni në to Atë me fjalët e gëzueshme të të shumëdashurve të Tij. Me të vërtetë, zemrat e njerëzve ndërtohen me fuqinë e gjuhës, ashtu si shtëpitë e qytetet ndërtohen me duar e me mjete të tjera. Ne kemi caktuar për çdo synim një mjet për përmbushjen e tij; përfitoni nga kjo dhe mbështeteni besimin te Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

161

I bekuar është njeriu që shpall besimin e tij te Perëndia e shenjat e Tij dhe e di se “Atij nuk do t’i kërkohet llogari për bëmat e Tij”. Një njohje të tillë Perëndia e ka bërë stolinë e çdo besimi dhe vetë themelin e tij. Nga kjo varet pranimi i çdo vepre të mirë. Mbërthejini sytë në këtë, se ndoshta kështu nuk shkisni në rrugë të gabuar nga pëshpëritjet e rebelëve.

162

Edhe sikur Ai të shpallte si të ligjshme atë që prej kohësh që s’mbahen mend ka qenë e ndaluar dhe të ndalonte atë që në çdo kohë ka qenë konsideruar si e ligjshme, askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim autoritetin e Tij. Kush do të ngurronte, qoftë edhe për më pak se një çast, do të shihej si shkelës.

163

Kushdo që nuk e ka njohur këtë të vërtetë sublime e themelore dhe nuk e ka arritur këtë pozitë kaq të lartësuar, do të rrëmbehet nga erërat e dyshimit dhe thëniet e të pabesëve do t’i tronditin shpirtin. Kush e ka njohur këtë parim, do të marrë dhuntinë e qëndruesh-mërisë më të përsosur. Nder kësaj pozite lavdiplote, përmendja e së cilës stolis çdo Tabelë të lartësuar. Ky është mësimi që ju jep Perëndia, një mësim që do t’ju çlirojë prej çdo lloj dyshimi e mëdyshjeje dhe do t’ju japë mundësi të arrini shpëtimin si në këtë botë dhe në tjetrën. Ai, me të vërtetë, është Gjithmonëfalësi, Më Zemërgjeri. Është Ai Që ka çuar Lajmëtarët dhe ka dërguar Librat për të shpallur “Nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëfuqishmit, Urtiplotit”.

164

O Tokë e Káf-it dhe e Rá-së! Ne, me të vërtetë, të vërejmë ty në një gjendje të papëlqyeshme për Perëndinë dhe shohim se nga ti buron ajo që është e padepërtueshme për cilindo, veç Atij, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit; dhe dallojmë atë që përhapet prej teje fshehurazi e tinëzisht. Me Ne është dija e të gjitha gjërave, e shkruar në një Tabelë të kthjellët. Mos u hidhëro për atë që të ka ndodhur. Së shpejti Perëndia do të nxjerrë brenda teje njerëz të pajisur me guxim të madh, të cilët do të madhërojnë Emrin Tim me aq qëndrueshmëri saqë as do të zmbrapsen nga këshillat e liga të teologëve dhe as do të pengohen nga insinuatat e mbjellësve të dyshimit. Ata do të soditin me sytë e vet Perëndinë dhe me vetë jetët e tyre do ta bëjnë Atë fitimtar. Këta, me të vërtetë, janë ndër të vendosurit.

165

O turmë teologësh! Kur vargjet e Mia u dërguan këtu dhe shenjat e Mia u reveluan, Ne ju gjetëm pas perdeve. Kjo është, me të vërtetë, një gjë e çuditshme. Ju lëvdoheni me emrin Tim e megjithatë nuk më njihni Mua në një kohë që Zoti juaj, Mëshirëploti, është shfaqur midis jush me prova e dëshmi. Ne i kemi çarë perdet. Kini mendjen mos i ndani njerëzit me një perde tjetër. Këputni zinxhirët e imagjinatave të kota, në emër të Zotit të të gjithë njerëzve, dhe mos jini mashtrues. Po qe se ktheheni ndaj Perëndisë dhe përqafoni Kauzën e Tij, mos përhapni çrregullime brenda saj dhe mos e matni Librin e Perëndisë me dëshirat tuaja egoiste. Kjo është, me të vërtetë, këshilla e Perëndisë në të shkuarën e në të ardhmen dhe për këtë dëshmojnë solemnisht dëshmitarët e të zgjedhurit e Perëndisë, po, të gjithë e secili prej Nesh.

166

Sillni ndërmend sheikun që e kishte emrin Muḥammad-Ḥasan], i cili radhitej ndër teologët më të ditur të kohës së tij. Kur i Vërteti u shfaq, ky sheik, bashkë me të tjerë të zanatit të tij, E refuzoi Atë, ndërsa një sitës gruri e elbi E pranoi dhe u kthye ndaj Zotit. Edhe pse merrej ditë e natë me shtjellimin e atyre që i konceptonte si ligje e porosi të Perëndisë, por kur Ai Që është i Padetyruari u shfaq, asnjë germë e tyre nuk i vlejti, ndryshe ai nuk do t’i kish kthyer shpinën një Fytyre që ka ndriçuar zemrat e të shumëdashurve të Zotit. Po të kishit besuar në Perëndinë kur Ai e shfaqi Veten, njerëzit nuk do t’i kishin kthyer shpinën Atij dhe as gjërat që shohim sot nuk do të Na kishin ndodhur. Druajuni Perëndisë dhe mos jini ndër të shkujdesurit.

167

Kini mendjen që ndonjë emër të mos ju mbajë larg Atij Që është Zotëruesi i të gjithë emrave, ose që ndonjë fjalë t’ju ndajë prej kësaj Kujtese të Perëndisë, këtij Burimi Urtie midis jush. Kthehuni ndaj Perëndisë dhe kërkoni mbrojtjen e Tij, o turmë teologësh, dhe mos e bëni veten tuaj një perde në mes Meje dhe krijesave të Mia. Kështu ju këshillon Zoti juaj dhe ju porosit të jeni të drejtë, që bëmat tuaja të mos shkojnë kot dhe ju vetë të mos harroni premtimin tuaj. A do të jetë në gjendje ai që e mohon këtë Kauzë të provojë të vërtetën e çfarëdo kauze në gjithë krijimin? Jo, për Atë Që është Artuesi i gjithësisë! E megjithatë njerëzit janë të mbështjellë me një perde të prekshme. Thuaj: Përmes kësaj Kauze ka aguar dielli i dëshmisë dhe ylli i provës ka përhapur rrezatimin e tij mbi të gjithë ata që banojnë mbi tokë. Druajuni Perëndisë, o njerëz me intuitë, dhe mos jini ndër ata që nuk besojnë tek Unë. Kini mendjen që fjala “Profet” të mos ju largojë nga ky Lajm Më i Madh, ose që çdo referim ndaj “Mëkëmbësisë” të mos ju ndalojë të njihni sovranitetin e Atij Që është Mëkëmbësi i Perëndisë, sovranitet që përfshin të gjitha botët. Çdo emër është krijuar nga Fjala e Tij dhe çdo kauzë varet prej Kauzës së Tij të pamposhtur, të fuqishme e të mahnitshme. Thuaj: Kjo është Dita e Perëndisë, Dita në të cilën asgjë nuk do të përmendet veç Vetes së Tij, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm të të gjitha botëve. Kjo është Kauza që ka bërë të dridhen të gjitha bestytnitë e idhujt tuaj.

168

Me të vërtetë, shohim midis jush atë që është kapur pas Librit të Perëndisë dhe citon prej tij prova e argumente për të mohuar Zotin e tij, po ashtu si pasuesit e çdo Besimi tjetër kanë kërkuar arsye në Librat e Shenjtë të tyre për të mohuar Atë Që është Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi. Thuaj: Perëndia i Vërtetë Që është Një i Vetëm, më është dëshmitar se, në këtë Ditë, as Shkrimet e botës, as të gjithë librat e shkrimet që ekzistojnë, nuk do t’ju sjellin ndonjë dobi pa këtë, që është Libri i Gjallë, Që mu në vetë zemrën e krijimit shpall: “Me të vërtetë, s’ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit”.

169

O turmë teologësh! Kini mendjen që të mos jeni shkak grindjesh mbi tokë, ashtu siç ishit shkaku i refuzimit të Besimit në kohët e tij të hershme. Mblidhini njerëzit rreth kësaj Fjale, që i ka bërë gurët të thërrasin: “Mbretëria është e Perëndisë, Vendagim i të gjitha shenjave!” Kështu ju paralajmëron Zoti juaj, si shenjë zemërgjerësie nga ana e Tij; Ai, me të vërtetë, është Gjithmonëfalësi, Më Fisniku.

170

Sillni ndërmend Karím·in dhe sesi, kur Ne e thirrëm atë para Perëndisë, ai, i shtyrë nga dëshirat e tij, u bë mospërfillës; e pra, Ne i patëm dërguar atij atë që ishte një ngushëllim për syrin e provës në botën e qenies dhe përmbushje e dëshmisë së Perëndisë për të gjithë banorët e tokës e të qiellit. Në shenjë mëshire të Atij Që është Zotëruesi i Gjithçkaje, Më i Larti, Ne e urdhëruam atë të përqafonte të Vërtetën. Por ai u largua derisa, si një akt drejtësie nga ana e Perëndisë, engjëjt e zemërimit e pushtuan. Për këtë Ne ishim me të vërtetë dëshmitar.

171

Grisini perdet në mënyrë të tillë që banorët e Mbretërisë t’i dëgjojnë të çahen. Ky është urdhëri i Perëndisë, në kohët e shkuara dhe për ato që do të vinë. Lum njeriu që i përmbahet asaj që i është urdhëruar dhe mjerë moskokëçarësi.

172

Ne, të jeni të sigurt, nuk kemi pasur ndonjë synim në këtë mbretëri tokësore, veçse të shfaqnim Perëndinë dhe të revelonim sovranitetin e Tij; Mua më mjafton që Perëndia më është dëshmitar. Ne, të jeni të sigurt, nuk kemi pasur ndonjë synim në Mbretërinë qiellore, veçse të lartësonim Kauzën e Tij dhe t’i thurnim lavdi Atij; Mua më mjafton që kam mbrojtjen e Perëndisë. Ne, të jeni të sigurt, nuk kemi pasur ndonjë dëshirë në Zotërimin qiellor, veçse të lëvdonim Perëndinë dhe atë që Ai ka dërguar këtu; Mua më mjafton që kam ndihmën e Perëndisë.

173

Lum ju, o njerëz të ditur të Bahá-it. Për Zotin! Ju jeni tallazet e Oqeanit Më të Fuqishëm, yjet e qiellit të Lavdisë, flamujt e triumfit, që valëviten midis tokës e qiellit. Ju jeni manifestimet e vendosmërisë midis njerëzve dhe Agimet e Fjalës Hyjnore për të gjithë ata që banojnë mbi tokë. Lum ai që e kthen fytyrën ndaj jush dhe mjerë kokëfortët. Në këtë ditë i takon atij që ka shijuar Verën Mistike të jetës së pasosur nga Duart e dashamirësisë së Zotit Perëndisë së tij, të Mëshirshmit, të pulsojë ashtu si arteria në trupin e njerëzimit, që përmes tij të gjallërohet bota dhe çdo eshtër e thërrmuar.

174

O popuj të botës! Kur Pëllumbi Mistik të ketë nisur fluturimin e tij nga Altari i Lavdisë dhe të ketë arritur synimin e tij të largët, banesën e tij të fshehtë, për çdo gjë që nuk kuptoni në Librin drejtojuni Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm.

175

O Pendë e Më të Lartit! Lëviz Ti mbi Tabelë me urdhër të Zotit Tënd, Krijues i Qiejve, dhe trego për kohën kur Ai Që është Agimi i Unitetit Hyjnor vuri si qëllim të drejtojë hapat e Tij ndaj Shkollës së Njëshmërisë së Përkryer; ndoshta ata që kanë zemër të dëlirë mund të hedhin falë kësaj një vështrim, qoftë edhe sa një vrimë gjilpëre, në misteret e Zotit Tënd, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit, që rrinë të fshehura pas perdeve. Thuaj: Ne, me të vërtetë, hymë në Shkollën e domethënies së brendshme e të shpjegimit, kur të gjitha gjërat e krijuara ishin të pavetëdijshme. Ne pamë fjalët e dërguara prej Atij Që është Mëshirëploti, dhe i pranuam vargjet e Perëndisë, të Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit, që Ai Na parashtroi, dhe i vumë veshin asaj që Ai kishte pohuar solemnisht në Tabelë. Këtë ne me siguri e pamë. Dhe e miratuam dëshirën e Tij përmes urdhërit Tonë, sepse Ne me të vërtetë kemi pushtet të urdhërojmë.

176

O njerëz të Bayán·it! Ne, me të vërtetë, hymë në Shkollën e Perëndisë kur ju dremitnit; dhe e studiuam Tabelën ndërkohë që ju ishit në gjumë të rëndë. Për Perëndinë e vërtetë Që është Një! Ne e lexuam Tabelën para se ajo të revelohej, në një kohë që ju nuk dinit gjë për këtë, dhe kishim dijeni të plotë për Librin kur ju ende nuk kishit lindur. Këto fjalë janë për përmasat tuaja, jo të Perëndisë. Për këtë dëshmon ajo që ruhet në thesarin e dijes së Tij, në qofshi ndër ata që kuptojnë; dhe për këtë dëshmon gjuha e Fuqiplotit, në qofshi ndër ata që marrin vesh. Betohem për Perëndi, sikur Ne ta ngrinim perden, ju do të mbeteshit të befasuar.

177

Kini mendjen, mos u hani më kot lidhur me Fuqiplotin e Kauzën e Tij, sepse ja! Ai është shfaqur midis jush i veshur me një Revelacion aq të madh saqë përfshin të gjitha gjërat, të së kaluarës e të së ardhmes qofshin. Sikur Ne ta shtjellonim temën Tonë duke folur në gjuhën e banorëve të Mbretërisë, do të thoshnim: “Në të vërtetë, Perëndia e krijoi atë Shkollë para se Ai të krijonte qiellin e tokën, dhe Ne kemi hyrë në të para se shkronjat L, T dhe B të bashkoheshin e të gërsheto¬heshin”. E tillë është gjuha e shërbëtorëve Tanë në Mbretërinë Tonë; kini parasysh se çfarë do të fliste gjuha e banorëve të Zotërimit Tonë të lavdëruar, sepse Ne u kemi mësuar atyre dijen Tonë dhe u kemi reveluar çdo gjë që rrinte e fshehur në urtinë e Perëndisë. Pa mendoni, pra, çfarë do të fliste Gjuha e Fuqisë dhe e Madhështisë në Banesën e Tij Lavdiplotë!

178

Kjo nuk është një Kauzë që mund të bëhet lojë e fantazive tuaja të kota, dhe as është një fushë për të marrët e frikamanët. Për Perëndi, kjo është arena e intuitës dhe e shkëputjes, e vizionit dhe e ndërtimit, ku askush nuk mund ta lëshojë kalin revan, veç kalorësve të guximshëm të të Mëshirshmit, që kanë prerë çdo lidhje me botën e qenies. Me të vërtetë janë këta që e bëjnë Perëndinë fitimtar mbi tokë, ata janë vendagimet e fuqisë së Tij sovrane midis njerëzimit.

179

Kini mendjen se mos ajo që është reveluar në Bayán·in ju largon nga Zoti juaj, Më Zemërdhembshuri. Perëndia më është dëshmitar se Bayán·i është dërguar për të vetmin qëllim që të më thurë lavde Mua, veç ta dinit! Zemërdëlirët do të gjejnë në të vetëm aromën e dashurisë Sime, vetëm Emrin Tim që mbulon me hijen e tij çdo gjë që sheh e shihet. Thuaj: Kthejeni, o njerëz, fytyrën ndaj asaj që ka buruar prej Pendës Sime të Shumëlavdëruar. Po të thithni që andej aromën e Perëndisë, mos e vini veten kundër Tij, as mos i mohoni vetvetes një pjesë të favorit të Tij dashamirës e të dhuratave të Tij të shumta. Kështu ju paralajmëron Zoti juaj; Ai, me të vërtetë, është Këshilluesi, i Gjithëdijshmi.

180

Për çdo gjë që nuk kuptoni në Bayán·in, pyetni Perëndinë, Zotin tuaj dhe Zotin e stërgjyshërve tuaj. Në dashtë, Ai do t’ju shpjegojë atë që është reveluar në të, dhe do t’ju zbulojë margaritarët e dijes e të urtisë Hyjnore që fshihen në oqeanin e fjalëve të tij. Ai, me të vërtetë, është më i larti ndër të gjithë emrat; nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.

181

Drejtpeshimi botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi të pashoq, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sy të vdekshëm kurrë s’kanë parë.

182

Zhytuni në oqeanin e fjalëve të Mia, që të gjeni sekretet e tij dhe të zbuloni të gjithë margaritarët e urtisë që fshihen në thellësitë e tij. Kujdes të mos ngurroni në vendosmërinë tuaj për të përqafuar të vërtetën e kësaj Kauze, një Kauzë përmes së cilës potencialet e fuqisë së Perëndisë janë reveluar e është vendosur sovraniteti i Tij. Me fytyrat që ju shkëlqejnë nga gëzimi, nxitoni tek Ai. Ky është Besimi i pandryshueshëm i Perëndisë, i përjetshëm në të shkuarën, i përjetshëm në të ardhmen. Bëj që kush e kërkon ta arrijë atë; dhe sa për atë që ka refuzuar ta kërkojë, Perëndia është me të vërtetë i Vetëmjaftueshëm, mbi çdo nevojë të krijesave të Tij.

183

Thuaj: Kjo është Peshorja e pagabueshme që e mban Dora e Perëndisë, me të cilën të gjithë ata që janë në qiell dhe të gjithë ata që janë mbi tokë peshohen e përcaktohet fati i tyre, në qofshi ndër ata që e besojnë dhe e njohin këtë të vërtetë. Thuaj: Kjo është Dëshmia Më e Madhe, përmes së cilës është treguar në të gjitha kohët vlera e çdo prove, sikur të ishit të sigurt për këtë. Thuaj: përmes saj të varfërit janë pasuruar, të diturit janë ndriçuar dhe kërkuesit kanë mundur të ngjiten në prani të Perëndisë. Kini mendjen mos e bëni atë shkak mosmarrëveshjeje në mes jush. Qëndroni të patundur, si male të palëvizshme, në kauzën e Zotit tuaj, të Fuqishmit, Dashuruesit.

184

Thuaj: O burim zvetënimi! Hiq dorë nga verbëria jote kryeneçe dhe fol të vërtetën midis njerëzve. Betohem për Perëndi se kam qarë për ty, duke të parë të rendësh pas pasioneve të tua egoiste dhe të mohosh Atë Që të ka artuar e të ka sjellë në jetë. Sill ndërmend mëshirën e dhembshur të Zotit tënd dhe kujto sesi të kemi ushqyer ditë e natë për t’i shërbyer Kauzës. Druaju Perëndisë dhe ji ndër të penduarit e vërtetë. Duke pranuar se njerëzit ishin të çoroditur lidhur me pozitën tënde, a mund të mendohet se edhe ti vetë ke qënë po ashtu i çoroditur? Dridhu para Zotit tënd dhe kujto ditët kur ti qëndroje para fronit Tonë dhe shkruaje vargjet që Ne të diktonim, vargje të dërguara nga Perëndia, Mbrojtësi i Gjithëfuqishëm, Zoti i fuqisë e i pushtetit. Ki mendjen se mos zjarri i fodullëkut tënd të ndalon të hysh në Oborrin e Shenjtë të Perëndisë. Ktheje fytyrën ndaj Tij dhe mos ki frikë për shkak të bëmave tuaja. Ai, me të vërtetë, fal cilindo që dëshiron, si shenjë zemërgjerësie nga ana e Tij; nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Gjithmonëfalësit, Bujariplotit. Ne të qortojmë vetëm për hir të Perëndisë. Po ta pranosh këtë këshillë, do të veprosh për të mirën tënde; po ta refuzosh atë, Zoti yt, në të vërtetë, mund të bëjë fare mirë pa ty dhe pa të gjithë ata që, krejt të mashtruar, të kanë ndjekur ty. Shiko! Perëndia e ka mbërthyer atë që të çoi ty në rrugë të shtrembër. Kthehu te Perëndia, i përvuajtur, i nënshtruar e kokëulur; me të vërtetë, Ai do të t’i falë mëkatet, sepse Zoti yt, me siguri, është Falësi, i Fuqishmi, Mëshirëploti.

185

Kjo është këshilla e Perëndisë; veç të mund t’i vije veshin asaj! Kjo është bujaria e Perëndisë; veç të mund ta merrje atë! Kjo është fjala e Perëndisë; veç të mund ta kapje atë! Ky është thesari i Perëndisë; sikur ti të mund të kuptoje!

186

Ky është një Libër që është bërë Llamba e të Përjetshmit për botën dhe Shtegu i drejtë, i pagabueshëm midis popujve të tokës. Thuaj: Ky është Agimi i dijes Hyjnore, në qofshi ndër ata që kuptojnë, dhe Vendagimi i porosive të Perëndisë, në qofshi ndër ata që marrin vesh.

187

Mos e ngarko kafshën më shumë nga ç’ mund të mbajë. Ne, me të vërtetë, e kemi ndaluar në Libër një trajtim të tillë me anë të një ndalimi tepër detyrues. Jini mishërime të drejtësisë e të ndershmërisë midis gjithë krijesave.

188

Sikur dikush pa dashje t’i marrë jetën një tjetri, ai duhet t’i paguajë familjes së të ndjerit një dëmshpërblim prej njëqind mithqálësh ar. Zbatojeni atë që ju është ngarkuar në këtë Tabelë dhe mos jini ndër ata që i kapërcejnë kufijt e saj.

189

O anëtarë të parlamenteve në mbarë botën! Zgjidhni një gjuhë të vetme për përdorim në mbarë botën dhe adoptoni gjithashtu një shkrim të përbashkët. Perëndia, me të vërtetë, jua bën të qartë atë që ju sjell dobi dhe ju bën të aftë të jeni të pavarur nga të tjerët. Ai, me të vërtetë, është Më Zemërgjeri, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Kjo do të sjellë unitet, veç ta kuptonit këtë, dhe do të jetë mjeti më i madh për të zhvilluar harmoninë e qytetërimin, veç të mund ta merrnit vesh. Ne kemi caktuar dy shenja të arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore: të parën, që është themeli më i shëndoshë, e kemi shkruar në një tjetër prej Tabelave Tona, ndërsa e dyta është reveluar në këtë Libër të mrekullueshëm.

190

Ju ndalohet të pini opium. Ne, me të vërtetë, e kemi ndaluar këtë në Libër me anë të një ndalimi tepër detyrues. Nëse ndonjëri e përdor atë, ai sigurisht nuk është nga të Mitë. Druajuni Perëndisë, o ju që jeni të pajisur me arsye!

Questions And Answers

1

PYETJE: Lidhur me Festën Më të Madhe.

PËRGJIGJE: Festa Më e Madhe fillon pasdite vonë të ditës së trembëdhjetë të muajit të dytë të vitit sipas Bayán·it. Në ditën e parë, të nëntë e të dymbëdhjetë të kësaj feste, puna është e ndaluar.

2

PYETJE: Lidhur me Festën e Ditëlindjeve Binjake.

PËRGJIGJE: Lindja e Bukurisë Abhá ndodhi në agim të ditës së dytë të muajit të Muḥarram, dita e parë e të cilit shënon Lindjen e Lajmëtarit të Tij. Në sytë e Perëndisë këto dy ditë shihen si një e vetme.

3

PYETJE: Lidhur me Vargjet e Martesës.

PËRGJIGJE: Për burrat: “Ne të gjithë, me të vërtetë, do t’i bindemi vullnetit të Perëndisë”. Për gratë: “Ne të gjitha, me të vërtetë, do t’i bindemi vullnetit të Perëndisë”.

4

PYETJE: Po qe se një burrë niset për udhëtim pa caktuar ndonjë kohë për kthimin e tij, me fjalë të tjera për periudhën që parashikohet të mungojë – dhe po qe se pas kësaj nuk dëgjohet ndonjë fjalë për të e humbet çdo gjurmë e tij, si duhet të veprojë e shoqja?

PËRGJIGJE: Po qe se ai ka lënë pa caktuar ndonjë datë për kthimin e tij, edhe duke qenë në dijeni të kushtit që vihet në Kitáb-i-Aqdas për këtë çështje, e shoqja duhet të presë plot një vit dhe pas kësaj do të jetë e lirë ose të mbajë qëndrimin e lavdërueshëm ose të marrë një burrë tjetër. Por në qoftë se ai nuk ka qenë në dijeni të këtij kushti, ajo duhet të presë me durim derisa Perëndisë t’i pëlqejë të zbulojë para saj fatin e të shoqit. Me qëndrim të lavdërueshëm për këtë nënkuptohet të pasurit durim.

5

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Kur dëgjuam britmën e fëmijëve ende të palindur, Ne e dyfishuam pjesën e tyre dhe e pakësuam atë të të tjerëve”.

PËRGJIGJE: Sipas Librit të Perëndisë, pasuria e të ndjerit ndahet në .520 njësi, numër që është shumëfishi më i vogël i përbashkët i të gjithë numrave të plotë deri në nëntë, dhe këto njësi ndahen pastaj në shtatë pjesë, çdonjëra prej të cilave i caktohet, siç përmendet në Librin, një kategorie të veçantë trashëgimtarësh. Fëmijëve, për shembull, u janë caktuar nëntë bloqe prej 60 njësish, që bëjnë gjithsej 540 njësi. Domethënia e frazës “Ne e dyfishuam pjesën e tyre” është, pra, që fëmijët marrin edhe nëntë bloqe të tjera prej 60 njësish, duke u dhënë të drejtën të marrin gjithsej 18 bloqe. Njësitë shtesë që ata marrin zbriten nga pjesët e kategorive të tjera të trashëgimtarëve, kështu që, edhe pse thuhet, për shembull, se së shoqes i jepen “tetë pjesë që përbëjnë katërqind e tetëdhjetë njësi”, që është e barabartë me tetë bloqe prej 60 njësish gjithsej, tani, falë këtij regullimi të ri, një blok e gjysmë njësish, gjithsej 90 njësi, janë zbritur nga pjesa e së shoqes dhe u janë dhënë fëmijëve, dhe po kështu për gjithë të tjerët. Përfundimi është se shuma e përgjithshme e zbritur është e barabartë me nëntë bloqet shtesë të njësive që u jepen fëmijëve.

6

PYETJE: A është e nevojshme që vëllai, për të pasur pjesë në trashëgim, të rrjedhë edhe nga babai edhe nga nëna e të ndjerit, apo është e mjaftueshme të ketë të përbashkët vetëm njërin prej prindërve?

PËRGJIGJE: Në qoftë se ai rrjedh nga babai, do të marrë pjesën e tij të trashëgimit në përmasën që përmbahet në Librin; por në qoftë se ai rrjedh nga nëna, do të marrë vetëm dy të tretat e asaj që përcaktohet, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Ky rregull është i zbatueshëm edhe për motrën.

7

PYETJE: Ndër ato që thuhen për trashëgiminë, është shkruar që po qe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa e pasurisë që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Në rastin që edhe kategoritë e tjera të trashëgimtarëve, si babai, nëna, vëllai, motra e mësuesi, gjithashtu mungojnë, pjesët e tyre të trashëgimit i kalojnë edhe ato Shtëpisë së Drejtësisë, apo shpërndahen në ndonjë mënyrë tjetër?

PËRGJIGJE: Vargu i shenjtë e përmbush kërkesën. Ai thotë, lëvduar qoftë Fjala e Tij: “Poqe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” etj. dhe “Po qe se i ndjeri lë fëmijë, por nuk lë asnjë nga të kategorive të tjera të trashëgimtarëve që janë specifikuar në Librin, ata (fëmijët) do të marrin dy të tretat e trashëgimit, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” etj. Me fjalë të tjera, kur nuk ka fëmijë, pjesa e trashëgimisë që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë; dhe kur ka fëmijë por mungojnë kategoritë e tjera të trashëgimtarëve, dy të tretat e trashëgimit u kalojnë fëmijëve, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Ky rregull ka si zbatime të përgjithshme dhe të posaçme, domethënë se kurdoherë që ndonjë kategori e kësaj klase të fundit trashëgimtarësh mungon, dy të tretat e trashëgimit të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

8

PYETJE: Lidhur me shumën bazë për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh.

PËRGJIGJE: Shuma bazë për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh është nëntëmbëdhjetë mithqálë ar. Me fjalë të tjera, kur është fituar një shumë parash që i përgjigjet kësaj vlere, duhet paguar Ḥuqúqu’lláh. Po kështu, Hukuk paguhet kur vlera, jo numri, i formave të tjera të pronës arrin shumën e caktuar. Ḥuqúqu’lláh-u paguhet jo më shumë se një herë. Një person, për shembull, që fiton njëmijë mithqálë ar dhe paguan Hukuk-un nuk është i detyruar të bëjë më tej një pagesë të tillë për këtë shumë, por vetëm për atë që i shtohet asaj përmes tregtisë, zejeve e të tjera si këto. Kur kjo shtesë, pra fitimi që realizohet, arrin shumën e caktuar, njeriu duhet të bëjë atë që ka urdhëruar Perëndia. Vetëm kur krerët kalojnë në duar të tjera, i nënshtrohen edhe një herë pagimit të Hukuk-ut, si për herë të parë. Pika Parësore ka urdhëruar që Ḥuqúqu’lláh-u duhet paguar për çdo lloj pasurie që zotëron njeriu; por, në këtë Dispensacion Shumë të Fuqishëm, Ne i kemi përjashtuar orenditë shtëpiake, dmth ato orendi që janë të nevojshme, dhe vetë banesën.

9

PYETJE: Çfarë duhet të ketë përparësi: Ḥuqúqu’lláh-u, borxhet e të ndjerit apo shpenzimet e funeralit e të varrimit?

PËRGJIGJE: Funerali dhe varrimi kanë përparësi, pastaj vjen rregullimi i borxheve, dhe pastaj pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut. Po qe se pasuria e të ndjerit është e pamjaftueshme të mbulojë borxhet e tij, pjesa që mbetet nga prona e tij duhet të ndahet midis këtyre borxheve në përpjesëtim me madhësinë e tyre.

10

PYETJE: Rruarja e kokës është e ndaluar në Kitáb-i-Aqdas·in, por është urdhëruar në Súriy-i- Ḥajj.

PËRGJIGJE: Të gjithë e kanë për detyrë t’i binden Kitáb-i-Aqdas·it; çdo gjë e reveluar aty është Ligji i Perëndisë midis shërbëtorëve të Tij. Detyrimi që haxhilerët që shkojnë te Shtëpia e shenjtë duhet të rruajnë kokën është hequr.

11

PYETJE: Në rast se midis një çifti kryhen marrëdhënie intime gjatë vitit të tyre të durimit dhe pastaj ata përsëri largohen nga njëri-tjetri, a duhet ata ta rifillojnë vitin e tyre të durimit, apo ditët para këtyre marrëdhënieve intime përfshihen në llogaritjen e vitit? Dhe pasi është bërë shkurorëzimi, a është e nevojshme të ketë një periudhë të mëtejshme pritjeje?

PËRGJIGJE: Po qe se dashuria midis çiftit përtërihet gjatë vitit të tyre të durimit, lidhja martesore është në fuqi dhe duhet zbatuar ajo që urdhërohet në Librin e Perëndisë; por pasi është mbushur viti i durimit dhe ka ndodhur ajo që është dekretuar nga Perëndia, nuk kërkohet një periudhë e mëtejshme pritjeje. Gjatë vitit të durimit marrëdhëniet seksuale midis burrit e së shoqes janë të ndaluara dhe ai që e kryen këtë akt duhet të kërkojë ndjesë nga Perëndia e, si dënim, t’i paguajë Shtëpisë së Drejtësisë një gjobë prej nëntëmbëdhjetë mithqálësh ar.

12

PYETJE: Në rast se midis një çifti lind antipati pasi janë lexuar Vargjet e Martesës dhe është paguar prika, a mund të bëhet shkurorëzimi pa zbatimin e vitit të durimit?

PËRGJIGJE: Shkurorëzimi mund të kërkohet në mënyrë të ligjshme pas leximit të Vargjeve të Martesës dhe pagimit të prikës, por para se martesa të jetë konsumuar. Në këto rrethana nuk është nevoja të zbatohet viti i durimit, por rikthimi i pagesës së prikës nuk lejohet.

13

PYETJE: A është pëlqimi i prindërve nga të dyja palët një kërkesë e domosdoshme për martesën, apo është i mjaftueshëm pëlqimi i prindërve vetëm nga njëra palë? Ky ligj është i zbatueshëm vetëm për virgjëreshat apo edhe për të tjerat?

PËRGJIGJE: Martesa është e kushtëzuar nga pëlqimi për martesën i prindërve nga të dyja palët dhe lidhur me këtë nuk bëhet dallim nëse nusja është e virgjër ose jo.

14

PYETJE: Besimtarëve u është urdhëruar ta kthejnë fytyrën ndaj Kiblës kur thonë Lutjet e Detyrueshme; nga duhet të kthehen ata kur bëjnë lutje e devocione të tjera?

PËRGJIGJE: Kthimi i fytyrës ndaj Kiblës është një kërkesë e posaçme për thënien e lutjes së detyrueshme, ndërsa për lutje e devocione të tjera njeriu mund të ndjekë atë që Zoti i mëshirshëm ka reveluar në Kuran: “Ngado që të ktheheni, është fytyra e Perëndisë”.

15

PYETJE: Lidhur me kujtimin e Perëndisë në Mashrikul Azkar “në agim”.

PËRGJIGJE: Edhe pse fjalët “në agim” përdoren në Librin e Perëndisë, për Perëndinë është e pranue-shme në zbardhjen e agimit, midis agimit dhe lindjes së diellit, ose edhe deri në dy orë pas lindjes së diellit.

16

PYETJE: A është porosia që trupi i të vdekurit të mos çohet më larg se një orë rrugë si për bartjen në tokë dhe në det?

PËRGJIGJE: Kjo porosi ka të bëjë si me distancat në det dhe në tokë, qoftë kjo një orë larg me avullore ose me tren; synimi është një orë kohë, cilido qoftë mjeti i transportit. Sidoqoftë, sa më parë të bëhet varrimi, aq më e përshtatshme dhe e pranueshme është kjo.

17

PYETJE: Çfarë procedure duhet ndjekur kur gjenden sende të humbura?

PËRGJIGJE: Në qoftë se një send i tillë gjendet në qytet, gjetja e tij duhet lajmëruar një herë nga tellalli i qytetit. Në qoftë se pas kësaj pronari i sendit gjendet, sendi duhet t’i kthehet atij. Përndryshe, ai që e ka gjetur sendin duhet të presë një vit dhe, në qoftë se gjatë kësaj periudhe del në dritë pronari, gjetësi duhet të marrë prej tij pagesën e tellallit dhe t’i kthejë sendin e gjetur; vetëm në qoftë se kalon viti pa u gjendur pronari i sendit, ai që e ka gjetur atë mund ta mbajë për vete. Në qoftë se vlera e sendit të gjetur është më pak ose e barabartë me pagesën e tellallit, ai që e ka gjetur duhet të presë vetëm një ditë nga koha e gjetjes së sendit dhe pasi kalon ky afat, në qoftë se pronari nuk zbulohet, ta mbajë për vete sendin e gjetur; kurse në rastin e një sendi të gjetur në një zonë të pabanuar, gjetësi duhet të presë tri ditë dhe me kalimin e kësaj kohe, në qoftë se pronari mbetet i panjohur, është i lirë ta mbajë për vete atë që ka gjetur.

18

PYETJE: Përsa i përket avdesit: në qoftë se, për shembull, një person sapo ka larë gjithë trupin, a duhet ai megjithatë të marrë avdes?

PËRGJIGJE: Porosia përsa i përket avdesit duhet gjithsesi të zbatohet.

19

PYETJE: Në qoftë se një person ka në plan të emigrojë nga vendi i tij dhe e shoqja është kundër e mospajtimi përfundon në shkurorëzim, dhe në qoftë se përgatitjet për udhëtimin zgjasin më shumë se një vit, a mund të llogaritet kjo periudhë si një vit durimi, apo si fillim i këtij viti durimi duhet marrë dita që çifti ndahet?

PËRGJIGJE: Pikënisja për llogaritjen është dita që çifti ndahet, dhe në qoftë se ata janë ndarë një vit para nisjes së burrit dhe midis tyre nuk ka rilindur aroma e dashurisë, shkurorëzimi mund të bëhet. Përndryshe viti duhet llogaritur nga dita e nisjes së tij dhe kushtet e shpallura në Kitáb-i-Aqdas duhen zbatuar.

20

PYETJE: Për moshën e pjekurisë ndaj detyrimeve fetare.

PËRGJIGJE: Mosha e pjekurisë është pesëmbëdhjetë vjeç si për burrat dhe për gratë.

21

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë “Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni ... një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë...”

PËRGJIGJE: Kjo përkulje është si shpërblim për lutjen e detyrueshme të pabërë gjatë udhëtimit dhe për shkak rrethanash të pasigurta. Në rast se në kohën e lutjes udhëtari gjendet i qetë në një vend të sigurt, ai duhet ta bëjë lutjen. Kjo porosi lidhur me përkuljen si shpërblim për lutjen vlen qoftë në shtëpi dhe në një udhëtim.

22

PYETJE: Lidhur me përkufizimin e udhëtimit.

PËRGJIGJE: Përkufizimi i një udhëtimi është nëntë orë sipas sahatit. Në qoftë se udhëtari ndalet në ndonjë vend, duke parashikuar të qëndrojë aty jo më pak se një muaj sipas llogaritjes së Bayán·it, ai është i detyruar ta mbajë Agjërimin; por në qoftë se qëndron më pak se një muaj, nuk është i detyruar të agjërojë. Në qoftë se në kohën e Agjërimit ai arrin në një vend ku do të qëndrojë një muaj sipas Bayán·it, atij nuk do t’i duhet të mbajë Agjërimin derisa të kalojnë tri ditë, duke e zbatuar atë pastaj gjatë gjithë kohës që ky vazhdon; por në qoftë se arrin në shtëpinë e vet, ku kishte pasur vendbanimin e tij të përhershëm, ai duhet ta fillojë agjërimin që të nesërmen e arritjes.

23

PYETJE: Lidhur me ndëshkimin për ata ose ato që kryejnë marrëdhënie intime jashtë kurore.

PËRGJIGJE: Për shkeljen e parë duhen paguar nëntë mithqálë, për të dytën tetëmbëdhjetë, për të tretën tridhjetë e gjashtë e kështu me radhë, duke qenë çdo gjobë dyfishi i së mëparshmes. Pesha e një mithqáli është e barabartë me nëntëmbëdhjetë nakhud·ë në pajtim me përcaktimin e Bayán·it.

24

PYETJE: Lidhur me gjuetinë.

PËRGJIGJE: Ai thotë, lëvduar qoftë Ai: “Në qoftë se gjuani me kafshë ose shpendë grabitqarë” etj. Përfshihen edhe mjete të tjera, si harqe e shigjeta, pushkë dhe pajisje të ngjashme që përdoren për gjueti. Por po qe se përdoren çarqe e leqe, është e paligjshme të hahet gjahu që ngordh para se të kapet.

25

PYETJE: Lidhur me haxhillëkun.

PËRGJIGJE: Është një detyrim të shkosh në haxhillëk në njërën prej dy Shtëpive të shenjta; por në cilën prej tyre, i takon atij që bën haxhillëk të vendosë.

26

PYETJE: Lidhur me prikën.

PËRGJIGJE: Përsa i përket prikës, domethënia që të kënaqet me shifrën më të ulët është nëntëmbëdhjetë mithqálë argjend.

27

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Por, në rast se i vjen lajm për vdekjen ... e të shoqit” etj.

PËRGJIGJE: Përsa i përket të presë sa “të jetë plotësuar numri i caktuar i muajve”, me këtë kuptohet një periudhë prej nëntë muajsh.

28

PYETJE: Është bërë një pyetje tjetër lidhur me pjesën e trashëgimit që i takon mësuesit.

PËRGJIGJE: Po qe se mësuesi ka ndërruar jetë, një e treta e pjesës së tij të trashëgimit i kalon Shtëpisë së Drejtësisë dhe dy të tretat që mbeten i kalojnë fëmijëve të të ndjerit e jo fëmijëve të mësuesit.

29

PYETJE: Është bërë një pyetje tjetër lidhur me haxhillëkun.

PËRGJIGJE: Me haxhillëk në Shtëpinë e shenjtë, që u është vënë si detyrim njerëzve, nënkuptohet qoftë Shtëpia Më e Madhe në Bagdad, ashtu dhe Shtëpia e Pikës Parësore në Shiraz; një haxhillëk në njërën prej dy Shtëpive është i mjaftueshëm. Ata mund të shkojnë në haxhillëk në atë prej tyre që është më afër vendit ku jetojnë.

30

PYETJE: Lidhur me vargun: “dhe kush dëshiron të marrë në shërbim një shërbëtore, mund ta bëjë këtë në mënyrë të përshtatshme”.

PËRGJIGJE: Kjo vlen vetëm për shërbimet e kryera në shkëmbim të një page, si për çdo lloj tjetër shërbëtorësh, të rinj a të vjetër qofshin; një shërbëtore e tillë është e lirë të zgjedhë një bashkëshort kurdo që t’i pëlqejë, sepse është e ndaluar si që gratë të blihen dhe që një burrë të ketë më shumë se dy gra.

31

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Zoti... e ka ndaluar zakonin që ju ndiqnit më parë kur e ndanit tri herë një grua”.

PËRGJIGJE: Kjo i referohet ligjit që në të kaluarën kërkonte që një burrë tjetër të martohej me atë grua para se ajo të mund të rimartohej me burrin e mëparshëm; ky zakon është ndaluar në Kitáb-i-Aqdas.

32

PYETJE: Lidhur me restaurimin dhe ruajtjen e të dy Shtëpive në dy vendet binjake, si dhe në vendet e tjera ku është vendosur froni.

PËRGJIGJE: Me dy Shtëpitë nënkuptohen Shtëpia Më e Madhe dhe Shtëpia e Pikës Parësore. Përsa u përket vendndodhjeve të tjera, njerëzit e zonës ku janë këto mund të zgjedhin që të ruajnë çdo shtëpi në të cilën është vendosur froni ose vetëm njërën prej tyre.

33

PYETJE: Është bërë edhe një pyetje tjetër për trashëgiminë e mësuesit.

PËRGJIGJE: Po qe se mësuesi nuk është nga njerëzit e Bahá-it, ai nuk trashëgon. Në qoftë se ka disa mësues, kuota e tyre duhet ndarë në pjesë të barabarta. Në rast se mësuesi ka vdekur, fëmijët e tij nuk e trashëgojnë pjesën e tij, madje dy të tretat e kësaj pjese u kalojnë fëmijëve të pronarit të pasurisë dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

34

PYETJE: Lidhur me banesën që u është caktuar vetëm pasardhësve meshkuj.

PËRGJIGJE: Në qoftë se ka disa banesa, nënkuptohet ajo më e bukura e më fisnikja, të tjerat ndahen midis të gjithë trashëgimtarëve, si dhe çdo lloj tjetër prone. Çdo trashëgimtar, i cilësdo kategorie trashëgimtarësh qoftë, që është jashtë Besimit të Perëndisë, konsiderohet se nuk ekziston dhe nuk trashëgon.

35

PYETJE: Lidhur me Novruzin.

PËRGJIGJE: Festa e Novruzit bie në ditën kur dielli hyn në shenjën e Dashit, edhe sikur kjo të ndodhë vetëm për jo më shumë se një minutë para perëndimit të diellit.

36

PYETJE: Në qoftë se përvjetori i dy Ditëlindjeve Binjake ose i Deklarimit të Báb·it bie gjatë muajit të agjërimit, ç’duhet bërë?

PËRGJIGJE: Në rast se festat e kremtimit të dy Ditëlindjeve Binjake ose të Deklarimit të Báb·it bien gjatë muajit të agjërimit, porosia për të agjëruar nuk zbatohet atë ditë.

37

PYETJE: Në urdhërat e shenjtë që qeverisin trashëgiminë, banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit u janë caktuar pasardhësve meshkuj. Kjo i referohet vetëm pronës së babait apo edhe asaj të nënës?

PËRGJIGJE: Rrobat e përdorura të nënës duhet të ndahen në pjesë të barabarta midis të bijave, por ajo që mbetet nga trashëgimia e saj, duke përfshirë prona, arturina dhe rroba të papërdorura, duhet ndarë midis të gjithë trashëgimtarëve të saj sipas mënyrës së reveluar në Kitáb-i-Aqdas. Por në rast se e ndjera nuk ka lënë bija, gjithë trashëgimia e saj duhet ndarë sipas mënyrës së caktuar për meshkujt në Tekstin e shenjtë.

38

PYETJE: Lidhur me shkurorëzimin, të cilit duhet t’i paraprijë një vit durimi: po qe se vetëm njëra prej të dy palëve është e prirur për pajtim, ç’duhet bërë?

PËRGJIGJE: Në pajtim me porosinë e reveluar në Kitáb-i-Aqdas, duhen kënaqur të dyja palët; në qoftë se nuk janë të gatshme të dyja palët, ribashkimi nuk mund të bëhet.

39

PYETJE: Lidhur me prikën, ç’duhet bërë në qoftë se dhëndri nuk mund ta paguajë gjithë shumën dhe në vend të kësaj, në kohën e ceremonisë së martesës i dorëzon formalisht nuses një zotim të shkruar, në kuptimin që ai do ta paguajë atë kur të jetë në gjendje?

PËRGJIGJE: Leja për të zbatuar këtë praktikë është dhënë nga Burimi i Pushtetit.

40

PYETJE: Në rast se gjatë vitit të durimit aroma e dashurisë përtërihet, por vetëm që të pasohet nga antipatia dhe çifti gjatë tërë vitit lëkundet midis dashurisë e neverisë, dhe viti përfundon me antipati, mund të bëhet apo jo shkurorëzimi?

PËRGJIGJE: Në çdo rast e në çdo kohë që lind antipatia, atë ditë fillon viti i durimit dhe ai duhet të kryhet tërësisht.

41

PYETJE: Banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit u janë caktuar fëmijëve meshkuj, jo femra, dhe as trashëgimtarëve të tjerë; po sikur i ndjeri të mos ketë lënë fëmijë meshkuj, ç’duhet bërë?

PËRGJIGJE: Ai, lëvduar qoftë, thotë: “Po qe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë...”. Në pajtim me këtë varg të shenjtë, banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit i kalojnë Shtëpisë së Drejtësisë.

42

PYETJE: Në Kitáb-i-Aqdas është reveluar urdhëresa për Ḥuqúqu’lláh-un. Banesa, me pajisjet përkatëse dhe orenditë e nevojshme, a përfshihet në pronën për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh, apo jo?

PËRGJIGJE: Në ligjet e reveluara në gjuhën persishte Ne kemi urdhëruar që në këtë Dispensacion Shumë të Fuqishëm banesa dhe pajisjet shtëpiake të përjashtohen, domethënë ato pajisje që janë të nevojshme.

43

PYETJE: Lidhur me fejesën e një vajze para moshës së pjekurisë.

PËRGJIGJE: Ky zakon është shpallur i paligjshëm nga Burimi i Pushtetit, dhe është e paligjshme të lajmërohet një martesë më shumë se nëntëdhjetë e pesë ditë para dasmës.

44

PYETJE: Në qoftë se një person ka, për shembull, njëqind tumanë , paguan Hukuk-un për këtë shumë, humbet gjysmën e kësaj shume në transaksione të pafat dhe pastaj, përmes tregtisë, shuma që disponon barazohet me shumën për të cilën paguhet Hukuk, a duhet që ky person të paguajë Hukuk, apo jo?

PËRGJIGJE: Në një rast të tillë nuk duhet paguar Hukuk.

45

PYETJE: Në qoftë se pas pagimit të Hukuk-ut, po kjo shumë prej njëqind tumanësh humbet tërësisht dhe më pas rifitohet me tregti ose me punë afarizmi, a duhet paguar Hukuk-u për së dyti apo jo?

PËRGJIGJE: Edhe në këtë rast nuk kërkohet të paguhet Hukuk.

46

PYETJE: Në lidhje me vargun e shenjtë: “Perëndia ju ka porositur të martoheni”, është kjo një porosi e detyrueshme apo jo?

PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.

47

PYETJE: Të supozojmë se një burrë është martuar me një grua, duke menduar se ajo është e virgjër, dhe i ka paguar asaj prikën, por gjatë kryerjes së aktit bëhet e qartë se ajo nuk është e virgjër, a duhen kthyer shpenzimet dhe prika, apo jo? Dhe në qoftë se martesa është bërë e kushtëzuar me virgjërinë, mospërmbushja e kushtit a e shfuqizon atë që ishte kushtëzuar me të?

PËRGJIGJE: Në një rast të tillë shpenzimet dhe prika mund të kthehen. Mospërmbushja e kushtit e shfuqizon atë që është e kushtëzuar me të. Por, në sytë e Perëndisë, mbulimi i kësaj gjëje dhe ndjesa për të meriton një shpërblim bujar.

48

PYETJE: “Juve ju është kërkuar të bëni një festë...”. Është kjo e detyrueshme apo jo?

PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.

49

PYETJE: Lidhur me ndëshkimet për marrëdhënie intime jashtë kurore, pederastí e vjedhje dhe me shkallët e këtyre ndëshkimeve.

PËRGJIGJE: Përcaktimi i shkallëve të këtyre ndëshkimeve i takon Shtëpisë së Drejtësisë.

50

PYETJE: Lidhur me ligjshmërinë ose jo për t’u martuar me farefisin e vet.

PËRGJIGJE: Edhe këto çështje u takojnë të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë.

51

PYETJE: Lidhur me avdesin, është reveluar: “Ai që nuk gjen ujë për avdes le të përsërisë pesë herë fjalët “Në emër të Perëndisë, Më të Kulluarit, Më të Kulluarit”: a është e lejuar të thuhet ky varg në rast të ftohti të madh, ose në qoftë se duart e fytyra janë të plagosura?

PËRGJIGJE: Në rast të ftohti të madh mund të përdoret ujë i ngrohtë. Në qoftë se fytyra dhe duart janë me plagë, ose ka arsye të tjera si dhimbje e vuajtje, për shkak të të cilave përdorimi i ujit mund të jetë i dëmshëm, në vend të avdesit mund të thuhet vargu përkatës.

52

PYETJE: A është e detyrueshme të thuhet vargu i reveluar për të zëvendësuar Lutjen e Shenjave?

PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.

53

PYETJE: Lidhur me trashëgiminë, kur ka vëllezër e motra nga babai e nga nëna, edhe vëllezërit e motrat vetëm nga nëna marrin gjithashtu pjesë?

PËRGJIGJE: Këta nuk marrin asnjë pjesë.

54

PYETJE: Ai, lëvduar qoftë, thotë: “Në rast se i biri i të ndjerit ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte dhe ka lënë fëmijë, ata trashëgojnë pjesën e atit të tyre...”. Ç’duhet bërë, në qoftë se e bija ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte?

PËRGJIGJE: Pjesa e saj e trashëgimit duhet ndarë midis të shtatë kategorive të trashëgimtarëve sipas porosisë së Librit.

55

PYETJE: Në qoftë se e ndjera është grua, kujt i jepet pjesa e trashëgimit “e së shoqes”?

PËRGJIGJE: Pjesa e trashëgimit “e së shoqes” i jepet të shoqit.

56

PYETJE: Lidhur me qefinin e trupit të të ndjerit, i cili është dekretuar të ketë pesë fletë: pesë fletët duan të thonë pesë copë pëlhura që janë përdorur zakonisht deri atëherë, apo pesë qefinë të plotë të mbështjellë njëri mbi tjetrin?

PËRGJIGJE: Nënkuptohet përdorimi i pesë copë pëlhurave.

57

PYETJE: Lidhur me mospërputhjet midis disa vargjeve të reveluara.

PËRGJIGJE: Shumë Tabela janë reveluar e dërguar në formën e tyre fillestare, pa i kontrolluar e rishikuar. Rrjedhimisht, sipas urdhërave të dhënë, ato janë rilexuar në Praninë e Shenjtë dhe janë sjellë në përputhje me rregullat gramatikore konvencionale të njerëzve, për t’u dalë përpara kleçkave të kundërshtarëve të Kauzës. Një shkak tjetër i kësaj praktike është konstatimi se stili i ri i futur nga Lajmëtari, u bëfshin fli për hir të Tij të gjithë shpirtrat veç të Vetit, karakterizohej nga një liri e theksuar në respektimin e rregullave gramatikore; prandaj, për të lehtësuar të kuptuarit dhe për saktësi në të shprehur, janë reveluar pastaj vargje në një stil që në një pjesë të madhe është në pajtim me përdorimin e zakonshëm.

58

PYETJE: Lidhur me vargun e bekuar: “Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni ... një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë”: a është kjo një zëvendësim për Lutjen e Detyrueshme të pabërë për shkak të rrethanave të pasigurta, apo gjatë udhëtimeve Lutja e Detyrueshme pezullohet krejtësisht dhe zëvendësohet me përkuljen?

PËRGJIGJE: Në qoftë se kur vjen ora e lutjes së detyrueshme nuk ka siguri, sapo arrin në një mjedis të sigurt duhet bërë një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrushme që ka mbetur pa bërë dhe, pas përkuljes së fundit, duhet ulur këmbëkryq dhe të lexohet vargu përkatës. Por në qoftë se ka vend të sigurt, lutja e detyrueshme nuk është pezulluar gjatë udhëtimeve.

59

PYETJE: Po qe se, kur një udhëtar është ndalur e po çlodhet, është koha e lutjes së detyrushme, ai duhet të bëjë lutjen apo në vend të saj të bëjë pëkuljen?

PËRGJIGJE: Me përjashtim të rrethanave të pasigurta, mosbërja e Lutjes së Detyrueshme nuk lejohet.

60

PYETJE: Në qoftë se, duke lënë pa bërë disa Lutje të Detyrueshme, janë të nevojshme disa përkulje, a duhet përsëritur vargu pas çdo përkuljeje zëvendësuese, apo jo?

PËRGJIGJE: Është e mjaftueshme të thuhet vargu përkatës pas përkuljes së fundit. Kryerja e disa përkuljeve nuk kërkon përsëritje të veçantë të vargut për çdo përkulje.

61

PYETJE: Në qoftë se lihet pa bërë një Lutje e Detyrueshme në shtëpi, a duhet kompensuar ajo me një përkulje, apo jo?

PËRGJIGJE: Në përgjigje të pyetjeve të mëparshme, është shkruar: “Kjo porosi lidhur me përkuljen zëvendësuese për lutjen vlen qoftë në shtëpi dhe në një udhëtim”.

62

PYETJE: Në qoftë se avdesi është kryer për qëllime të tjera dhe vjen ora e lutjes së detyrueshme, a është ky avdes i mjaftueshëm apo duhet përsëritur?

PËRGJIGJE: Ky avdes është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë që ai të përsëritet.

63

PYETJE: Në Kitáb-i-Aqdas është urdhëruar një lutje e detyrueshme me nëntë rakahë, që duhet bërë në mesditë, në mëngjes e në mbrëmje, por duket se Tabela e Lutjeve të Detyrueshme ndryshon nga kjo.

PËRGJIGJE: Ajo që është reveluar në Kitáb-i-Aqdas ka të bëjë me një tjetër Lutje të Detyrueshme. Disa vite më parë, disa porosi të Kitáb-i-Aqdas·it, duke përfshirë atë Lutje të Detyrueshme, për arsye urtie u regjistruan më vete dhe u dërguan bashkë me shkrime të tjera të shenjta, me qëllim për t’i ruajtur e mbrojtur. Më pas u reveluan këto tri Lutje të Detyrueshme.

64

PYETJE: Në llogaritjen e kohës, a është e lejueshme të mbështetesh në orë e kohëmatës?

PËRGJIGJE: Është e lejueshme të mbështetesh në orë e kohëmatës.

65

PYETJE: Në Tabelën e Lutjeve të Detyrueshme janë reveluar tri lutje; a kërkohet që ato të bëhen të tria, apo jo?

PËRGJIGJE: Është urdhëruar të bëhet njëra prej këtyre tri lutjeve; cilado që të bëhet mjafton.

66

PYETJE: A është avdesi i lutjes së mëngjesit i vlefshëm edhe për atë të mesditës? Dhe po kështu, a është avdesi i kryer në mesditë i vlefshëm edhe në mbrëmje?

PËRGJIGJE: Avdesi lidhet me Lutjen e Detyrueshme për të cilën kryhet dhe duhet përsëritur për çdo lutje.

67

PYETJE: Lidhur me Lutjen e Gjatë të Detyrueshme, kërkohet të qëndrosh në këmbë dhe “të kthehesh ndaj Perëndisë”. Kjo duket se tregon që nuk është e nevojshme ta kthesh fytyrën drejt Kiblës; a është kështu apo jo?

PËRGJIGJE: Nënkuptohet Kibla.

68

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Thuajini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje”.

PËRGJIGJE: Nënkuptohet gjithçka që është dërguar nga Qielli i Fjalës Hyjnore. Kërkesa e parë është etja dhe dashuria e shpirtrave të shenjtëruar për të lexuar Fjalën e Perëndisë. Është e parapëlqyer të lexohet vetëm një varg, ose edhe një fjalë e vetme, në një frymë gëzimi e rrëzëllimi, sesa të studiohen shumë Libra.

69

PYETJE: A mundet një person, kur bën testamentin, të japë për vepra bamirësie një pjesë të pasurisë së tij, tej asaj që duhet për pagimin e Ḥuqúqu’lláh-ut dhe për rregullimin e borxheve, apo ka të drejtë vetëm të caktojë një shumë për të mbuluar shpenzimet e funeralit e të varrimit, në mënyrë që pjesa tjetër e trashëgimit të ndahet midis kategorive të caktuara të trashëgimtarëve, siç është përcaktuar nga Perëndia?

PËRGJIGJE: Secili gëzon të drejta të plota mbi pasurinë e vet. Në qoftë se ai është në gjendje ta përballojë Ḥuqúqu’lláh-un dhe nuk ka borxhe, atëherë çdo gjë e shkruar në testamentin e tij dhe çdo deklarim ose pohim që përmbahet aty është i pranueshëm. Me të vërtetë, Perëndia e ka lejuar të bëjë çfarë të dojë me atë që i ka dhuruar atij.

70

PYETJE: Përdorimi i unazës së varrimit është urdhëruar vetëm për të rriturit apo edhe për të miturit?

PËRGJIGJE: Është vetëm për të rriturit. Edhe Lutja për të Vdekurit është për të rriturit.

71

PYETJE: Në qoftë se një njeri dëshiron të agjërojë në një kohë tjetër nga muaji i ‘Alá’, a është e lejuar kjo, apo jo; dhe në qoftë se ai është kushtuar ose zotuar për një agjërim të tillë, a është kjo e vlefshme dhe e pranueshme?

PËRGJIGJE: Porosia për agjërimin është ashtu siç ka qenë reveluar tashmë. Por në qoftë se një njeri kushtohet t’i ofrojë Perëndisë një agjërim, duke kërkuar kështu plotësimin e një dëshire, ose për të realizuar ndonjë qëllim tjetër, kjo është e lejuar tani, siç ka qenë edhe më parë. Është, sidoqoftë, dëshira e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, që kushtimet e zotimet të synojnë drejt objektivash që i sjellin dobi njerëzimit.

72

PYETJE: Është bërë edhe një pyetje tjetër lidhur me banesën dhe rrobat vetjake: në mungesë të fëmijëve meshkuj, a duhet t’i kalojnë këto Shtëpisë së Drejtësisë, apo duhen ndarë si pjesa tjetër e trashëgimit?

PËRGJIGJE: Dy të tretat e banesës e të rrobave vetjake u kalojnë fëmijëve femra dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë, të cilën Perëndia e ka bërë arkën e popullit.

73

PYETJE: Në qoftë se pas plotësimit të vitit të durimit burri refuzon të lejojë shkurorëzimin, ç’rrugë duhet të ndjekë gruaja?

PËRGJIGJE: Kur periudha ka përfunduar, shkurorëzimi kryhet. Por është e nevojshme të ketë dëshmitarë të fillimit e të përfundimit të kësaj periudhe, që mund të thirren për të dëshmuar në rast se lind nevoja.

74

PYETJE: Lidhur me përcaktimin e pleqërisë.

PËRGJIGJE: Për arabët kjo nënkupton kufirin e skajshëm të pleqërisë, por për njerëzit e Bahá-it ajo nis nga mosha shtatëdhjetë vjeç.

75

PYETJE: Lidhur me kufirin e agjërimit për atë që udhëton në këmbë.

PËRGJIGJE: Kufiri është caktuar dy orë. Në qoftë se kjo tejkalohet, është e lejuar të ndërpritet Agjërimi.

76

PYETJE: Lidhur me mbajtjen e Agjërimit nga njerëz që bëjnë punë të rëndë gjatë muajit të agjërimit.

PËRGJIGJE: Këta njerëz janë të shkarkuar nga të agjëruarit; por, në shenjë respekti ndaj ligjit të Perëndisë dhe për arsye të karakterit të lartësuar të Agjërimit, është shumë e lavdërueshme dhe e përshtatshme të hanë me përkore dhe jo në sy të të tjerëve.

77

PYETJE: Avdesi që merret për Lutjen e Detyrueshme a mjafton edhe për përsëritjen nëntëdhjetë e pesë herë të Emrit Më të Madh?

PËRGJIGJE: Nuk është e nevojshme që avdesi të përsëritet.

78

PYETJE: Lidhur me rrobat dhe arturinat që burri mund të ketë blerë për të shoqen: pas vdekjes së tij, a duhen ndarë ato midis trashëgimtarëve të tij, apo janë të rezervuara për të shoqen?

PËRGJIGJE: Me përjashtim të rrobave të përdorura, çdo gjë që mund të ketë, si arturina e të tjera, i takojnë burrit, veç atyre që është provuar se kanë qenë dhurata për të shoqen.

79

PYETJE: Lidhur me kriterin e drejtësisë kur duhet provuar ndonjë gjë në bazë të dëshmisë së dy dëshmitarëve të drejtë.

PËRGJIGJE: Kriteri i drejtësisë është nami i mirë që gëzon midis njerëzve. Dëshmia e të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, të çdo besimi a bindjeje qoftë, është e pranueshme para Fronit të Tij.

80

PYETJE: Në qoftë se i ndjeri nuk ka përmbushur detyrimin e tij për Ḥuqúqu’lláh-un, as ka paguar borxhet, a duhen zgjidhur këto duke zbritur përpjesëtimisht nga banesa, rrobat vetjake dhe nga pjesa tjetër e trashëgimit, apo banesa dhe rrobat vetjake duhen lënë mënjanë për fëmijët meshkuj dhe pastaj borxhet të paguhen nga pjesa tjetër e pasurisë? Dhe në qoftë se pjesa tjetër e pasurisë nuk është e mjaftueshme për këtë qëllim, si do të paguhen borxhet?

PËRGJIGJE: Borxhet dhe pagesat e papaguara të Hukuk-ut duhet të paguhen nga ajo pjesë e pasurisë që mbetet, por në qoftë se kjo është e pamjaftueshme për këtë qëllim, ajo që mungon duhet të plotësohet duke marrë nga banesa dhe rrobat vetjake.

81

PYETJE: Lutja e tretë e Detyrueshme duhet thënë duke qëndruar në këmbë apo ulur?

PËRGJIGJE: Është e parapëlqyer e më e përshtatshme të qëndrohet në këmbë në një pozë nderimi të përunjur.

82

PYETJE: Lidhur me Lutjen e parë të Detyrueshme është urdhëruar: “duhet bërë në çastin që njeriu e ndien veten në një gjendje përunjësie e adhurimi të ethshëm”: a duhet bërë kjo një herë në njëzet e katër orë, apo më shpesh?

PËRGJIGJE: Një herë në njëzet e katër orë është e mjaftueshme; kjo është thënia e shqiptuar nga Gjuha e Urdhërit Hyjnor.

83

PYETJE: Lidhur me përcaktimin e “mëngjesit”, “mesditës” dhe “mbrëmjes”.

PËRGJIGJE: Këto janë lindja e diellit, mesdita dhe perëndimi. Kohët e lejuara për Lutjet e Detyrueshme janë nga mëngjesi deri në mesditë, nga mesdita deri në perëndim të diellit dhe nga perëndimi i diellit deri dy orë pas tij. Pushteti është në dorë të Perëndisë, Bartësit të Dy Emrave.

84

PYETJE: A është e lejuar për një besimtar të martohet me një jobesimtare?

PËRGJIGJE: Është e lejuar qoftë të japësh qoftë të marrësh kurorë; kështu ka dekretuar Zoti kur u ngjit në fronin e bujarisë e të dashamirësisë.

85

PYETJE: Lidhur me Lutjen për të Vdekurit: duhet bërë para apo pas varrimit? Dhe a është e detyrueshme të kthehet fytyra ndaj Kiblës?

PËRGJIGJE: Kjo lutje duhet bërë para varrimit; përsa i përket Kiblës: “ngado që të ktheheni, është fytyra e Perëndisë”.

86

PYETJE: Në mesditë, që është koha e dy prej Lutjeve të Detyrueshme – e asaj të shkurtër të mesditës dhe e asaj që duhet bërë në mëngjes, mesditë e mbrëmje – a është e mevojshme në këtë rast që të merret dy herë avdes, apo mjafton një herë?

PËRGJIGJE: Përsëritja e marrjes avdes nuk është e nevojshme.

87

PYETJE: Lidhur me prikën për banorët e fshatrave, që duhet të jetë në argjend: me këtë nënkuptohet dhëndri, nusja, apo të dy? Dhe ç’duhet bërë nëse njëri prej tyre banon në qytet e tjetri në fshat?

PËRGJIGJE: Prika përcaktohet nga vendbanimi i dhëndrit; në qoftë se ai banon në qytet, prika është në ar, në qoftë se banon në fshat, është në argjend.

88

PYETJE: Cili është kriteri për të përcaktuar kush banon në qytet e kush në fshat? Në qoftë se një banor i qytetit merr shtëpi në një fshat, ose një që banon në fshat merr shtëpi në qytet, duke pasur ndërmend të vendoset atje përgjithmonë, cili rregull zbatohet? A është vendlindja faktori përcaktues?

PËRGJIGJE: Kriteri është vendbanimi i përhershëm dhe, në varësi se ku ndodhet ai, urdhëri i Librit duhet zbatuar në pajtim me këtë.

89

PYETJE: Në Tabelat e shenjta është reveluar se kur një person fiton një shumë të barabartë me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar, ai duhet të paguajë të Drejtën e Perëndisë për këtë shumë. A mund të shpjegohet se ç’shumë prej këtyre nëntëmbëdhjetëve duhet të paguajë ai?

PËRGJIGJE: Porosia e Perëndisë është nëntëmbë-dhjetë mbi njëqind. Llogaritja duhet bërë mbi këtë bazë. Kështu mund të përcaktohet çfarë shume detyrohet mbi nëntëmbëdhjetë.

. PYETJE: Kur pasuria e ndonjërit i kalon nëntëmbëdhjetë, a është e nevojshme që ajo të shtohet në nëntëmbëdhjetë të tjera para se Hukuk-u të duhet të paguhet përsëri, apo ai duhet paguar për çdo shtesë?

PËRGJIGJE: Çdo shumë që i shtohet nëntë¬mbë-dhjetës përjashtohet nga Hukuk-u derisa të arrijë në nëntëmbëdhjetë të tjera.

90

PYETJE: Lidhur me ujin e pastër dhe me kufirin në të cilin ai konsiderohet i përdorur.

PËRGJIGJE: Sasi të vogla uji, si një tas, ose edhe dy a tre, duhen konsideruar të përdorura pas një larje të vetme të fytyrës e të duarve. Por një kurr ose më shumë ujë mbetet i pandryshuar pas një ose dy larjesh të fytyrës dhe nuk ka kundërshtim për ta përdorur, veçse po të ketë pësuar ndryshim në njërën prej tri mënyrave, për shembull të ketë ndryshuar ngjyrë, dhe në këtë rast duhet konsideruar i përdorur.

91

PYETJE: Në një traktat në gjuhën persishte për çështje të ndryshme, mosha e pjekurisë është caktuar pesëmbëdhjetë vjeç; a kushtëzohet edhe martesa me arritjen e pjekurisë, apo lejohet edhe më parë?

PËRGJIGJE: Duke qenë se në Librin e Perëndisë kërkohet pëlqimi i të dyja palëve dhe duke qenë se para pjekurisë pëlqimi ose mungesa e tij nuk mund të jenë të sigurta, martesa kushtëzohet, pra, me arritjen e moshës së pjekurisë dhe para kësaj kohe nuk lejohet.

92

PYETJE: Lidhur me agjërimin dhe lutjen e detyrueshme nga ana e të sëmurëve.

PËRGJIGJE: Në të vërtetë, Unë them se në sytë e Perëndisë lutja e detyrueshme dhe agjërimi zenë një vend të lartësuar. Por vlera e tyre mund të shprehet në një gjendje shëndetësore të mirë. Në kohë sëmundjeje nuk është e lejueshme të zbatohen këto detyrime; ky ka qenë gjithmonë urdhëri i Zotit, u madhëroftë lavdia e Tij. Lum burrat e gratë që u vënë veshin e i zbatojnë porositë e Tij. Lëvduar qoftë Perëndia, Ai që ka dërguar vargjet dhe është Reveluesi i provave të padyshimta.

93

PYETJE: Lidhur me xhamitë, kishëzat e tempujt.

PËRGJIGJE: Çdo gjë që është ndërtuar për adhurimin e Perëndisë së vërtetë Që është Një, siç janë xhamitë, kishëzat e tempujt, nuk duhet përdorur për ndonjë qëllim tjetër veç përkujtimit të Emrit të Tij. Ky është urdhër i Perëndisë dhe ai që e shkel atë është ndër ata që kanë bërë mëkat. Asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë atij që e ka ndërtuar, sepse ai e ka kryer këtë vepër për hir të Perëndisë dhe ka marrë e do të vazhdojë të marrë shpërblimin e duhur.

94

PYETJE: Lidhur me pajisjet e një vendi pune, të nevojshme për të ushtruar një veprimtari ose profesion: a i nënshtrohen ato pagimit të Ḥuqúqu’lláh-ut, apo i përfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake?

PËRGJIGJE: Ato i përfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake.

95

PYETJE: Lidhur me pronat e ruajtura nën kujdestari që shkëmbehen me para ose me forma të tjera prone, për t’i mbrojtur nga shvlerësimi ose humbja.

PËRGJIGJE: Përsa i përket pyetjes me shkrim lidhur me pronat e ruajtura nën kujdestari për t’i mbrojtur ato nga shvlerësimi e humbja, një shkëmbim i tillë është i lejuar me kusht që zëvendësimi të jetë i barabartë në vlerë. Zoti yt është, me të vërtetë, Shpjeguesi, i Gjithëdijshmi, dhe Ai është vërtet Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve.

96

PYETJE: Lidhur me larjen e këmbëve në dimër dhe në verë.

PËRGJIGJE: Është njëlloj në të dy rastet; është i parapëlqyer uji i ngrohtë, por nuk ka kundërshtim edhe për të ftohtin.

97

PYETJE: Një pyetje tjetër për shkurorëzimin.

PËRGJIGJE: Duke qenë se Perëndia, u madhëroftë lavdia e Tij, nuk e përkrah shkurorëzimin, asgjë nuk është reveluar për këtë çështje. Por që nga fillimi i ndarjes deri në përfundim të një viti, dy ose më shumë persona duhet të mbahen të informuar si dëshmitarë; në qoftë se, deri në fund, nuk ka pajtim, bëhet shkurorëzimi. Kjo duhet shënuar në regjistër nga nëpunësi legal fetar i qytetit, i caktuar nga të Besuarit e Shtëpisë së Drejtësisë. Zbatimi i kësaj procedure është thelbësor, në mënyrë që të mos hidhërohen ata që kanë zemër që kupton.

98

PYETJE: Lidhur me konsultimin.

PËRGJIGJE: Në qoftë se konsultimi midis grupit të parë të njerëzve të mbledhur përfundon me mospajtim, duhen shtuar njerëz të tjerë, dhe pas kësaj zgjidhen me short një numër personash që është i barabartë me numrin e Emrit Më të Madh, ose më pak a më shumë. Pastaj konsultimi përsëritet dhe përfundimi, cilido qoftë ai, duhet respektuar. Por në qoftë se ka ende mospajtim, e njëjta precedurë duhet përsëritur edhe një herë dhe vendimi i shumicës fiton. Ai, me të vërtetë, çon në rrugë të drejtë cilindo që i pëlqen.

99

PYETJE: Lidhur me trashëgiminë.

PËRGJIGJE: Lidhur me trashëgiminë, ajo që ka urdhëruar Pika Parësore – u bëfshin fli për hir të Tij shpirtrat e të gjithëve veç Atij – është e pëlqyeshme. Trashëgimtarët ekzistues duhet të marrin pjesët e trashëgimit që u janë caktuar, ndërsa një deklarim për atë që mbetet i duhet paraqitur Gjyqit të Më të Lartit. Në dorë të Tij është burimi i pushtetit; Ai urdhëron ashtu si i pëlqen. Lidhur me këtë, në Tokën e Misterit është reveluar një ligj që ua jep për¬kohësisht trashëgiminë e trashëgimtarëve që mungojnë trashë¬gim¬tarëve ekzistues, derisa të krijohet Shtëpia e Drejtësisë dhe atëherë do të shpallet dekreti për këtë çështje. Por trashëgimi i atyre që kanë emigruar në të njëjtin vit që emigroi Bukuria e Lashtë u është caktuar trashëgimtarëve të tyre dhe kjo është një bujari e Perëndisë që u dhurohet.

100

PYETJE: Lidhur me ligjin për thesarët e gjetur.

PËRGJIGJE: Në qoftë se gjendet një thesar, një e treta i takon me të drejtë zbuluesit dhe dy të tretat duhet të shpenzohen nga njerëzit e Shtëpisë së Drejtësisë për mirëqenien e të gjithëve. Kjo do të bëhet pas krijimit të Shtëpisë së Drejtësisë dhe deri në atë kohë thesaret e gjetura do t’u besohen për t’i ruajtur personave të besuar në çdo lokalitet e territor. Me të vërtetë, Ai është Sundimtari, Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.

101

PYETJE: Lidhur me Hukuk-un mbi pasuri të patundshme që nuk sjellin fitim.

PËRGJIGJE: Urdhëri i Perëndisë është që pasuria e patundshme që nuk sjell më të ardhura, domethënë nga e cila nuk merret fitim, nuk i nënshtrohet pagimit të Hukuk-ut. Ai, me të vërtetë, është Sundimtari, Dorëhapuri.

102

PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Në rajone ku dita dhe nata zgjaten, le të maten kohët e lutjes me sahatë...”.

PËRGJIGJE: Nënkuptohen territore të thella. Por në këto klima zgjatja ndryshon vetëm pak orë, prandaj ky rregull nuk zbatohet.

103

Në Tabelën drejtuar Abá Badí‘-ut, është reveluar ky varg i shenjtë: “Me të vërtetë, ne i kemi urdhëruar çdo biri t’i shërbejë të atit”. Ky është dekreti që Ne kemi formuluar në Librin.

104

Dhe në një Tabelë tjetër janë reveluar këto fjalë të lartësuara: O Muhamet! I Lashti i Kohëve e ka kthyer fytyrën ndaj teje, duke të përmendur ty dhe duke i nxitur njerëzit e Perëndisë të edukojnë fëmijët e tyre. Në qoftë se një at lë pasdore këtë porosi tepër të rëndësishme të formuluar në Kitáb-i-Aqdas nga Penda e Sovranit të Përjetshëm, ai do të humbasë të drejtën e atësisë dhe do të konsiderohet fajtor para Perëndisë. Lum ai që i gdhend në zemrën e vet këshillat e Zotit dhe u përmbahet fort atyre. Perëndia, me të vërtetë, u urdhëron shërbëtorëve të Vet atë që do t’i ndihmojë e do t’u sjellë dobi dhe do t’u lejojë atyre të afrohen pranë Tij. Ai është Urdhëruesi, i Pavdekshmi.

105

Ai është Perëndia, lëvduar qoftë, Zoti i madhërisë e i pushtetit! Profetët dhe të Zgjedhurit kanë qenë ngarkuar të gjithë nga i Vetmi Perëndi i Vërtetë, u madhëroftë lavdia e Tij, të ushqejnë pemët e ekzistencës njerëzore me ujërat e gjalla të ndershmërisë e të kuptimit, që të shfaqet ajo që Perëndia ka depozituar në qeniet e tyre më intime. Siç mund të shihet lehtë, çdo pemë prodhon një fryt dhe një pemë shterpë vlen vetëm për zjarr. Qëllimi i këtyre Edukatorëve, në çdo gjë që ata kanë thënë e mësuar, ka qenë të ruajnë pozitën e lartë të njeriut. Lum ai që në Ditën e Perëndisë është mbajtur fort pas porosive të Tij dhe nuk është shmangur nga Ligji i Tij i vërtetë e themelor. Frytet që më shumë i kanë hije pemës së jetës njerëzore janë besueshmëria e përshpirtshmëria, vërtetësia e sinqeriteti; por më e madhja nga çdo gjë, pas njohjes së unitetit të Perëndisë, lëvduar e madhëruar qoftë Ai, është vëmendja për të drejtat që u detyrohemi prindërve. Ky mësim është përmendur në të gjithë Librat e Perëndisë dhe është ripohuar nga Penda Më e Lartësuar. Vëreni atë që Zoti i Mëshirshëm ka reveluar në Kuran, lëvduar qofshin fjalët e Tij: “Adhuroni Perëndinë, mos barazoni me Të as shok e as ngjasim; dhe tregoni përzemërsi e dhembshuri për prindërit tuaj...”. Shihni sesi dashamirësia për prindërit është lidhur me njohjen e të vetmit Perëndi të vërtetë! Lum ata që kanë dhuntinë e urtisë e të të kuptuarit, që shohin e dallojnë, që lexojnë e kuptojnë dhe që vënë re atë që Perëndia ka reveluar në Librat e Shenjtë të së kaluarës e në këtë Tabelë të pashoqe e të mrekullueshme.

106

Në një prej Tabelave Ai, lëvduar qofshin fjalët e Tij, ka reveluar: Dhe për çështjen e Zeqatit Ne kemi dekretuar po kështu që ju të ndiqni atë që është reveluar në Kuran.

Notes

1

aroma e këndshme e rrobës Sime ¶4

Ky është një aluzion për historinë e Josifit në Kuran dhe në Dhiatën e Vjetër, në të cilën rroba e Josifit, që të vëllezërit ia çuan Jakovit, i dha mundësi këtij të njihte djalin e tij të shumëdashur që kishte humbur. Metafora e “rrobës” erëmirë përdoret shpesh në Shkrimet Bahá’í për t’iu referuar njohjes së Manifestimit të Perëndisë e të Revelacionit të Tij.

Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u e cilëson Veten si “Josifi Hyjnor” Që është “shitur” nga të shkujdesurit me “çmimin më të përbuzur”. Báb·i, në Qayyúmu’l-Asmá’, e cilëson Bahá’u’lláh·un si “Josifi i vërtetë” dhe parashikon vuajtjet që Ai do të pësojë nga duart e vëllait të Tij të pabesë (shih shënimin 190). Po kështu, Shoghi Effendi·u e krahason xhelozinë e madhe që shquarsia e ‘Abdu’l-Bahá·it kishte ngjallur te vëllai i Tij nga i ati, Mírzá Muḥammad-‘Alí·u, me zilinë për vdekje “që epërsia e Josifit kishte ndezur në zemrat e vëllezërve të tij”.

2

Me gishtat e fuqisë e të pushtetit, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur. ¶5

Përdorimi i verës dhe i pijeve të tjera dehëse është i ndaluar në Kitáb-i-Aqdas (shih shënimin 144 dhe shënimin 170).

Referenca për përdorimin e “verës” në kuptimin alegorik, si shkak i ekstazës shpirtërore, gjendet jo vetëm në Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut, por edhe në Biblën, në Kuran dhe në traditat e lashta hindu.

Për shembull, në Kuran u premtohet të drejtëve se do t’u jepet për të pirë “vera e zgjedhur dhe e vulosur”. Në Tabelat e Tij, Bahá’u’lláh·u e njëjtëson “Verën e zgjedhur” me Revelacionin e Tij, “aroma erë myshku” e të cilit është përhapur “mbi të gjitha gjërat e krijuara”. Ai thotë se ka “hapur” këtë “Verë” , duke zbuluar kështu të vërteta shpirtërore që deri atëherë ishin të panjohura dhe duke u dhënë mundësinë atyre që do të pinin prej saj të “shohin shkëlqimet e dritës së unitetit hyjnor” dhe “të kuptojnë qëllimin thelbësor që qëndron në themel të Shkrimeve të Perëndisë”.

Në një prej përsiatjeve të Tij, Bahá’u’lláh·u i lutet Perëndisë t’u japë besimtarëve “Verën e zgjedhur të mëshirës Sate, që t’i harrojnë të gjithë veç Teje dhe të ngrihen për t’i shërbyer Kauzës Sate dhe të qëndrojnë të patundur në dashurinë e tyre për Ty”.

3

Ne ju kemi urdhëruar lutjen e detyrueshme ¶6

Në gjuhën arabe ka disa fjalë me kuptimin lutje. Fjala “ṣalát”, e cila përdoret këtu në origjinal, i referohet një kategorie të veçantë lutjesh, recitimi i të cilave në kohë të caktuara të ditës u urdhërohet besimtarëve. Për ta dalluar këtë kategori lutjesh nga llojet e tjera, kjo fjalë është përkthyer “lutje e detyrueshme”.

Bahá’u’lláh·u thotë se “në sytë e Perëndisë lutja e detyrueshme dhe agjërimi zenë një vend të lartësuar” (Py&Pë 93). ‘Abdu’l-Bahá·i thotë se këto lutje “çojnë në përunjësi e nënshtrim, bëjnë që ta kthesh fytyrën ndaj Perëndisë e të shprehësh devotshmëri ndaj Tij” dhe se me anë të këtyre lutjeve “njeriu mban lidhje me Perëndinë, përpiqet t’I qaset pranë, bisedon me të Shumëdashurin e vërtetë të zemrës së tij dhe arrin shkallë shpirtërore”.

Lutja e Detyrueshme (shih shënimin 9), së cilës i referohet ky varg, është zëvendësuar nga tri Lutjet e Detyrueshme të reveluara nga Bahá’u’lláh·u (Py&Pë 63) Tekstet e tri lutjeve që janë tani në përdorim, bashkë me udhëzimet për recitimin e tyre, gjendet në këtë vëllim në kreun Disa Tekste Shtojcë të Kitáb-i-Aqdas·it.

Një numër zërash në Pyetje dhe Përgjigje trajtojnë aspekte të tri Lutjeve të reja të Detyrueshme. Bahá’u’lláh·u sqaron se gjithkush lejohet të zgjedhë cilëndo prej tri Lutjeve të Detyrueshme (Py&Pë 65). Porosi të tjera ndriçohen në Pyetje dhe Përgjigje numër 66, 67, 81 dhe 8

Hollësitë e ligjit për lutjen e detyrueshme janë përmbledhur në seksionin IV.A. -17 të Pasqyrës Përmbledhëse e Kodifikimit.

4

nëntë rakahë ¶6

Një rak‘ah është recitimi i vargjeve të reveluara posaçë¬risht, i shoqëruar nga një seri e caktuar gjunjëzimesh e lëvizjesh të tjera.

Lutja e Detyruar që Bahá’u’lláh·u u urdhëronte fillimisht pasuesve të Tij përbëhej prej nëntë rakahësh. Natyra e saktë e kësaj lutjeje dhe e udhëzimeve të posaçme për recitimin e saj janë të panjohura, duke qenë se kjo lutje ka humbur (shih shënimin 9).

Në një Tabelë që komenton Lutjet e Detyrueshme aktua-lisht në veprim, ‘Abdu’l-Bahá·i vë në dukje se “në çdo fjalë e lëvizje të Lutjes së Detyrueshme ka aluzione, mistere e një urti që njeriu nuk është në gjendje t’i kuptojë dhe që as letra e pergamena nuk mund t’i mbajnë”.

Shoghi Effendi·u shpjegon se ato pak udhëzime të thjeshta që ka dhënë Bahá’u’lláh·u për recitimin e disa lutjeve jo vetëm kanë një domethënie shpirtërore, por edhe e ndihmojnë individin “të përqëndrohet plotësisht gjatë lutjes e përsiatjes”.

5

në mesditë dhe në mëngjes e mbrëmje ¶6

Lidhur me përkufizimin e fjalëve “mëngjes”, “mesditë” dhe “mbrëmje”, kohë në të cilat duhet të recitohet Lutja e mesme e Detyruar që është në veprim sot, Bahá’u’lláh·u ka thënë se ato përkojnë me “lindjen e diellit, mesditën dhe perëndimin e diellit” (Py&Pë 83). Ai specifikon se “kohët e lejuara për Lutjet e Detyrueshme janë nga mëngjesi deri në mesditë, nga mesdita deri në perëndim të diellit dhe nga perëndimi i diellit deri dy orë pas tij”. Më tej, ‘Abdu’l-Bahá·i ka thënë se Lutja e Detyrueshme e mëngjesit mund të thuhet që në agim.

Përkufizimi i “mesditës” si periudha “nga mesdita deri në perëndim të diellit” vlen për recitimin e Lutjes së Detyrueshme të shkurtër, si dhe të asaj të mesme.

6

Ne ju kemi liruar nga një numër më i madh ¶6

Kërkesat për lutjen e detyrueshme për të cilat bëhet thirrje në Dispensacionet Bábí e Islamik ishin shumë më të mëdha sesa ato për kryerjen e Lutjes së Detyrueshme të përbërë nga nëntë rakahë, që urdhërohet në Kitáb-i-Aqdas (shih shënimin 4).

Në Bayán, Báb·i urdhëron një Lutje të Detyrueshme të përbërë prej nëntëmbëdhjetë rakahësh, që duhej kryer në çdo njëzet e katër orë, nga mesdita e një dite deri në mesditën e ditës së nesërme.

Lutja islamike recitohet pesë herë në ditë, konkretisht në mëngjes herët, në mesditë, pasdite, në mbrëmje dhe natën. Ndërsa numri i rakahëve ndryshon sipas kohës së recitimit, gjatë një dite bëhen gjithsej shtatëmbëdhjetë rakahë.

7

Kur doni të thoni këtë lutje, kthejeni fytyrën ndaj Oborrit të Pranisë Sime Më të Shenjtë, këtij Vendi të Shenjtëruar që Perëndia ... e ka caktuar të jetë Pika e Adhurimit për banorët e Qyteteve të Përjetësisë ¶6

“Pika e Adhurimit”, domethënë pika drejt së cilës duhet të kthehet adhuruesi kur bën lutjen e detyrueshme, quhet Kibla. Koncepti i Kiblës ka ekzistuar edhe në fetë e mëparshme. Në të kaluarën për këtë qëllim ishte caktuar Jerusalemi. Muhameti e ndryshoi Kiblën dhe caktoi Mekën. Udhëzimet e Báb·it në Bayán·in Arab ishin:

Në të vërtetë, Kibla është Ai që Perëndia do Ta shfaqë; ngado që të lëvizë Ai edhe ajo lëviz, derisa Ai të arrijë në prehje.

Ky pasazh është cituar nga Bahá’u’lláh·u në Kitáb-i-Aqdas (¶137) dhe është konfirmuar prej Tij në vargun e lartpërmendur. Ai ka treguar gjithashtu se kthimi i fytyrës në drejtim të Kiblës është një “kërkesë e posaçme për thënien e lutjes së detyrueshme” (Py&Pë 14 e Py&Pë 67). Kurse për lutje e adhurime të tjera secili mund ta kthejë fytyrën në çfarëdo drejtimi.

8

dhe kur Dielli i së Vërtetës e i Fjalës të ketë perënduar, kthejeni fytyrën ndaj Vendit që Ne ju kemi urdhëruar ¶6

Bahá’u’lláh·u urdhëron që pas vdekjes së Tij Kibla të jetë varri i Tij. Varri Më i Shenjtë është në Bahxhi, ‘Akká. ‘Abdu’l-Bahá·i e quan atë “Mauzole i shndritshëm”, “vendi rreth të cilit sillet Tubimi Qiellor”.

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u përdor analogjinë e bimës që kthehet drejt diellit, për të shpjeguar domethënien shpirtërore të kthimit të fytyrës ndaj Kiblës.

... ashtu si bima kthehet drejt dritës së diellit, nga e cila merr jetë e zhvillim, edhe ne, gjatë lutjes, i kthejmë zemrat tona ndaj Manifestimit të Perëndisë, Bahá’u’lláh·ut; ... ne e kthejmë fytyrën ... drejt vendit ku hiri i Tij prehet në këtë tokë, si një simbol të veprimit të brendshëm.

9

I kemi shtjelluar hollësitë e lutjes së detyrueshme në një Tabelë tjetër. ¶8

Lutja e Detyrueshme fillestare, “për arsye urtie”, është reveluar nga Bahá’u’lláh·u në një Tabelë më vete (Py&Pë 63). Ajo nuk iu dha besimtarëve gjatë jetës së Tij, duke qenë se u zëvendësua nga tri Lutjet e Detyrueshme që janë tani në përdorim.

Pak kohë pasi Bahá’u’lláh·u ndërroi jetë, teksti i kësaj lutjeje u vodh nga Muhamet Aliu, Kryeshkelësi i Besëlidhjes së Tij.

10

Lutja për të Vdekurit ¶8

Lutja për të Vdekurit (shih Disa Tekste Shtojcë të Kitáb-i-Aqdas·it) është e vetmja lutje e Detyrueshme Bahá’í që duhet thënë në grup; ajo duhet recituar nga një besimtar, ndërkohë që gjithë të pranishmit qëndrojnë në këmbë në heshtje (shih shënimin 19). Bahá’u’lláh·u ka sqaruar se Lutja për të Vdekurit kërkohet vetëm kur i ndjeri është një i rritur (Py&Pë 70), se thënia e saj duhet bërë para varrimit të të ndjerit dhe se gjatë recitimit të kësaj lutjeje nuk kërkohet të kthehet fytyra ndaj Kiblës (Py&Pë 85).

Hollësi të tjera lidhur me Lutjen për të Vdekurit janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.A. 1-1

11

ju janë dërguar gjashtë pasazhe të posaçme nga Perëndia, Reveluesi i Vargjeve ¶8

Pasazhet që janë pjesë e Lutjes për të Vdekurit përfshijnë përsëritjen e përshëndetjes “Alláh-u-Abhá” (Perëndia është Lavdiploti) gjashtë herë, të pasuar çdo herë nga nëntëmbëdhjetë përsëritje të njërit prej gjashtë vargjeve të reveluara posaçërisht. Këto vargje janë të njëjta me ato të Lutjes për të Vdekurit të reveluar nga Báb·i në Bayán. Bahá’u’lláh·u ka shtuar një të lutur që u paraprin këtyre pasazheve.

12

Flokët (qimet) nuk e shvleftësojnë lutjen tuaj, as ndonjë gjë tjetër nga e cila shpirti është larguar, siç janë kockat e të tjera si këto. Jeni të lirë të mbani lëkurë kunadheje, si dhe kastori, ketri ose kafshësh të tjera ¶9

Në disa Dispensacione fetare të mëparshme, veshja e gëzofit të disa kafshëve ose mbajtja e disa sendeve të tjera konsiderohej se e shvleftëson lutjen. Këtu Bahá’u’lláh·u mbështet thënien e Báb·it në Bayán·in Arab se gjëra të tilla nuk e shvleftësojnë lutjen.

13

Ju kemi porositur të luteni e të agjëroni që kur fillon mosha e pjekurisë ¶10

Bahá’u’lláh·u e përcakton “moshën e pjekurisë ndaj detyrimeve fetare” “pesëmbëdhjetë vjeç si për burrat dhe për gratë” (Py&Pë 20). Për hollësi lidhur me periudhën e agjërimit shih shënimin 2

14

Ai ka përjashtuar nga kjo ata që janë të dobët për shkak sëmundjeje ose moshe ¶10

Përjashtimi nga thënia e Lutjeve të Detyrueshme dhe nga Agjërimi i atyre që janë të dobët për shkak sëmundjeje ose moshe të kaluar shpjegohet në Pyetje dhe Përgjigje. Bahá’u’lláh·u vë në dukje se në “kohë sëmundjeje nuk është e lejueshme të zbatohen këto detyrime” (Py&Pë 93). Në këtë kontekst, Ai e përcakton kohën e pleqërisë nga shtatëdhjetë vjeç e lart (Py&Pë 74). Në përgjigje të një pyetjeje, Shoghi Effendi·u ka shpjeguar se personat që arrijnë moshën 70 vjeç përjashtohen, qofshin të dobët ose jo.

Përjashtimi nga agjërimi bëhet gjithashtu për kategoritë e tjera të posaçme të personave, që renditen në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B. Për diskutim të mëtejshëm shih shënimin 20, shënimin 30 dhe shënimin 3

15

Perëndia ju ka lejuar të përkuleni deri në tokë mbi çdo sipërfaqe të pastër, sepse Ne kemi hequr lidhur me këtë kufizimet e shënuara në Librin ¶10

Në Dispensacione të mëparshme, kërkesat e lutjes përfshinin shpesh herë përkuljen deri në tokë. Në Bayán·in Arab, Báb·i i ftonte besimtarët ta mbështetnin ballin mbi sipërfaqe kristali kur përkuleshin deri në tokë. Edhe në Islamin janë vendosur disa kufizime lidhur me sipërfaqen mbi të cilën myslimanëve u lejohet të përkulen. Bahá’u’lláh·u i shfuqizon këto kufizime dhe për¬cakton thjesht “çdo sipërfaqe të pastër”.

16

Ai që nuk gjen ujë për avdes le të përsërisë pesë herë fjalët “Në emër të Perëndisë, Më të Dëlirit, Më të Dëlirit” dhe pastaj të bëjë lutjen. ¶10

Duke u përgatitur të thotë lutjen e detyrueshme, besimtari duhet të marrë avdes, që përfshin larjen e duarve e të fytyrës. Në qoftë se nuk gjendet ujë, të përsërisë pesë herë vargun e reveluar posaçërisht. Për një diskutim të përgjithshëm mbi avdesin shih shënimin 3

Midis Dispensacioneve të mëparshme, në Kuran dhe në Bayán·in Arab ka praktika pararendëse lidhur me procedurat zëvendësuese që duhen ndjekur kur nuk gjendet ujë.

17

Në rajone ku dita dhe nata zgjaten, le të maten kohët e lutjes me sahatë e me mjete të tjera që tregojnë kalimin e orëve. ¶10

Kjo ka parasysh territoret që ndodhen në ekstremin verior ose jugor, ku kohëzgjatja e ditëve dhe e netëve ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. (Py&Pë 64 dhe Py&Pë 103). Kjo porosi zbatohet edhe për agjërimin.

18

Ne ju kemi liruar nga kërkesa e kryerjes së Lutjes së Shenjave. ¶11

Lutja e Shenjave është një formë e posaçme e lutjes së detyrueshme myslimane që ka qenë urdhëruar të thuhej në kohë ngjarjesh natyrore, si tërmete, eklipse dhe dukuri të tjera si këto, të cilat mund të shkaktojnë frikë dhe merren si shenja ose veprime të Perëndisë. Kërkesa për thënien e kësaj lutjeje është shfuqizuar. Në vend të saj Bahá’í·të mund të thonë “Sundimi i përket Perëndisë, Zotit të së dukshmes e të së padukshmes, Zotit të Krijimit”, por kjo nuk është e detyrueshme (Py&Pë 52).

19

Me përjashtim të Lutjes për të Vdekurit, praktika e lutjes kolektive është hequr. ¶12

Lutja në grup, në kuptimin e lutjes së detyrueshme të rregullt që duhet thënë sipas një rituali të caktuar, siç është zakon, për shembull, në Islamin, ku lutja e së premtes në xhami drejtohet nga një imam, në Dispensacionin Bahá’í është hequr. Lutja për të Vdekurit (shih shënimin 10) është e vetmja lutje në grup e urdhëruar nga ligji Bahá’í. Ajo duhet të recitohet nga njëri prej të pranishmëve ndërsa të tjerët qëndrojnë në këmbë në heshtje; recituesi nuk ka ndonjë pozitë të veçantë. Njerëzit e mbledhur nuk janë të detyruar ta kthejnë fytyrën drejt Kiblës (Py&Pë 85).

Tri Lutjet e Detyrueshme të përditshme duhen thënë individualisht, jo në grup.

Nuk ka rregulla të caktuara për thënien e lutjeve të tjera të shumta Bahá’í dhe secili është i lirë të përdorë ato lutje jo të detyrueshme që dëshiron, në grumbullime ose individualisht. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë që

...edhe pse miqtë lihen të lirë të ndjekin prirjen e vet, ...ata duhet të shmangin me kujdesin më të madh që mënyra e sjelljes së tyre të marrë një karakter tepër të ngurtë dhe të shndërrohet kështu në një institut. Kjo është një pikë që miqtë duhet ta mbajnë kurdoherë parasysh, për të mos u larguar nga rruga që tregohet qartë në Mësimet.

20

Perëndia i ka përjashtuar nga lutja e detyrueshme dhe agjërimi gratë që janë me zakonet e përmuajshme. ¶13

Gratë që janë me zakonet e përmuajshme përjashtohen nga lutja e detyrueshme dhe nga agjërimi; por ato duhet të marrin avdes (shih shënimin 34) dhe të përsërisin nëntëdhjetë e pesë herë në ditë, nga njëra mesditë në tjetrën, vargun “Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Shkëlqimit e i Bukurisë”. Kjo porosi ka një praktikë para-rendëse në Bayán·in Arab, ku bëhet një përjashtim i ngjashëm.

Në disa Dispensacione të mëparshme fetare, gratë në kohën e zakoneve të përmuajshme konsideroheshin ritualisht të papastra dhe u ndalohej të kryenin detyrimet e lutjes e të agjë-rimit. Koncepti i papastërtisë rituale u anulua nga Bahá’u’lláh·u (shih shënimin 106).

Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se porositë e Kitáb-i-Aqdas·it që përjashtojnë nga disa detyrime e përgjegjësi janë, siç e tregon vetë fjala, përjashtime e jo ndalime. Pra, çdo besimtar është i lirë të përfitojë nga një përjashtim i zbatueshëm në qoftë se dëshiron. Por Shtëpia e Drejtësisë këshillon që, duke vendosur ta bëjë ose jo këtë, besimtari duhet të përdorë urtinë dhe të ketë parasysh se Bahá’u’lláh·u i ka lejuar këto përjashtime për arsye të shëndosha.

Përjashtimi i këshilluar nga lutja e detyrueshme, që fillimisht i referohej Lutjes së Detyrueshme prej nëntë rakahësh, është tani e zbatueshme për tri Lutjet e Detyrueshme që e kanë zëvendësuar atë.

21

Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni – gra e burra njëlloj – një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë ¶14

Përjashtimi nga lutja e detyrueshme bëhet për ata që ndodhen në kushte pasigurie të tilla saqë thënia e Lutjes së Detyrueshme nuk është e mundur. Përjashtimi është i zbatueshëm qoftë gjatë udhëtimit ose në shtëpi dhe jep një mjet falë të cilit Lutjet e Detyrueshme që kanë mbetur pa thënë për shkak të këtyre rrethanave të pasigurta të mund të kompensohen.

Bahá’u’lláh·u e ka bërë të qartë se lutja e detyrueshme “nuk është pezulluar gjatë udhëtimeve” sakohë është e mundur të gjendet “një vend i sigurt” ku ajo të kryhet (Py&Pë 58).

Numrat Py&Pë 21, Py&Pë 58, Py&Pë 59, Py&Pë 60 dhe Py&Pë 61 në Pyetje dhe Përgjigje i zgjerojnë këto porosi.

22

Pasi t’i plotësoni përkuljet, uluni këmbëkryq ¶14

Shprehja arabisht “haykalu’t tawḥíd”, e përkthyer këtu “këmbëkryq”, do të thotë “poza e unitetit”. Tradicionalisht ka pasur gjithmonë kuptimin e një poze me këmbë të kryqëzuara.

23

Thuaj: Perëndia e ka bërë dashurinë Time të fshehur çelësin e Thesarit ¶15

Ka një hadith të mirënjohur islamik lidhur me Perëndinë e krijimin e Tij, që thotë:

Isha një Thesar i Fshehur. Desha të bëhesha i njohur, prandaj thirra në jetë krijimin, në mënyrë që të njihesha.

Në Shkrimet Bahá’í gjenden referenca e aluzione për këtë hadith. Për shembull, në një prej lutjeve të Tij, Bahá’u’lláh·u revelon:

Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Dëshmoj se Ti ishe një Thesar i fshehur, i mbështjellë në Qënien Tënde që kur s’mbahet mend, dhe një Mister i padepërtueshëm i mbyllur në vetë Thelbin Tënd. Duke dashur të revelohesh, Ti thirre në jetë Botën Më të Madhe dhe Botën Më të Vogël, dhe zgjodhe Njeriun mbi të gjitha krijesat e Tua, dhe e bëre Atë një shenjë të të dyja këtyre botëve. O Ti Që je Zoti ynë, Më Zemërdhembshuri!

Ti e ngrite Atë që të zërë fronin Tënd para gjithë popujve të krijimit Tënd. E bëre Atë të aftë të shpalosë misteret e Tua dhe të shkëlqejë me dritat e frymëzimit Tënd e të Revelacionit Tënd, dhe të shfaqë emrat e Tu e atributet e Tua. Përmes Tij stolise hyrjen e librit të krijimit Tënd, O Ti Që je Sundimtari i gjithësisë që ke artuar! (Lutje e Përsiatje të Bahá’u’lláh·ut, XXXVIII).

Po kështu, në Fjalët e Fshehura Ai thotë:

O Bir i Njeriut! Unë e doja krijimin tënd, pra të krijova ty. Prandaj të më duash Mua, që Unë të të jap emrin tënd dhe ta mbush shpirtin tënd me Frymën e jetës.

Në komentin e Tij për hadithin e lartpërmendur, ‘Abdu’l-Bahá·i shkruante:

O shtegtar në shtegun e të Shumëdashurit! Dije se synimi kryesor i këtij hadithi të shenjtë është të përmendë fazat e fshehjes e të shfaqjes së Perëndisë në Mishërimet e së Vërtetës, të Atyre që janë Vendagimet e Qenies së Tij Lavdiplote. Për shembull, para se flaka e zjarrit të pashuar të ndizet e të shfaqet, ajo ekziston vetvetiu brenda vetes së saj në identitetin e fshehur të Manifestimeve universale, dhe kjo është faza e “Thesarit të Fshehur”. Dhe kur Pema e bekuar merr flakë vetvetiu brenda vetvetes dhe ai zjarr Hyjnor digjet nga thelbi i vet brenda thelbit të vet, kjo është faza e “Desha të bëhesha i njohur”. Dhe kur ajo ndriçon nga Horizonti i gjithësisë mbi botët e rastësishme e që s’kanë vend me Emra e Atribute Hyjnore të panumërta, kjo përbën lindjen e një krijimi të ri e të mahnitshëm, i cili i korrespondon fazës “Prandaj thirra në jetë krijimin”. Dhe kur shpirtrat e shenjtëruar çajnë mëdysh perdet e të gjitha lidhjeve tokësore e të kushteve të kësaj bote dhe nxitojnë drejt fazës nga ku sodisin bukurinë e Pranisë Hyjnore, dhe nderohen duke njohur Manifestimin e janë në gjendje të shohin shkëlqimin e Shenjës Më të Madhe të Perëndisë në zemrat e tyre, atëherë synimi i krijimit, që është njohja e Atij Që është e Vërteta e Përjetshme, do të bëhet i dukshëm.

24

O Pendë e Më të Lartit! ¶16

“Penda e Më të Lartit”, “Penda Supreme” dhe “Penda Më e Lartësuar” janë referenca për Bahá’u’lláh·un, të cilat theksojnë funksionin e Tij si Revelues i Fjalës së Perëndisë.

25

Ne jua kemi bërë të detyrueshëm agjërimin për një periudhë të shkurtër ¶16

Agjërimi dhe lutja e detyrueshme përbëjnë dy shtyllat që mbajnë Ligjin e reveluar të Perëndisë. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u thotë se i ka reveluar ligjet e lutjes së detyrueshme e të agjërimit në mënyrë që përmes tyre besimtarët të mund të afrohen pranë Perëndisë.

Shoghi Effendi·u vë në dukje se periudha e agjërimit, që kërkon vetëpërmbajtjen e plotë nga ushqimi e pija që nga lindja deri në perëndim të diellit, është

...në thelb një periudhë përsiatjeje e lutjeje, riaftësimi shpirtëror, gjatë së cilës besimtari duhet të përpiqet të bëjë rregullimet e nevojshme në jetën e tij të brendshme dhe të përtërijë e fuqizojë forcat shpirtërore të fshehura në shpirtin e tij. Domethënia dhe qëllimi i saj janë, pra, në themel shpirtërore për nga karakteri. Agjërimi është simbolik dhe një kujtesë për t’u përmbajtur nga dëshirat egoiste e epshore.

Agjërimi është i detyrueshëm për të gjithë besimtarët kur kanë mbushur 15 vjeç e derisa arrijnë moshën 70 vjeç.

Një pasqyrë e përmbledhur e porosive që kanë të bëjnë me ligjin e agjërimit dhe me përjashtimet që janë lejuar për disa kategori personash përmbahen në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B.- Për një diskutim të përjashtimeve nga agjërimi shih shënimin 14, shënimin 20, shënimin 30 e shënimin 3

Periudha nëntëmbëdhjetëditëshe e agjërimit përkon me muajin Bahá’í të ‘Alá’, zakonisht 2-20 mars, menjëherë pas përfundimit të Ditëve të Shtuara (shih shënimin 27 dhe shënimin 147), dhe pasohet nga festa e Novruzit (shih shënimin 26).

26

dhe në përfundim të tij ju kemi caktuar Novruzin si festë ¶16

Báb·i futi një kalendar të ri, të njohur edhe si kalendari Badí‘ ose Bahá’í (shih shënimin 27 dhe shënimin 147). Sipas këtij kalendari, një ditë është periudha midis një perëndimi dhe tjetrit. Në Bayán·in, Báb·i urdhëroi që muaji i ‘Alá’ të ishte muaji i agjërimit, dekretoi që dita e Novruzit duhej të shënonte përfundimin e asaj periudhe dhe e quajti Novruzin Ditën e Perëndisë. Bahá’u’lláh·u e mbështeti kalendarin Badí‘, në të cilin Novruzi është caktuar si festë.

Novruzi është dita e parë e vitit të ri. Ai përkon me sanataditën pranverore në Hemisferën Veriore, që zakonisht bie më 21 mars. Bahá’u’lláh·u shpjegon se kjo ditë feste duhet kremtuar në çdo ditë që dielli hyn në yjësinë e Dashit (dmth në sanataditën pranverore), edhe sikur kjo të ndodhë vetëm një minutë para perëndimit (Py&Pë 35). Pra, Novruzi mund të bjerë më 20, 21 ose 22 mars, në varësi nga koha e sanataditës.

Bahá’u’lláh·u ia ka lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë detyrën për të përcaktuar hollësitë e shumë ligjeve. Ndër to ka një numër çështjesh që kanë të bëjnë me kalendarin Bahá’í. Ruajtësi ka deklaruar se zbatimi mbarëbotëror i ligjit për llogaritjen e datës së Novruzit do të kërkojë zgjedhjen e një vendi të posaçëm mbi tokë që të shërbejë si pikë referimi për caktimin e kohës së sanataditës pranverore. Ai ka vënë gjithashtu në dukje se zgjedhja e këtij vendi i është lënë për vendim Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

27

Le të vendosen ditët e tepërta të muajve para muajit të agjërimit. ¶16

Kalendari Badí‘ bazohet në vitin diellor prej 365 ditësh, 5 orësh e 50 minutash e pak. Viti përbëhet prej 19 muajsh nga 19 ditë secili (dmth 361 ditë), duke u shtuar katër ditë plotësuese (pesë në vitet e brishtë). Báb·i nuk ka përcaktuar në mënyrë të posaçme vendosjen e ditëve të shtuara në kalendarin e ri. Kitáb-i-Aqdas·i e zgjidh këtë çështje duke i vendosur ditët “e tepërta” në një kohë të caktuar në kalendar menjëherë para muajit të ‘Alá’, periudhës së agjërimit. Për hollësi të mëtejshme shih seksionin për kalendarin Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

28

Ne kemi urdhëruar që këto ... të jenë manifestimet e shkronjës Há ¶16

Të njohura si Ayyám-i-Há (Ditët e Há), Ditët e Shtuara kanë veçorinë që shoqërohen me “shkronjën Há”. Vlera numerike abjad e kësaj shkronje arabe është pesë, që i korrespondon numrit të mundshëm të ditëve të shtuara.

Në Shkrimet e Shenjta shkronjës “Há” i janë dhënë disa domethënie shpirtërore, ndër të cilat që ajo është një simbol i Thelbit të Perëndisë.

29

ditët e dhurimit që i paraprijnë stinës së kufizimit ¶16

Bahá’u’lláh·u i ka urdhëruar pasuesit e Tij që t’ua kushtojnë këto ditë festimeve, gëzimit e bamirësisë. Në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut shpjegohet se “ditët e shtuara janë ditë të caktuara posaçërisht për mikpritje, dhënie dhuratash etj.”.

30

Udhëtarët ... nuk e kanë të detyruar Agjërimin ¶16

Kohëzgjatja minimale e një udhëtimi që e përjashton besimtarin nga agjërimi është përcaktuar nga Bahá’u’lláh·u (Py&Pë 22 dhe Py&Pë 75). Hollësitë e kësaj porosie janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.B.a.i.-v.

Shoghi Effendi·u ka sqaruar që, edhe pse udhëtarët përjashtohen nga agjërimi, ata janë të lirë të agjërojnë në qoftë se dëshirojnë. Ai ka vënë në dukje gjithashtu se përjashtimi mbetet në fuqi gjatë gjithë periudhës së udhëtimit, e jo vetëm gjatë orëve që njeriu është në tren ose në automobil, etj.

31

Udhëtarët, të sëmurët, gratë shtatzëna ose me foshnje gjiri, nuk e kanë të detyruar Agjërimin; ata janë përjashtuar nga Perëndia, si shenjë e hirit të Tij. ¶16

Përjashtimi nga agjërimi bëhet për ata që janë të sëmurë ose në moshë të kaluar (shih shënimin 14), për gratë gjatë zakoneve të përmuajshme (shih shënimin 20), për udhëtarët (shih shënimin 30) dhe për gratë shtatzëna e me foshnje gjiri. Ky përjashtim shtrihet gjithashtu mbi personat që bëjnë punë të rëndë, të cilëve ndërkohë u këshillohet që “në shenjë respekti ndaj ligjit të Perëndisë dhe për arsye të karakterit të lartësuar të Agjërimit”, të hanë “me përkore dhe jo në sy të të tjerëve” (Py&Pë 76). Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se llojet e punës që i përjashtojnë njerëzit nga Agjërimi do të përcaktohen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

32

Përmbahuni nga ushqimi e të pirët që nga lindja deri në perëndim të diellit ¶17

Kjo i referohet periudhës së agjërimit. Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i, pasi thotë se agjërimi është të përmbajturit nga ushqimi e të pirët, vë në dukje se edhe tymi është një formë “pije”. Në gjuhën arabe folja “pi” përdoret edhe për duhanin.

33

Është urdhëruar që çdo besimtar në Perëndinë ... duhet çdo ditë ... të përsërisë nëntëdhjetë e pesë herë “Alláh-u-Abhá”. ¶18

“Alláh-u-Abhá” është një frazë arabisht që do të thotë “Perëndia Lavdiploti”. Është një formë e Emrit Më të Madh të Perëndisë (shih shënimin 137). Në Islamin ka një hadith sipas të cilit ndër emrat e shumtë të Perëndisë njëri ishte më i madhi; por identiteti i këtij Emri Më të Madh ishte i fshehur. Bahá’u’lláh·u ka pohuar se Emri Më i Madh është “Bahá”.

Edhe derivatet e ndryshme të fjalës “Bahá” konsiderohen si Emri Më i Madh. Sekretari i Shoghi Effendi·ut, duke shkruar në emër të tij, shpjegon se

Emri Më i Madh është Emri i Bahá’u’lláh·ut. “Já Bahá’u’l-Abhá” është një lutje që do të thotë “O Ti Lavdi e Lavdive!”. “Alláh-u-Abhá” është një përshëndetje që do të thotë “Perëndia Lavdiploti”. Që të dyja i referohen Bahá’u’lláh·ut. Duke thënë Emri Më i Madh, nënkuptohet që Bahá’u’lláh·u është shfaqur në Emrin Më të Madh të Perëndisë, me fjalë të tjera që Ai është Manifestimi suprem i Perëndisë.

Përshëndetja “Alláh-u-Abhá” është adoptuar gjatë periudhës së syrgjynosjes së Bahá’u’lláh·ut në Adrianopojë.

Përsëritja e “Alláh-u-Abhá” nëntëdhjetë e pesë herë duhet të paraprihet nga marrja avdes (shih shënimin 34).

34

Merrni ... avdes për Lutjen e Detyrueshme ¶18

Marrja avdes është e shoqëruar në mënyrë të posaçme me disa lutje. Ajo duhet të paraprijë thënien e të tria Lutjeve të Detyrueshme, përsëritjen nëntëdhjetë e pesë herë të “Alláh-u-Abhá” dhe recitimin e vargut që këshillohet për të zëvendësuar lutjen e detyrueshme dhe agjërimin për gratë që janë me zakonet e përmuajshme (shih shënimin 20).

Marrja avdes që këshillohet përfshin larjen e duarve e të fytyrës si parapërgatitje për lutjen. Në rastin e Lutjes së mesme të Detyrueshme, ajo shoqërohet me recitimin e disa vargjeve (shih Disa tekste të reveluara nga Bahá’u’lláh·u si Shtojcë e Kitáb-i-Aqdas·it).

Që marrja avdes ka një domethënie tej larjes, kjo mund të shihet nga fakti që edhe sikur njeriu të jetë larë menjëherë para recitimit të Lutjes së Detyrueshme, është e nevojshme që ai të marrë avdes (Py&Pë 18).

Kur nuk ka ujë për të marrë avdes, duhet përsëritur pesë herë një varg që këshillohet (shih shënimin 16), dhe kjo porosi shtrihet edhe mbi ata për të cilët përdorimi i ujit është fizikisht i dëmshëm (Py&Pë 51).

Porositë e hollësishme për ligjin që ka të bëjë me marrjen avdes janë shtjelluar në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.A.1a.-g., si edhe në Pyetje dhe Përgjigje numër 51, 62, 66, 77 dhe 8

35

Ju është ndaluar të kryeni vrasje ¶19

Ndalimi për të marrë jetën e tjetrit përsëritet nga Bahá’u’lláh·u në paragrafin 73 të Kitáb-i-Aqdas·it. Për vrasjen me paramendim urdhërohen disa ndëshkime (shih shënimin 86). Në rastin e vrasjes pa dashje nga pakujdesia, është e nevojshme t’i paguhet familjes së të ndjerit një dëmshpërblim (shih Kitáb-i-Aqdas, ¶188).

36

ose marrëdhënie intime jashtë kurore ¶19

Fjala arabe “ziná”, e përkthyer këtu si “marrëdhënie intime jashtë kurore”, ka kuptimin qoftë marrëdhënie intime para dhe jashtë kurorës dhe shkelje kurore. Ajo përdoret jo vetëm për marrëdhënie seksuale midis një personi të martuar dhe dikujt që nuk është bashkëshorti ose bashkëshortja e tij, por edhe për marrëdhëniet seksuale jashtë martese në përgjithësi. Një formë e “ziná” është përdhunimi. I vetmi ndëshkim që urdhëron Bahá’u’lláh·u është për ata që kryejnë marrëdhënie intime para dhe jashtë kurorës (shih shënimin 77); ndëshkimet për llojet e tjera të shkeljeve seksuale i janë lënë t’i përcaktojë Shtëpia Universale e Drejtësisë.

37

përgojim ose shpifje ¶19

Bahá’u’lláh·u ka dënuar në mënyrë të përsëritur përgojimin, shpifjen dhe marrjen me gabimet e të tjerëve. Në Fjalët e Fshehura, Ai e thotë qartë: “O Bir i Qenies! Si munde të harrosh gabimet e tua dhe u more me gabimet e të tjerëve? Kush e bën këtë, është i mallkuar prej Meje”. Dhe më tej: “O Bir i Njeriut! Mos pëshpërit për mëkatet e të tjerëve sakohë ti je vetë mëkatar. Po e shkele këtë porosi, do të jesh i mallkuar dhe Unë dëshmoj për këtë”. Ky qortim i ashpër përsëritet më pas në veprën e Tij të fundit “Libri i Besëlidhjes Sime”: “Me të vërtetë ju them, gjuha shërben për të përmendur atë që është e mirë, mos e përlyeni atë me fjalë të pahijshme. Perëndia e ka falur atë që ka kaluar. Tani e tutje të gjithë duhet të thoni atë që është e përshtatshme dhe e hijshme, dhe duhet të përmbaheni nga shpifjet e fyerjet dhe nga çdo gjë që shkakton hidhërim në njerëzit”.

38

Ne e kemi ndarë trashëgiminë në shtatë kategori ¶20

Ligjet Bahá’í të trashëgimit zbatohen vetëm në rastet kur nuk ka testament, dmth kur një person vdes pa lënë testament. Në Kitáb-i-Aqdas (¶109), Bahá’u’lláh·u udhëzon që çdo besimtar të shkruajë testament. Në vende të tjera Ai e thotë qartë se çdo person gëzon të drejta të plota mbi pasurinë e vet dhe është i lirë të vendosë se në ç’mënyrë do të ndahet trashëgimi që lë e cilët do të jenë ata që do të trashëgojnë, Bahá’í ose jo qofshin (Py&Pë 69). Lidhur me këtë, një letër e shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut shpjegon që

...edhe pse Bahá’í lejohet që në testamentin e tij të disponojë për pasurinë e vet ashtu si dëshiron, megjithatë, kur shkruan testamentin, është moralisht e ndershmërisht i detyruar të mbajë gjithmonë parasysh nevojën për të mbështetur parimin e Bahá’u’lláh·ut lidhur me funksionin shoqëror të pasurisë dhe nevojën që rrjedh prej kësaj për të shmangur grumbullimin e tepruar të saj në pak persona ose grupe personash.

Ky varg i Aqdas·it i paraprin një pasazhi të gjatë, në të cilin Bahá’u’lláh·u shtjellon ligjin Bahá’í të trashëgimit. Duke lexuar këtë pasazh, duhet mbajtur parasysh që ligji është formuluar nisur nga supozimi se i ndjeri është burrë; porositë e tij janë të zbatueshme, mutatis mutandis, edhe kur e ndjera është grua.

Sistemi i trashëgimit që parashikon ndarjen e pasurisë së të ndjerit midis shtatë kategorive trashëgimtarësh (fëmijët, bashkëshortja, babai, nëna, vëllezërit, motrat dhe mësuesit) bazohet në porositë e shtjelluara nga Báb·i në Bayán. Elementet kryesore të ligjeve Bahá’í të trashëgimit në rast mungese të testamentet janë:

Në qoftë se i ndjeri është baba dhe pasuria e tij përfshin një banesë personale, kjo banesë i kalon djalit të madh (Py&Pë 34).

Në qoftë se i ndjeri nuk ka pasardhës meshkuj, dy të tretat e banesës i kalojnë pasardhëseve femra dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 41, Py&Pë 72). Shih shënimin 42 lidhur me nivelet e institucionit të Shtëpisë së Drejtësisë të cilave u referohet ky ligj (shih gjithashtu shënimin 44).

Ajo që mbetet nga pasuria ndahet midis shtatë kategorive të trashëgimtarëve. Për hollësi lidhur me numrin e pjesëve që duhet të marrë çdo grup, shih Pyetje dhe Përgjigje, numër 5, dhe Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.a.

Në rast se në një kategori ka më shumë se një trashë-gimtar, pjesa e caktuar kësaj klase duhet ndarë midis tyre në mënyrë të barabartë, meshkuj a femra qofshin.

Në rastet kur nuk ka pasardhës, pjesa e fëmijëve i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 7, Py&Pë 41).

Në qoftë se një person lë fëmijë, por kategoritë e tjera të trashëgimtarëve mungojnë tërësisht ose pjesërisht, dy të tretat e pjesëve të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 7).

Në qoftë se nuk ekziston asnjë prej kategorive të specifikuara, dy të tretat e pasurisë u kalojnë nipave dhe mbesave të të ndjerit. Në qoftë se as këta nuk ekzistojnë, të njëjtat pjesë u kalojnë tetove e ungjërve; në mungesë të këtyre, u kalojnë bijve e bijave të tyre. Në çdo rast, një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

Në qoftë se një person nuk lë asnjë prej trashëgimtarëve të lartpërmendur, gjithë pasuria i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.

Bahá’u’lláh·u thotë se jo-Bahá’í·të nuk kanë të drejtë të trashëgojnë nga prindërit ose të afërmit e tyre Bahá’í (Py&Pë 34). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, vë në dukje se ky ngushtim është i vlefshëm “vetëm në rastet kur një Bahá’í vdes pa lënë testament dhe, pra, kur pasuria e tij duhet të ndahet në pajtim me rregullat e shtjelluara në Kitáb-i-Aqdas. Përndryshe, çdo Bahá’í është i lirë t’ia lerë pasurinë e vet çdo personi, pavarësisht nga feja, mjafton që ai të lerë një testament që përcakton dëshirat e tij”. Pra, çdo Bahá’í ka gjithmonë mundësinë të kujdeset për bashkëshorten ose bashkëshortin, fëmijët ose të afërmit e vet jo-Bahá’í, duke lënë testament.

Hollësi të mëtejshme për ligjet e trashëgimit janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.C.a-o.

39

vëllezërve pesë pjesë ... motrave katër pjesë ¶20

Pyetje dhe Përgjigje i zgjeron porositë e ligjit përsa u përket pjesëve të trashëgimit që u caktohen vëllezërve dhe motrave të të ndjerit. Në qoftë i vëllai ose e motra me të njëjtin baba si i ndjeri, ai ose ajo trashëgon pjesën e plotë që i është caktuar. Por në qoftë vëllai ose motra është me baba tjetër, trashëgon vetëm dy të tretat e pjesës së caktuar, kurse një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 6). Më tej, në rastin kur i ndjeri ka midis trashëgimtarëve të vet vëllezër e motra me të njëjtët baba e nënë, atëherë vëllezërit e motrat nga nëna nuk trashëgojnë (Py&Pë 53). Këta, sigurisht, kanë të drejtë të trashëgojnë nga pasuria e të atit të tyre.

40

mësuesve ¶20

Në një Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i i krahason mësuesit që janë marrë me edukimin shpirtëror të fëmijës me “atin shpirtëror” që “i jep fëmijës së tij jetën e pasosur”. Ai shpjegon se kjo është arsyeja përse në “ligjin e Perëndisë mësuesit renditen midis trashëgimtarëve”.

Bahá’u’lláh·u specifikon kushtet në të cilat mësuesi trashëgon dhe pjesën që ai merr (Py&Pë 33).

41

Kur dëgjuam britmën e fëmijëve ende të palindur, Ne e dyfishuam pjesën e tyre dhe e pakësuam atë të të tjerëve. ¶20

Në ligjet e Báb·it për trashëgiminë, fëmijëve të të ndjerit u caktoheshin nëntë pjesë të përbëra prej 540 njësish. Kjo përfaqësonte më pak se një të katërtën e gjithë pasurisë. Bahá’u’lláh·u e dyfishoi pjesën e tyre në 080 njësi dhe pakësoi pjesët e caktuara gjashtë kategorive të tjera të trashëgimtarëve. Ai gjithashtu shtjellon qëllimin e saktë të kësaj porosie dhe rrjedhojat e saj për shpërndarjen e trashëgimit (Py&Pë 5).

42

Shtëpisë së Drejtësisë ¶21

Duke iu referuar në Kitáb-i-Aqdas Shtëpisë së Drejtësisë, Bahá’u’lláh·u jo gjithmonë bën shprehimisht dallimin midis Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe Shtëpisë Lokale të Drejtësisë, të vendosura që të dyja në atë Libër. Zakonisht Ai i referohet thjesht “Shtëpisë së Drejtësisë”, duke lënë hapësirë për sqarim të mëtejshëm lidhur me nivelin ose nivelet e institucionit, në të cilat duhet të zbatohet çdo ligj.

Në një Tabelë që numëron të ardhurat e arkës lokale, ‘Abdu’l-Bahá·i përfshin ato trashëgime për të cilat nuk ka trashëgimtarë, duke treguar kështu se Shtëpia e Drejtësisë së cilës i referohen këto pasazhe të Aqdas·it lidhur me trashëgiminë është ajo lokale.

43

Po qe se i ndjeri lë fëmijë, por nuk lë asnjë nga të kategorive të tjera të trashëgimtarëve ¶22

Bahá’u’lláh·u sqaron se “Ky rregull ka si zbatime të përgjithshme ashtu edhe të posaçme, domethënë se kurdoherë që ndonjë kategori e kësaj klase të fundit trashëgimtarësh mungon, dy të tretat e trashëgimit të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” (Py&Pë 7).

44

Ne ua kemi caktuar banesën dhe rrobat personale të të ndjerit trashëgimtarëve meshkuj, e jo femra, dhe as trashëgimtarëve të tjerë. ¶25

Në një Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i vë në dukje se banesa dhe rrobat personale të të ndjerit mbeten në linjën mashkullore. Ato i kalojnë djalit të madh dhe në mungesë të djalit të madh i kalojnë djalit të dytë e kështu me radhë. Ai shpjegon se kjo porosi është një shprehje e ligjit të parëlindjes, që gjithmonë është mbështetur nga Ligji i Perëndisë. Në një Tabelë drejtuar një pasuesi të Besimit në Persi Ai ka shkruar: “Në të gjitha Dispensacionet Hyjnore djalit të madh i janë dhënë shquarsi të jashtzakonshme. Madje edhe pozita e profetësisë ka qenë e drejta e tij e parëlindjes”. Por shquarsive të dhëna djalit të madh i shtohen detyra bashkëshoqëruese. Për shembull, ai ka përgjegjësinë morale, për hir të Perëndisë, të kujdeset për nënën e tij dhe gjithashtu të shohë nevojat e trashëgimtarëve të tjerë.

Bahá’u’lláh·u shpjegon aspekte të ndryshme të kësaj pjese të ligjit të trashëgimit. Ai përcakton që në rast se ka më shumë se një banesë, ajo kryesorja e më e rëndësishmja u kalon fëmijëve meshkuj. Banesat që mbeten, bashkë me zotërimet e tjera të të ndjerit, duhet të ndahen midis trashëgimtarëve (Py&Pë 34). Ai, veç kësaj, vë në dukje që, në mungesë të fëmijëve meshkuj, dy të tretat e banesës kryesore dhe të rrobave personale të babait të ndjerë u kalojnë pasardhëseve femra dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 72). Më tej, kur e ndjera është grua, Bahá’u’lláh·u thotë se të gjitha rrobat e saj të përdorura duhet të ndahen në mënyrë të barabartë midis vajzave të saj. Rrobat e reja, arturinat dhe pronat duhet të ndahen midis trashëgimtarëve të saj, si dhe rrobat e përdorura në rast se ajo nuk lë pas vajza (Py&Pë 37).

45

Në rast se i biri i të ndjerit ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte dhe ka lënë fëmijë, ata trashëgojnë pjesën e atit të tyre ¶26

Ky aspekt i ligjit zbatohet vetëm në rastin e një biri që ka vdekur para babait e nënës së tij. Në qoftë se e bija e të ndjerit ka vdekur e ka lënë fëmijë, pjesa e saj duhet të ndahet sipas shtatë kategorive të përcaktuar në Librin Më të Shenjtë (Py&Pë 54).

46

Në qoftë se i ndjeri lë fëmijë që janë të mitur, pjesa e tyre e trashëgimit duhet t’i lihet në kujdestari një personi të besueshëm ¶27

Fjala “amín”, e përkthyer në këtë paragraf si “person i besueshëm” dhe “i besuar”, përçon në arabisht një varg kuptimesh të lidhura kryesisht me idenë e besueshmërisë, por nënkupton gjithashtu edhe cilësi të tilla si besimi, besnikëria, besa, drejtësia, ndershmëria e kështu me radhë. E përdorur në kuptimin legal, fjala “emin” do të thotë, ndër të tjera, njeri i besuar, garant, ruajtës, mbikqyrës dhe kujdestar.

47

Ndarja e pronës duhet bërë vetëm pasi të jetë paguar Huqúqu’lláh·u, të jenë rregulluar borxhet, të jenë paguar shpenzimet e funeralit e të varrimit ¶28

Bahá’u’lláh·u përcakton që në renditjen e përparësisë së pagimit të këtyre shpenzimeve në vend të parë janë shpenzimet për funeralin e varrimin, pastaj vijnë borxhet e të ndjerit, pastaj Ḥuqúqu’lláh-u (shih shënimin 125) (Py&Pë 9). Ai përcakton gjithashtu se kur për këto përdoret prona, pagesa duhet bërë duke marrë në fillim nga ajo që mbetet prej pronës dhe pastaj, në qoftë se kjo është e pamjaftueshme, nga banesa e nga rrobat personale të të ndjerit (Py&Pë 80).

48

Kjo është ajo dije e fshehur e cila kurrë nuk do të ndryshojë, sepse fillon me nëntën ¶29

Në Bayán·in Arab Báb·i thotë se ligji i Tij i trashëgimit “është në përputhje me një dije të fshehur në Librin e Perëndisë, dije që kurrë nuk do të ndryshojë ose të zëvendësohet”. Ai thotë gjithashtu se numrat në bazë të të cilave bëhej ndarja e trashëgimit ishin të veshura me një domethënie që kishte për qëllim të ndihmonte për të njohur Atë Që Perëndia do Ta shfaqë.

“Nënta” që përmendet këtu përfaqësohet në tekstin arabisht nga shkronja “á”, e cila është barasvlera e saj në numërimin abxhad (shih Glosarin). Ajo është elementi i parë i ndarjes së trashëgimit që urdhëron Báb·i, i Cili përcakton se kuota e fëmijëve përbëhet prej “nëntë pjesësh”. Domethënia e shifrës nëntë qëndron në qenien barasvlera numerike e Emrit Më të Madh “Bahá”, për të cilin aludohet në pjesën tjetër të këtij vargu si “Emri i lartësuar i fshehur e i dukshëm, i pacenueshën e i paarritshëm”. (Shih gjithashtu shënimin 3)

49

Zoti ka urdhëruar që në çdo qytet të ngrihet një Shtëpi e Drejtësisë ¶30

Institucioni i Shtëpisë së Drejtësisë përbëhet prej këshillash të zgjedhura që veprojnë në nivelin lokal, kombëtar e ndërkombëtar të shoqërisë. Në Kitáb-i-Aqdas, Bahá’u’lláh·u parashikon si Shtëpinë Universale të Drejtësisë dhe Shtëpitë Lokale të Drejtësisë. ‘Abdu’l-Bahá·i, në Vullnetin e Testamentin e Tij, parashikon Shtëpitë Dytësore (Kombëtare ose Rajonale) të Drejtësisë dhe ravijëzon metodën që duhet ndjekur për zgjedhjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

Vargu i lartpërmendur i referohet Shtëpisë Lokale të Drejtësisë, një institucion që duhet zgjedhur në çdo lokalitet ku ka nëntë ose më shumë Bahá’í të rritur. Për këtë qëllim, përkufizimi i të rriturit është caktuar përkohësisht 21 vjeç nga Ruajtësi, i cili ka vënë në dukje se ai mund të ndryshohet në të ardhmen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

Tani për tani Shtëpitë Lokale e Dytësore të Drejtësisë janë të njohura si Asamble Shpirtërore Lokale dhe Asamble Shpirtërore Kombëtare. Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se ky është një “emërtim i përkohshëm”, i cili,

...kur pozita dhe qëllimet e Besimit Bahá’í të kuptohen më mirë e të njihen në mënyrë më të plotë, do të zëvendësohet hap pas hapi nga emri i përhershëm e më i përshtatshëm Shtëpi e Drejtësisë. Në të ardhmen, Asambletë Shpirtërore të sotme jo vetëm do të quhen ndryshe, por gjithashtu do të jenë në gjendje t’u shtojnë funksioneve të tyre të sotme ato pushtete, detyra e prerogativa që do të bëhen të nevojshme nga njohja e Besimit të Bahá’u’lláh·ut jo thjesht si një prej sistemeve fetare të njohura të botës, por si Feja Shtetërore e një Fuqie të pavarur e Sovrane.

50

numrit të Bahá-it ¶30

Barasvlera numerike e “Bahá” është nëntë. Shtëpia Universale e Drejtësisë dhe Asambletë Shpirtërore Kombëtare e Lokale kanë aktualisht nga nëntë anëtarë secila, numrin minimal të urdhëruar nga Bahá’u’lláh·u.

51

Ata duhet të jenë të besuarit e të Mëshirshmit midis njerëzve ¶30

Pushtetet e detyrat e përgjithshme të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, të Asambleve Shpirtërore Kombëtare e të Asambleve Shpirtërore Lokale dhe cilësitë për të qenë anëtar i tyre janë shtjelluar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut e të ‘Abdu’l-Bahá·it, në letrat e Shoghi Effendi·ut dhe në sqarimet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Funksionet kryesore të këtyre institucioneve janë përvijuar në Kushtetutën e Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe në ato të Asambleve Shpirtërore Kombëtare e Lokale.

52

të këshillohen së bashku ¶30

Bahá’u’lláh·u ka vendosur konsultimin si njërin prej parimeve themelore të Besimit të Tij dhe i ka porositur besimtarët “të këshillohen së bashku për të gjitha çështjet”. Ai e ka cilësuar konsultimin si “llambën e udhërrëfimit që tregon rrugën” dhe si “dhurues të të kuptuarit”. Shoghi Effendi·u thotë se “parimi i konsultimit ... përbën një prej ligjeve bazë” të Rendit Administrativ Bahá’í.

Në Pyetje dhe Përgjigje, numër 99, Bahá’u’lláh·u shtjellon një mënyrë të përdorimit të konsultimit dhe thekson rëndësinë e arritjes së njëzëshmërisë në marrjen e vendimeve, e kur kjo nuk arrihet duhet të mbizotërojë vendimi i shumicës. Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se këto udhëzime për konsultimin janë reveluar para se të krijoheshin Asambletë Shpirtërore dhe ishin përgjigje për një pyetje lidhur me mësimet Bahá’í për konsultimin. Shtëpia e Drejtësisë thotë se lindja e Asambleve Shpirtërore, të cilave miqtë kurdoherë mund t’u drejtohen për ndihmë, kurrsesi nuk u ndalon atyre që të ndjekin procedurën e shtjelluar në Pyetje dhe Përgjigje. Kjo metodë mund të përdoret nga miqtë, po qe se dëshirojnë, kur kanë ndërmend të konsultohen për problemet e tyre vetjake.

53

Ndërtoni shtëpi adhurimi në të gjitha vendet ¶31

Shtëpia e Adhurimit Bahá’í i kushtohet lëvdimit të Perëndisë. Shtëpia e Adhurimit përbën godinën qendrore të Mashriqu’l-Adhkár·it (Vendagimit të Lëvdimit të Perëndisë), një kompleks që, duke u zhvilluar në të ardhmen, do të përfshijë veç Shtëpisë së Adhurimit një numër aneksesh për qëllime shoqërore, humanitare, edukative e shkencore. ‘Abdu’l-Bahá·i e cilëson Mashrikul Azkar-in si “një prej institucioneve më jetësore të botës” dhe Shoghi Effendi·u vë në dukje se ai mishëron në një formë të prekshme integrimin e “adhurimit e të shërbimit Bahá’í”. Duke i dalë përpara zhvillimit të ardhshëm të këtij institucioni, Shoghi Effendi·u parashikon se Shtëpia e Adhurimit dhe anekset e saj “do t’u japin përkrahje atyre që vuajnë, ndihmë të varfërve, strehë shtegtarëve, ngushëllim nevojtarëve dhe arsim të paditurve”. Në të ardhmen, Shtëpi të Adhurimit Bahá’í do të ngrihen në çdo qytet e fshat.

54

Zoti ka porositur që ata ndër ju që janë në gjendje le të bëjnë haxhillëk në Shtëpinë e Shenjtë ¶32

Dy Shtëpi të shenjta janë objekt i këtij urdhëri, Shtëpia e Báb·it në Shiraz dhe ajo e Bahá’u’lláh·ut në Bagdad. Bahá’u’lláh·u e ka përcaktuar se haxhillëku në secilën prej këtyre dy Shtëpive i përmbush kërkesat e këtij pasazhi (Py&Pë 25, Py&Pë 29). Në dy Tabela të veçanta, të njohura si Sureja e Haxhiut (Py&Pë 10), Bahá’u’lláh·u ka dhënë porosi lidhur me ritet e posaçme për secilin prej këtyre haxhillëqeve. Nga kjo pikëpamje, kryerja e një haxhillëku është më tepër se një vizitë e thjeshtë në këto dy shtëpi.

Pas vdekjes së Bahá’u’lláh·ut, ‘Abdu’l-Bahá·i caktoi Mauzoleun e Bahá’u’lláh·ut në Bahxhi si vend haxhillëku. Në një Tabelë, Ai vë në dukje se “Mauzoleu Më i Shenjtë, Shtëpia e Bekuar në Bagdad dhe Shtëpia shumë e nderuar e Báb·it në Shiraz” “i kushtohen haxhillëkut” dhe se është “e detyrueshme” të vizitohen këto vende “në qoftë se njeriu mund ta përballojë e është në gjendje ta bëjë këtë dhe në qoftë se nuk ndesh pengesa në rrugën e tij”. Për haxhillëkun në Mauzoleun Më të Shenjtë nuk është urdhëruar ndonjë rit.

55

dhe nga kjo ka përjashtuar gratë si shenjë mëshire nga ana e Tij ¶32

Në Bayán, Báb·i pat dhënë porosinë për të kryer haxhillëk një herë gjatë jetës ata prej pasuesve të tij që ishin financiarisht në gjendje të ndërmerrnin këtë udhëtim. Ai vinte në dukje se kjo nuk ishte e detyrueshme për gratë, për t’i ruajtur kështu ato nga vështirësitë e udhëtimit.

Edhe Bahá’u’lláh·u i përjashton gratë nga kërkesat e Tij për haxhillëk. Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se ky përjashtim nuk është ndalim dhe se gratë janë të lira të bëjnë haxhillëk.

56

të merret me ndonjë punë ¶33

Për gratë dhe burrat është e detyrueshme të merren me ndonjë tregti ose zanat. Bahá’u’lláh·u e lartëson “marrjen me një punë të tillë” në “rangun e adhurimit” të Perëndisë. Domethënia shpirtërore e praktike e këtij ligji dhe përgjegjësia e ndërsjellë e individit dhe e shoqërisë për zbatimin e tij shpjegohen në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut:

Lidhur me porosinë e Bahá’u’lláh·ut që besimtarët të merren me ndonjë zanat: Mësimet për këtë çështje janë shumë të sakta, sidomos thënia në Aqdas, e cila e bën fare të qartë se në Rendin e ri Botëror nuk ka vend për njerëzit përtacë që nuk kanë dëshirë të punojnë. Si pasojë e pashmangshme e këtij parimi, Bahá’u’lláh·u thotë më tej se lypësia jo vetëm duhet të shkurajohet, por edhe të zhduket krejtësisht nga faqja e shoqërisë. Ata që janë të ngarkuar me organizimin e shoqërisë e kanë për detyrë t’i japin çdo individi mundësinë për të fituar zotësi në ndonjë lloj zanati, si dhe mjetet për ta ushtruar këtë zotësi, qoftë në vetvete ashtu dhe për të fituar mjetet e jetesës. Çdo individ, sado i metë e i kufizuar që të jetë, ka për detyrë të merret me ndonjë punë a zanat, sepse puna, veçanërisht kur kryhet në frymën e shërbimit, është sipas Bahá’u’lláh·ut një formë e adhurimit. Ajo nuk ka vetëm qëllim utilitar, por ka edhe vlerë në vetvete, sepse na çon më pranë Perëndisë dhe na ndihmon të kapim më mirë qëllimin e Tij ndaj nesh në këtë botë. Është, pra, e qartë se trashëgimi i pasurive nuk përjashton askënd nga puna e përditshme.

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i thotë që “në qoftë se një person nuk është në gjendje të sigurojë jetesën, ndodhet në varfëri të thellë ose bëhet i paaftë për punë, atëherë është detyrë e të kamurve ose e Përfaqësuesve t’i sigurojnë atij një pagë mujore për të jetuar... Me “Përfaqësues” nënkuptohen përfaqësuesit e popullit, domethënë anëtarët e Shtëpisë së Drejtësisë”. (Shih gjithashtu shënimin 162 për lypësinë.)

Në përgjigje të një pyetjeje nëse urdhëri i Bahá’u’lláh·ut i detyron gratë ose nënat të punojnë si burrat për të siguruar jetesën, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpjeguar se direktiva e Bahá’u’lláh·ut është që miqtë të merren me një punë të dobishme për ata vetë e për të tjerët dhe se punët e shtëpisë janë një punë shumë e nderuar e me përgjegjësi, që ka rëndësi të dorës së parë për shoqërinë.

Përsa i përket tërheqjes nga puna të njerëzve që kanë arritur një moshë të caktuar, Shoghi Effendi·u në një letër të shkruar në emër të tij thotë se “kjo është një çështje për të cilën Shtëpia Universale e Drejtësisë duhet të nxjerrë ligje përderisa në Kitáb-i-Aqdas nuk ka porosi lidhur me këtë”.

57

Puthja e dorës është e ndaluar në Librin. ¶34

Në një numër Dispensacionesh fetare të mëparshme e në disa kultura puthja e dorës së një figure fetare ose të një personaliteti të shquar shihej si shenjë nderimi e respekti dhe si dëshmi nënshtrimi ndaj autoritetit të tyre. Bahá’u’lláh·u e ndalon puthjen e dorës dhe, në Tabelat e Tij, dënon gjithashtu zakonin e për¬kuljes deri në tokë ndaj të tjerëve, si dhe forma të tjera sjelljeje që poshtërojnë njeriun kundrejt një tjetri. (Shih shënimin 5)

58

Askujt nuk i lejohet të kërkojë falje të mëkateve nga një shpirt tjetër ¶34

Bahá’u’lláh·u e ndalon rrëfimin dhe kërkimin e faljes së mëkateve të një personi nga një qenie njerëzore. Përkundrazi, njeriu duhet të kërkojë ndjesë nga Perëndia. Në Tabelën e Bishárát-it, Ai thotë se “rrëfimi para njerëzve shkakton poshtërim e turpërim të personit” dhe se Perëndia “nuk dëshiron poshtërimin e shërbëtorëve të Tij”.

Shoghi Effendi·u shpjegon kontekstin e këtij ndalimi. Sekretari i tij ka shkruar në emër të tij se

...është e ndaluar t’i rrëfehemi ndonjë personi për mëkatet e të metat tona, siç bëjnë katolikët me priftërinjtë e tyre, ose ta bësh këtë publikisht, siç bëjnë disa sekte fetare. Por në qoftë se ndiejmë spontanisht dëshirën për të pranuar se e kemi pasur gabim në diçka, ose se kemi ndonjë të metë në karakter, dhe t’i kërkojmë të falur ose ndjesë një personi tjetër, jemi krejt të lirë ta bëjmë këtë.

Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar gjithashtu se ndalimi i Bahá’u’lláh·ut lidhur me rrëfimin e mëkateve nuk e pengon personin të pranojë shkeljet gjatë një konsultimi që zhvillohet nën patronazhin e institucioneve Bahá’í. Po kështu, nuk përjashton as mundësinë e të kërkuarit këshillë një miku të ngushtë ose një këshilltari profesionist për çështje të kësaj natyre.

59

Midis njerëzve është ai që ulet midis sandaleve te dera, ndërsa në zemër fsheh zilinë për vendin e nderit. ¶36

Tradicionalisht në Lindje ka qenë praktika për të hequr sandalet e këpucët para se të hyhet në një mbledhje. Pjesa e një dhome që ndodhet më larg hyrjes konsiderohet si kryet e dhomës dhe si vend nderi ku rrinë personat më të shquar ndër të pranishmit. Të tjerët zenë vend në radhë gjithnjë e më të ulët në drejtim të portës, pranë së cilës janë lënë sandalet e këpucët dhe ku ulen personat më të thjeshtë.

60

Dhe midis njerëzve është ai që pretendon për dije të brendshme ¶36

Kjo u referohet njerëzve që pretendojnë se kanë rrugëhyrje për në dije të brendshme dhe të cilët lidhja me dije të tilla i ndan si me perde nga Revelacioni i Manifestimit të Perëndisë. Gjetkë Bahá’u’lláh·u thotë: “Ata që janë adhurues të idhullit që ka gdhendur imagjinata e tyre dhe që e quajnë atë Realitet të Brendshëm, këta në të vërtetë numërohen ndër të pabesët”.

61

Sa njerëz e kanë mbyllur veten në klimat e Indisë, i kanë mohuar vetes gjërat që Perëndia i ka dekretuar si të ligjshme, i kanë imponuar vetes një regjim të rreptë e mundime trupore ¶36

Këto vargje përbëjnë një ndalim të murgërisë e të asketizmit. Shih Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.D.y.iii.-iv. Në Fjalët e Parajsës Bahá’u’lláh·u i zgjeron këto porosi. Ai thotë: “Të jetosh i mbyllur ose të praktikosh asketizmin nuk është e pranueshme në praninë e Perëndisë” dhe i fton ata që kanë të bëjnë me këtë t’i “përmbahen asaj që sjell gëzim e rrëzëllim”. Ai i urdhëron ata që “e kanë bërë banesën e tyre në shpellat e maleve” ose që “strehohen natën në varreza” të heqin dorë nga këto praktika dhe i porosit të mos e privojnë veten nga “të mirat” e kësaj bote që janë krijuar nga Perëndia për gjininë njerëzore. Dhe në Tabelën e Bishárát-it, ndërsa njeh “bëmat e devotshme” të murgjve e të priftërinjve, Bahá’u’lláh·u i u bën thirrje atyre “të heqin dorë nga jeta e mbyllur, t’i drejtojnë hapat drejt botës së hapur dhe të merren me atë që do t’u sjellë dobi atyre e të tjerëve”. Ai gjithashtu u jep lejë atyre “të lidhin martesë, që të mund të lindin një që do të përmendë Perëndinë”.

62

Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet ¶37

Dispensacioni i Bahá’u’lláh·ut do të vazhdojë deri në ardhjen e Manifestimit tjetër të Perëndisë, ardhja e të Cilit nuk do të ndodhë para se të kenë kaluar të paktën “plot njëmijë vjet”. Bahá’u’lláh·u paralajmëron që të mos i atribuohet “këtij vargu” asgjë veç “domethënies së qartë” të tij dhe, në një prej Tabelave të Veta, përcakton se “çdo vit” i kësaj periudhe njëmijëvjeçare përbëhet prej “dymbëdhjetë muajsh sipas Kuranit dhe prej nëntëmbëdhjetë muajsh nëntëmbëdhjetëditësh secili sipas Bayán·it”.

Njoftimi bërë Bahá’u’lláh·ut për Revelacionin e Tij në Síyáh-Chál·in e Ṭihrán·it, në tetor 1852, shënon lindjen e Misionit të Tij Profetik e, pra, fillimin e njëmijë vjetëve a më shumë që duhet të kalojnë para shfaqjes së Manifestimit tjetër të Perëndisë.

63

Për këtë ju kemi paralajmëruar kur ishim në Irak, dhe më pas, kur ndodheshim në Vendin e Misterit, dhe tani nga ky Vend i Shndritshëm. ¶37

“Vendi i Misterit” i referohet Adrianopojës dhe “ky Vend i Shndritshëm” është një referencë për ‘Akká-në.

64

Midis njerëzve është ai që dituria i ka rritur mendjen ... ai që kur dëgjon pas shpine hapin e sandaleve e ndien veten e tij më të madh ¶41

Në Lindje ka qenë zakon që pasuesit e një prijësi fetar ecnin një ose dy hapa prapa tij, në shenjë nderimi.

65

Nimrodi ¶41

Sipas traditës si hebraike dhe islamike, Nimrodi për të cilin bëhet referencë në këtë varg është një Mbret që ka përndjekur Abrahamin dhe emri i të cilit është bërë simboli i një krenarie të madhe.

66

Aghṣán ¶42

“Aghṣán” (shumësi i Ghuṣn) është një fjalë arabisht që do të thotë “Degët”. Ky term përdoret nga Bahá’u’lláh·u për të treguar pasardhësit e Tij meshkuj. Kjo ka të bëjë në mënyrë të posaçme jo vetëm me disponimin e dhurimeve, por edhe me trashëgiminë e autoritetit pas ndërrimit jetë të Bahá’u’lláh·ut (shih shënimin 145) dhe të ‘Abdu’l-Bahá·it. Në Librin e Besëlidhjes së Tij, Bahá’u’lláh·u caktoi ‘Abdu’l-Bahá·in, djalin e Vet të madh, si Qendrën e Besëlidhjes së Tij dhe Kryetar të Besimit. ‘Abdu’l-Bahá·i, në Vullnetin e Testamentin e Tij, caktoi Shoghi Effendi·un, nipin e Vet të madh, si Ruajtës e Kryetar të Besimit.

Pra, ky pasazh i Aqdas·it parashikon pasardhjen e Aghṣán-ëve dhe krijimin kështu të institucionit të Ruajtësisë, si dhe mundësinë e ndërprerjes në linjën e tyre. Vdekja e Shoghi Effendi·ut më 1957 solli pikërisht atë situatë që parashikohet në këtë pasazh, sepse linja e Aghṣán-ëve u ndërpre para se të ngrihej Shtëpia Universale e Drejtësisë (shih shënimin 67).

67

t’u takojnë njerëzve të Bahá-it ¶42

Bahá’u’lláh·u parashikon mundësinë që linja e Aghṣán-ëve të ndërpritet para se të krijohet Shtëpia Universale e Drejtësisë. Ai vendosi që në një situatë të tillë “dhurimet do t’u takojnë njerëzve të Bahá-it”. Në Shkrimet Bahá’í, termi “njerëzit e Bahá-it” përdoret në një numër kuptimesh të ndryshme. Në këtë rast me këtë term cilësohen ata “të cilët nuk flasin veçse me lejen e Tij dhe nuk gjykojnë veçse në pajtim me atë që Perëndia ka urdhëruar në këtë Tabelë”. Pas ndërrimit jetë të Shoghi Effendi·ut më 1957, Duart e Kauzës së Perëndisë drejtuan punët e Kauzës deri në zgjedhjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë në vitin 1963 (shih shënimin 183).

68

Mos e rruani kokën ¶44

Në disa tradita fetare konsiderohet e dëshirueshme të rruhet koka. Bahá’u’lláh·u e ndalon këtë dhe shpjegon se porosia që përmbahet në Surenë e Haxhiut, sipas së cilës haxhilerët që shkojnë në Shtëpinë e Shenjtë në Shiraz duhet të rruajnë kokën është zëvendësuar nga ky varg i Kitáb-i-Aqdas·it (Py&Pë 10).

69

nuk është e hijshme t’i lësh flokët të kalojnë kufirin e veshëve ¶44

Shoghi Effendi·u e ka bërë të qartë se, në ndryshim nga ndalimi për të rruar kokën, ky ligj që ndalon rritjen e flokëve tej bulës së veshit ka të bëjë vetëm me burrat. Zbatimi i këtij ligji kërkon sqarime nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

70

Për hajdutët janë dekretuar syrgjynosja e burgimi ¶45

Bahá’u’lláh·u thotë se përcaktimi i shkallës së ndëshkimit, sipas seriozitetit të fajit, i takon Shtëpisë së Drejtësisë (Py&Pë 49). Ndëshkimet për vjedhje janë të llogaritura për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, kur ato do të trajtohen e vihen në zbatim nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

71

në shkeljen e tretë, i vini një shenjë në ballë, në mëyrë që, duke e njohur, të mos e pranojnë në qytetet e në vendet e Perëndisë ¶45

Shenja që duhet t’i vihet në ballë hajdutit shërben për të paralajmëruar njerëzit për prirjet e tij. Të gjitha hollësitë lidhur me karakterin e shenjës, si duhet vënë shenja, sa gjatë do të mbahet, në ç’kushte mund të hiqet, si dhe shkallët e ndryshme të seriozitetit të vjedhjes, i janë lënë nga Bahá’u’lláh·u Shtëpisë Universale të Drejtësisë që t’i përcaktojë në kohën që ligji do të vihet në zbatim.

72

Kush dëshiron të përdorë orendi argjendi e ari është i lirë ta bëjë. ¶46

Në Bayán·in, Báb·i lejon përdorimin e orendive të arta e të argjendta, duke shfuqizuar kështu dënimin islamik për përdorimin e tyre, që nuk rrjedh nga ndonjë porosi e dhënë shprehimisht në Kuran por nga hadithet myslimane. Bahá’u’lláh·u mbështet këtu vendimin e Báb·it.

73

Kini mendjen që kur hani të mos futni duart në tasa e tabaka. ¶46

Ky ndalim është përcaktuar nga Shoghi Effendi·u si “zhytje e dorës në ushqim”. Në shumë pjesë të botës ka qenë zakon të ngrënit me duar nga një enë e përbashkët.

74

Merrni zakone sa më të hijshme. ¶46

Ky është i pari prej pasazheve të shumta që përmendin rëndësinë e sqimës e të pastërtisë. Fjala origjinale arabe “latáfah”, e përkthyer këtu “sqimë”, ka një numër të madh kuptimesh të karakterit shpirtëror e fizik, si elegancë, hijeshi, pastërti, sjellje e qytetëruar, mirësjellje, delikatesë e mirësi, si dhe të qënit me shije të hollë, sqimatar, i dëlirë e i kulluar. Sipas kontekstit të pasazheve të ndryshme të Kitáb-i-Aqdas·it ku ndeshet kjo fjalë, ajo është përkthyer ose “sqimë” ose “pastërti”.

75

Ai që është Agimi i Kauzës së Perëndisë nuk ka shoq në Pagabueshmërinë Më të Madhe. ¶47

Në Tabelën e Ishrakatit, Bahá’u’lláh·u thotë se Pagabueshmëria Më e Madhe kufizohet vetëm me Manifestimet e Perëndisë.

Kreu 45 në Përgjigje për disa pyetje i kushtohet një shpjegimi të ‘Abdu’l-Bahá·it për këtë varg të Aqdas·it. Në këtë kapitull Ai thekson, ndër të tjera, pandashmërinë e “pagabueshmërisë” thelbësore nga Manifestimet e Perëndisë dhe pohon se “çdo gjë që del prej tyre është baras me të vërtetën e në përputhje me realitetin”, se “Ata nuk janë nën hijen e ligjeve të mëparshme” dhe se “Çdo gjë që thonë Ata është Fjalë e Perëndisë dhe çdo gjë që bëjnë është veprim i drejtë”.

76

Çdo ati i është urdhëruar mësimi i djalit e i vajzës së tij në artin e shkrim-leximit ¶48

‘Abdu’l-Bahá·i, në Tabelat e Tij, jo vetëm tërheq vëmendjen lidhur me përgjegjësinë e prindërve për të arsimuar fëmijët e tyre, por edhe përcakton qartë se “arsimi dhe kultura e vajzave janë më të nevojshme se ato të djemve”, sepse vajzat një ditë do të bëhen nëna, dhe nënat janë edukatoret e para të brezave të rinj. Por në qoftë se një familje nuk ka mundësi të arsimojë të gjithë fëmijët, u duhet dhënë përparësi vajzave, sepse përmes nënave të arsimuara të mirat e dijes mund të përhapen me shumë efektshmëri e shpejt në gjithë shoqërinë.

77

Perëndia ka ngarkuar çdo shkelës dhe çdo shkelëse të kurorës me një gjobë, e cila duhet t’i paguhet Shtëpisë së Drejtësisë ¶49

Megjithëse termi i përkthyer këtu si marrëdhënie intime jashtë kurore ka parasysh, në një kuptim të gjerë, marrëdhënie seksuale të paligjshme midis personash të martuar ose të pamartuar (për përkufizimin e këtij termi shih shënimin 36), ‘Abdu’l-Bahá·i e ka përcaktuar se ndëshkimi i parashikuar këtu është për marrëdhënie seksuale midis personash të pamartuar. Ai vë në dukje se i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë ndëshkimin për marrëdhënie intime jashtë kurore të kryer nga një person i martuar. (shih gjithashtu Py&Pë 49).

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i përmend disa rrjedhoja shpirtërore të shkeljes së ligjeve të moralit dhe, lidhur me ndëshkimin e shtjelluar këtu, vë në dukje se synimi i këtij ligji është t’ua bëjë të qartë të gjithëve se një veprim i tillë është i turpshëm në sytë e Perëndisë dhe se, në rastet kur shkelja është provuar dhe gjoba është vënë, synimi kryesor është denoncimi i shkelësve, që ata të turpërohen e të humbasin nderin në sytë e shoqërisë. Ai thotë se një denoncim i tillë është në vetvete ndëshkimi më i madh.

Shtëpia e Drejtësisë që përmendet në këtë varg supozohet të jetë Shtëpia Lokale e Drejtësisë, e njohur tani për tani si Asamble Shpirtërore Lokale.

78

nëntë mithqálë ar, që dyfishohen në qoftë se faji përsëritet ¶49

Mithqáli është një masë peshe. Pesha e mithqálit tradicional të për¬dorur në Lindjen e Mesme është baras me 24 nakudë. Por mithqáli i përdorur nga Bahá’í·të është prej 19 nakudësh, “në pajtim me përcaktimin e Bayán·it” (Py&Pë 23). Pesha e nëntë prej këtyre mithqálëve është baras me 3775 gramë ose 05374 onsë troi.

Përsa i përket vënies së gjobës, Bahá’u’lláh·u e përcakton qartë se çdo gjobë e mëtejshme është dyfishi i së mëparshmes (Py&Pë 23); kështu, gjoba e vënë rritet në progresion gjeometrik. Vënia e kësaj gjobe është llogaritur për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, kur ligji do të trajtohet e vihet në zbatim nga Shtëpia Universale e Drejtësisë.

79

Ne jua kemi bërë të ligjshme të dëgjoni muzikë e këngë. ¶51

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar se “Ndër disa kombe të Lindjes muzika konsiderohej e qortueshme”. Megjithëse Kurani nuk përmban porosi të posaçme për këtë çështje, disa myslimanë e konsiderojnë të paligjshme të dëgjosh muzikë, ndërsa të tjerë e tolerojnë muzikën brenda disa kufijsh e me disa kushte të caktuara.

Në Shkrimet Bahá’í ka një numër pasazhesh që lëvdojnë muzikën. ‘Abdu’l-Bahá·i, për shembull, thotë se “muzika, e kënduar ose e luajtur, është ushqim shpirtëror për shpirtin dhe zemrën”.

80

O ju Njerëz të Drejtësisë! ¶52

Në shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá·it e të Shoghi Effendi·ut është sqaruar që, ndërsa anëtarësia e Shtëpisë Universale të Drejtësisë është e kufizuar vetëm me burra, si gratë dhe burrat mund të zgjidhen në Shtëpitë Dytësore e Lokale të Drejtësisë (të quajtura tani për tani Asamble Shpirtërore Kombëtare e Lokale).

81

Ndëshkimet për plagosje ose goditje të një personi varen nga shkalla e dëmtimit; për çdo shkallë Zoti i Gjykimit ka caktuar njëfarë zhdëmtimi. ¶56

Ndërsa Bahá’u’lláh·u ka përcaktuar se shkalla e ndëshkimit varet nga “serioziteti i dëmtimit”, nuk ka të dhëna që Ai të ketë përpunuar hollësitë për madhësinë e zhdëmtimit për shkallët e ndryshme të dëmit. Përgjegjësia për t’i përcaktuar këto i mbetet Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

82

Me të vërtetë, juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj ¶57

Ky urdhër është bërë baza për kremtimin e festave mujore Bahá’í dhe si i tillë përbën porosinë për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Në Bayán·in Arab, Báb·i u bënte thirrje pasuesve të Tij të mblidhen së bashku një herë në nëntëmbëdhjetë ditë për të treguar mikpritje e miqësi. Këtu Bahá’u’lláh·u e mbështet këtë dhe vë në dukje rolin bashkues të rasteve të tilla.

Pas Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u kanë zbërthyer hap pas hapi domethënien institucionale të kësaj porosie. ‘Abdu’l-Bahá·i ka nënvizuar rëndësinë e karakterit shpirtëror e lutësor të këtyre grumbullimeve. Shoghi Effendi·u, veç që ka thelluar më tej aspektet lutësore e shoqërore të Festës, ka zhvilluar elementin administrativ të një mbledhjeje të tillë dhe, duke e ndërtuar sistematikisht Festën, ka parashikuar një kohë konsultimi për punët e komunitetit Bahá’í, e cila përfshin edhe shkëmbimin e të rejave e të mesazheve.

Në përgjigje të një pyetjeje nëse kjo porosi është e detyrueshme, Bahá’u’lláh·u ka thënë se jo (Py&Pë 48). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, komenton më tej:

Pjesëmarrja në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve nuk është e detyrueshme, por shumë e rëndësishme, dhe çdo besimtar duhet ta konsiderojë një detyrë e një privilegj të jetë i pranishëm në raste të tilla.

83

Në qoftë se gjuani me kafshë ose shpendë grabitqarë, përmendni Emrin e Perëndisë kur i lëshoni ato për të ndjekur gjahun; sepse atëherë çdo gjë që të kapin do të jetë e ligjshme për ju, edhe sikur ta gjeni të ngordhur. ¶60

Me këtë ligj Bahá’u’lláh·u i thjeshton shumë praktikat e rregullat fetare të së kaluarës lidhur me gjuetinë. Ai ka thënë gjithashtu se gjuetia me armë të tilla si harqe e shigjeta, pushkë e të tjera si këto, përfshihet në këtë rregull, por se ngrënia e gjahut që gjendet i ngordhur në një çark ose rrjetë është e ndaluar. (Py&Pë 24).

84

mos e teproni në gjueti ¶60

Bahá’u’lláh·u nuk e ndalon gjuetinë, por Ai këshillon që të mos teprohet në gjueti. Shtëpia Universale e Drejtësisë duhet ta shohë në kohën e duhur se ç’do të thotë ta teprosh në gjueti.

85

Ai nuk u ka dhënë atyre të drejta mbi pronën e të tjerëve. ¶61

Porosia për të treguar përzemërsi ndaj të afërmëve të Bahá’u’lláh·ut nuk u jep atyre pjesë në pronën e të tjerëve. Kjo është në kundërshtim me praktikën e myslimanizmit shiit, në të cilën pasardhësit e Muhametit kanë të drejtë të marrin një pjesë të njëfarë takse.

86

Në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë shkatërron një shtëpi duke i vënë zjarrin, ju edhe atë do ta digjni; në qoftë se dikush në mënyrë të qëllimtë i merr jetën një tjetri, ju edhe atë do ta vrisni. ¶62

Ligji i Bahá’u’lláh·ut parashikon dënimin me vdekje për vrasje e zjarrvënie, me alternativën e burgimit të përjetshëm (shih shënimin 87).

Në Tabelat e Tij ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon dallimin midis hakmarrjes e dënimit. Ai thotë se individët nuk kanë të drejtë të hakmerren, se hakmarrja është e përbuzur në sytë e Perëndisë dhe se qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja, por dhënia e një dënimi për fajin e kryer. Në Përgjigje për disa pyetje, Ai thotë se është e drejta e shoqërisë të dënojë kriminelët, me qëllim që të mbrojë pjesëtarët e saj dhe ekzistencën e tyre.

Lidhur me këtë porosi, Shoghi Effendi·u në një letër të shkruar në emër të tij jep shpjegimin që vijon:

Në Aqdas·in, Bahá’u’lláh·u ka vendosur vdekjen si dënim për vrasje. Por Ai ka lejuar burgimin e përjetshëm si alternativë. Të dyja këto praktika do të ishin në pajtim me Ligjet e Tij. Ndoshta disa prej nesh nuk janë në gjendje të kapin urtinë e kësaj, kur kjo nuk përputhet me shikimin tonë të kufizuar; por ne duhet ta pranojmë atë duke ditur se Urtia e Tij, Mëshira e Tij dhe Drejtësia e Tij janë të përsosura e për shpëtimin e mbarë botës. Po qe se një njeri do të dënohej me vdekje padrejtësisht, a nuk mund të besojmë ne se Perëndia Fuqiplotë do ta shpërblente atë njëmijë herë më shumë në botën tjetër për një padrejtësi të tillë njerëzore? Nuk mund të hiqet dorë nga një ligj i dobishëm vetëm për shkak se në raste të rralla mund të dënohet një i pafajshëm.

Hollësitë e ligjit Bahá’í të dënimit për vrasje e për zjarrvënie, një ligj i llogaritur për një gjendje të ardhshme të shoqërisë, nuk janë përcaktuar nga Bahá’u’lláh·u. Hollësitë e ndryshme të ligjit, si shkalla e fajit, nëse duhen mbajtur parasysh rrethana lehtësuese dhe se cili prej dy dënimeve të parashikuara duhet të jetë norma, i janë lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë që të vendosë në dritën e rrethanave mbizotëruese kur ligji të hyjë në veprim. Edhe mënyra sesi do të zbatohet dënimi i është lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë të vendosë.

Lidhur me zjarrvënien, kjo varet nga fakti se çfarë “shtëpie” është djegur. Është e qartë se ka një dallim shumë të madh në shkallën e fajit midis një personi që djeg një magazinë bosh dhe një njeriu që i vë zjarrin një shkolle plot me fëmijë.

87

Në qoftë se e dënoni zjarrvënësin e vrasësin me burgim të përjetshëm, kjo do të jetë e pranueshme sipas porosive të Librit. ¶62

Në përgjigje të një pyetjeje për këtë varg të Aqdas·it, Shoghi Effendi·u ka thënë se dënimi kapital është lejuar, por është parashikuar një alternativë, “burgimi i përjetshëm”, “që zbut në mënyrë të konsiderueshme ashpërsinë e një dënimi të tillë”. Ai vë në dukje se “Bahá’u’lláh·u na ka dhënë rrugëzgjidhjen dhe prandaj na ka lënë të lirë të përdorim gjykimin tonë brenda disa kufizimeve që imponon ligji i Tij”. Në mungesë të udhëzimeve të posaçme për zbatimin e këtij aspekti të ligjit Bahá’í, i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të nxjerrë ligje për këtë çështje në të ardhmen.

88

Perëndia ju ka porositur të martoheni. ¶63

Bahá’u’lláh·u, në një prej Tabelave të Tij, thotë se Perëndia, duke vendosur këtë ligj, e ka bërë martesën “një fortesë mirëqenieje e shëlbimi”.

Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.a.-o., përmbledh e sintetizon porositë e Kitáb-i-Aqdas·it e të Pyetje dhe Përgjigje lidhur me martesën dhe kushtet në të cilat ajo lejohet (Py&Pë 3, Py&Pë 13, Py&Pë 46, Py&Pë 50, Py&Pë 84 dhe Py&Pë 92), ligjin e fejesës (Py&Pë 43), pagimin e prikës (Py&Pë 12, Py&Pë 26, Py&Pë 39, Py&Pë 47, Py&Pë 87 dhe Py&Pë 88), procedurat që duhen zbatuar në rast mungese të gjatë të bashkëshortit (Py&Pë 4 dhe Py&Pë 27) dhe rrethana të tjera të ndryshme ((Py&Pë 12 dhe Py&Pë 47). (Shih gjithashtu shënimin 89, shënimin 90, shënimin 91, shënimin 92, shënimin 93, shënimin 94, shënimin 95, shënimin 96,shënimin 97, shënimin 98, shënimin 9)

89

Kini mendjen mos merrni më shumë se dy gra. Kush kënaqet me një shoqe të vetme ndër shërbëtoret e Perëndisë, ai dhe ajo që të dy do të jetojnë në paqe. ¶63

Edhe pse duket sikur teksti i Kitáb-i-Aqdas·it lejon bigaminë, Bahá’u’lláh·u këshillon që paqja e kënaqësia rrjedhin nga monogamia. Në një Tabelë tjetër, Ai nënvizon sesa e rëndësishme është që njeriu të veprojë në mënyrë të tillë që “t’i sjellë rehati vetes dhe shoqes së tij”. ‘Abdu’l-Bahá·i, Interpretuesi i autorizuar i Shkrimeve Bahá’í, thotë se në fakt në tekstin e Aqdas·it urdhërohet monogamia. Ai e ka përpunuar këtë temë në një numër tabelash, duke përfshirë këtë që vijon:

Dije se poligamia nuk është e lejuar në ligjin e Perëndisë, sepse është porositur në mënyrë të qartë që duhet kënaqur me një grua të vetme. Marrja e një gruaje të dytë është kushtëzuar nga ruajtja e paanësisë dhe e drejtësisë ndaj të dyja grave në të gjitha rrethanat. Por është absolutisht e pamundur të ruash paanësinë e drejtësinë ndaj dy grave. Fakti që bigamia është kushtëzuar me një kusht të pamundur është një provë e qartë e ndalimit absolut të saj. Pra, nuk lejohet që një burrë të ketë më shumë se një grua.

Poligamia është një zakon shumë i lashtë midis pjesës më të madhe të njerëzimit. Monogamia është futur vetëm gradualisht nga Manifestimet e Perëndisë. Jesui, për shembull, nuk e ndaloi poligaminë, por ndaloi shkurorëzimin me përjashtim të rasteve të marrëdhënieve intime jashtë kurorës; Muhameti e kufizoi numrin e grave në katër, por e kushtëzoi marrjen e shumë grave me drejtësinë dhe rifuti lejimin e shkurorëzimit; Bahá’u’lláh·u, i Cili i reveloi Mësimet e Tij në mjedisin e një shoqërie myslimane, e futi çështjen e monogamisë gradualisht, sipas parimeve të urtisë e të shpalosjes hap pas hapi të qëllimit të Tij. Fakti që Ai u la pasuesve të Vet një Interpretues të pagabueshëm të Shkrimeve të Tij, i dha mundësi Atij që në pamje të jashtme të lejonte dy gra në Kitáb-i-Aqdas, por duke vënë një kusht që i dha mundësi ‘Abdu’l-Bahá·it të sqaronte më pas se synimi i ligjit ishte të mbështeste monogaminë.

90

kush dëshiron të marrë në shërbim një shërbëtore, mund ta bëjë këtë në mënyrë të përshtatshme ¶63

Bahá’u’lláh·u thotë se një burrë mund të marrë një shërbëtore për punët e shtëpisë. Kjo nuk ishte e lejueshme sipas zakonit mysliman shiit, veç në qoftë se punëdhënësi bënte me të një kontratë martese. Bahá’u’lláh·u thekson se “shërbimet” për të cilat bëhet fjalë në këtë varg janë vetëm “të tilla që kryhen, për një pagë të caktuar, nga çdo kategori tjetër shërbyesish, të rinj a të vjetër qofshin” (Py&Pë 30). Punëdhënësi nuk ka të drejta seksuale mbi shërbëtoren e tij. Ajo është “e lirë të zgjedhë një bashkëshort kurdo që t’i pëlqejë”, sepse nuk është e lejuar që gratë të blihen (Py&Pë 30).

91

Ky është urdhëri Im për ju; përmbajuni fort atij që të ndihmoni vetveten. ¶63

Edhe pse Kitáb-i-Aqdas urdhëron martesën, Bahá’u’lláh·u e sqaron se kjo nuk është e detyrueshme (Py&Pë 46). Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, gjithashtu deklaron se “martesa nuk është kurrsesi një detyrim” dhe thotë se “në fund të fundit i takon individit të vendosë nëse dëshiron të bëjë jetë familjare apo të jetojë beqar”. Në qoftë se një personi i duhet të presë një periudhë të gjatë kohe për të gjetur një shok jete ose të mbetet përfundimisht i vetëm, kjo nuk do të thotë se ky individ nuk mund të realizojë për këtë arsye synimin e vet në jetë, që është thelbësisht shpirtëror.

92

Ne e kemi kushtëzuar martesën me lejën e prindërve të tyre ¶65

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u ka komentuar këtë parashikim të ligjit:

Bahá’u’lláh·u e ka thënë qartë se për martesën Bahá’í kërkohet pëlqimi i të gjithë prindërve që janë gjallë. Kjo vlen si kur prindërit janë Bahá’í ose jo, të ndarë prej vitesh ose jo. Ai e ka formuluar këtë ligj të madh për të forcuar strukturën e shoqërisë, për të bërë sa më të ngushta lidhjet familjare, për të futur në zemrat e fëmijëve mirënjohje e respekt për ata që u kanë dhënë jetën dhe i kanë nisur shpirtrat e tyre në udhëtimin e përjetshëm drejt Krijuesit të tyre.

93

Asnjë martesë nuk mund të lidhet pa pagimin e një prike ¶66

Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.C.j.i.-v., përmbledh porositë kryesore lidhur me prikën. Këto porosi e kanë prejardhjen e tyre në Bayán.

Prika i duhet paguar nuses nga dhëndri. Ajo është caktuar 19 mithqálë ar i pastër për banorët e qyteteve dhe 19 mithqálë argjend për banorët e fshatrave (shih shënimin 94). Bahá’u’lláh·u vë në dukje që në qoftë se në çastin e martesës dhëndri nuk është në gjendje ta paguajë të plotë prikën, atij i lejohet t’i dorëzojë nuses një zotim të shkruar (Py&Pë 39).

Me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut shumë koncepte, zakone e institute të njohura janë ripërcaktuar dhe kanë marrë një kuptim të ri. Një prej tyre është edhe prika. Instituti i prikës është një zakon shumë i lashtë i mjaft kulturave dhe merr forma të ndryshme. Në disa vende prika është një pagesë që i bëhet dhëndrit nga prindërit e nuses; në vende të tjera është një pagesë që dhëndri u bën prindërve të nuses dhe që quhet “çmimi i nuses”. Në të dy rastet shuma që paguhet është shpesh mjaft e madhe. Ligji i Bahá’u’lláh·ut i shfuqizon të gjitha këto variante dhe e shndërron prikën në një akt simbolik, me anën e të cilit dhëndri i jep nuses një dhuratë me vlerë të kufizuar.

94

në nëntëmbëdhjetë mithqálë ar të pastër për banorët e qyteteve dhe në të njëjtën sasi argjendi për banorët e fshatrave ¶66

Bahá’u’lláh·u e thotë qartë se kriteri për të caktuar pagesën e prikës është vendbanimi i përhershëm i dhëndrit, e jo ai i nuses (Py&Pë 87, Py&Pë 88).

95

Atij që dëshiron ta rrisë këtë shumë, i ndalohet të kapërcejë kufirin e nëntëdhjetë e pesë mithqálëve ... Por në qoftë se ai kënaqet me shifrën më të ulët, për të do të jetë më mirë t’i përmbahet asaj që thuhet në Librin. ¶66

Në përgjigje të një pyetjeje për prikën, Bahá’u’lláh·u ka thënë:

Çdo gjë që është reveluar në Bayán, për ata që banojnë në qytete e fshatra, është miratuar dhe duhet të zbatohet. Por në Kitáb-i-Aqdas përmendet shifra më e ulët. Me këtë nënkuptohet shifra nëntëmbëdhjetë mithqálë argjend, që në Bayán është caktuar për banorët e fshatrave. Kjo është më e pëlqyeshme për Perëndinë, me kusht që të dyja palët të bien në ujdi. Qëllimi është të mbështetet mirëqenia e të gjithëve dhe të krijohet harmoni e bashkim midis njerëzve. Prandaj, sa më e madhe të jetë konsiderata që tregohet në këto raste aq më mirë është... Njerëzit e Bahá-it duhet të shoqërohen e të sillen ndaj njëri-tjetrit me dashurinë e sinqeritetin më të madh. Ata duhet të mos harrojnë interesat e të gjithëve, veçanërisht të miqve të Perëndisë.

‘Abdu’l-Bahá·i, në një prej Tabelave të Tij, përmbledh disa prej porosive për përcaktimin e madhësisë së prikës. Njësia e pagesës që përmendet në ekstraktin që vijon është “váhid-i”. Një váhid është baras me nëntëmbëdhjetë mithqálë. Ai thotë:

Banorët e qyteteve duhet të paguajnë në ar dhe banorët e fshatrave në argjend. Kjo varet nga mjetet financiare që disponon dhëndri. Në qoftë se është i varfër, ai paguan një váhid; në qoftë se ka mjete modeste, paguan dy váhidë; në qoftë se është në gjendje të mirë, paguan tre váhidë; në qoftë se është i pasur, paguan katër váhidë; në qoftë se është shumë i pasur, jep pesë váhidë. Në të vërtetë, kjo është çështje ujdie midis dhëndrit, nuses dhe prindërve të tyre. Çfarëdo ujdie të arrihet, ajo duhet zbatuar.

Po në këtë Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá·i i shtyn besimtarët t’ia referojnë çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji Shtëpisë Universale të Drejtësisë, e cila është “e autorizuar të nxjerrë ligje”. Ai thekson se “është ky organizëm që do të vërë në zbatim ligjet e do të hartojë legjislacion për çështje dytësore që nuk janë thënë shprehimisht në Tekstin e Shenjtë”.

96

në qoftë se dikush prej shërbëtorëve të Tij ka ndërmend të bëjë një udhëtim, ai duhet të caktojë për të shoqen kohën se kur do të kthehet në shtëpi ¶67

Në rastin kur një burrë largohet pa i njoftuar së shoqes datën e kthimit dhe ajo nuk merr lajme nga ai e humbet çdo gjurmë të tij, Bahá’u’lláh·u ka thënë që, po qe se burri ka qenë në dijeni të ligjit të shtjelluar në Kitáb-i-Aqdas, gruaja mund të martohet përsëri pasi të ketë pritur plot një vit. Por në qoftë se burri nuk ka qenë në dijeni të këtij ligji, gruaja duhet të presë derisa t’i vijnë lajme për të shoqin (Py&Pë 4).

97

asaj i takon të presë për një periudhë prej nëntë muajsh, pas së cilës nuk ka ndonjë pengesë që ajo të marrë burrë tjetër ¶67

Në rastin që burri nuk kthehet në fund të kohës së caktuar ose nuk njofton të shoqen për ndonjë vonesë, gruaja duhet të presë nëntë muaj dhe pas kësaj është e lirë të martohet përsëri, megjithëse është e pëlqyeshme që ajo të presë më gjatë (shih shënimin 147 për kalendarin Bahá’í).

Bahá’u’lláh·u thotë se në rrethana të tilla, në qoftë se gruas i vjen lajm për “vdekjen ose vrasjen e të shoqit”, para se të martohet përsëri ajo duhet gjithashtu të presë edhe nëntë muaj (Py&Pë 27). Në një prej Tabelave, ‘Abdu’l-Bahá·i e ka sqaruar më tej se periudha e pritjes prej nëntë muajsh pas marrjes së lajmit të vdekjes së të shoqit është e vlefshme vetëm në qoftë se i shoqi ka qenë larg në kohën që ka vdekur, dhe jo në qoftë se ai vdes në shtëpi.

98

ajo duhet të zgjedhë atë mënyrë veprimi që është e lavdërueshme ¶67

Bahá’u’lláh·u e përkufizon “mënyrën e veprimit që është e lavdërueshme” si “të pasurit durim” (Py&Pë 4).

99

dy dëshmitarëve të drejtë ¶67

Bahá’u’lláh·u e shpall “kriterin e drejtësisë” lidhur me dëshmitarët si “nami i mirë që gëzon midis njerëzve”. Ai thotë se nuk është e domosdoshme që dëshmitarët të jenë Bahá’í, përderisa “Dëshmia e të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, të çdo besimi a bindjeje qoftë, është e pranueshme para Fronit të Tij” (Py&Pë 79).

100

Në qoftë se midis burrit e gruas lind mëri e antipati, ai nuk duhet ta ndajë atë, por të presë me durim plot një vit ¶68

Në Mësimet Bahá’í shkurorëzimi dënohet ashpër. Por në qoftë se midis bashkëshortëve lind mëri e antipati, shkurorëzimi lejohet pasi të ketë kaluar plot një vit. Gjatë këtij viti të durimit, burri është i detyruar të kujdeset për sigurimin e jetesës të gruas e të fëmijëve dhe çiftit i kërkohet të bëjë përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin. Shoghi Effendi·u thotë se si burri dhe gruaja “kanë njëlloj të drejtë të kërkojnë shkurorëzimin” sa herë që njëri prej tyre “e sheh absolutisht të nevojshme ta bëjë këtë”.

Në Pyetje dhe Përgjigje, Bahá’u’lláh·u shtjellon disa çështje që kanë të bëjnë me vitin e durimit, zbatimin e tij (Py&Pë 12), duke përcaktuar datën e fillimit të tij (Py&Pë 19 dhe Py&Pë 40), kushtet për pajtimin (Py&Pë 38) dhe rolin e dëshmitarëve e të Shtëpisë Lokale të Drejtësisë (Py&Pë 73 dhe Py&Pë 98). Lidhur me dëshmitarët, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka sqaruar se në kohën e tanishme detyrat e dëshmitarëve në rast shkurorëzimi kryhen nga Asambletë Shpirtërore.

Dispozitat e hollësishme të ligjeve Bahá’í për shkurorëzimin janë përmbledhur në Pasqyrën Përmbledhëse e Kodifikimin, seksioni IV.C.a.-i.

101

Zoti ... e ka ndaluar praktikën që ju ndiqnit më parë kur e ndanit tri herë një grua. ¶68

Kjo i referohet një ligji islamik të shpallur në Kuran, i cili dekretonte që në rrethana të caktuara një burrë mund të rimartohej me gruan që kishte ndarë, vetëm në rast se ajo ishte martuar më parë me një tjetër e pastaj ishte ndarë prej tij. Bahá’u’lláh·u vë në dukje se ky është zakoni i ndaluar në Kitáb-i-Aqdas (Py&Pë 31).

102

Ai që ka ndarë gruan mund të vendosë, me kalimin e çdo muaji, të rimartohet me të kur ka dashuri e pëlqim të ndërsjellë, sakohë ajo nuk ka marrë një burrë tjetër ... veç po qe se gjendja e saj ndryshon në mënyrë të qartë. ¶68

Në një letër të shkruar në emër të tij, Shoghi Effendi·u thotë se qëllimi i frazës “me kalimin e çdo muaji” nuk është të verë ndonjë kufizim dhe se një çift i shkurorëzuar mund të rimartohet në çdo moment pas shkurorëzimit, sakohë asnjëra nga dy palët nuk është martuar deri atëherë me një tjetër.

103

fara nuk është e papastër ¶74

Në disa tradita fetare dhe në zakonin mysliman shiit fara ishte shpallur ritualisht e papastër. Këtu Bahá’u’lláh·u e flak këtë koncept. Shih gjithashtu shënimin 106 më poshtë.

104

Mbahuni pas litarit të sqimës ¶74

‘Abdu’l-Bahá·i i referohet ndikimit të “dëlirësisë e të shenjtërisë, të pastërtisë e të sqimës” në lartësimin e “gjendjes së njeriut” dhe në “zhvillimin e realitetit të brendshëm të njeriut”. Ai thotë: “Pasja e një trupi të dëlirë e të panjollë ushtron ndikim mbi shpirtin e njeriut”. (Shih gjithashtu shënimin 7)

105

Lajeni çdo gjë të ndotur me ujë që nuk ka pësuar ndryshime në asnjërin prej tre aspekteve ¶74

“Tre aspektet” që përmenden në këtë varg janë ndryshimet e ngjyrës, të shijës e të erës së ujit. Bahá’u’lláh·u jep udhëzime shtesë lidhur me ujin e kulluar dhe pikën në të cilën ai konsiderohet i papërshtatshëm për ta përdorur (Py&Pë 91).

106

Perëndia po kështu ka anuluar ... konceptin e “papastërtisë”, për shkak të të cilit shumë gjëra e njerëz janë konsideruar si të papastër. ¶75

Koncepti i “papastërtisë” rituale, siç e kuptojnë dhe e praktikojnë atë disa shoqëri fisnore e bashkësi fetare të disa Dispensacioneve të lashta, është anuluar nga Bahá’u’lláh·u. Ai thotë se përmes Revelacionit të Tij “të gjitha gjërat e krijuara u zhytën në detin e dëlirjes”. (Shih gjithashtu shënimin 12, shënimin 20 dhe shënimin 103).

107

atë ditë të parë të Riḍván·it ¶75

Kjo është një referencë për arritjen e Bahá’u’lláh·ut e të shokëve të Tij në Kopshtin e Najíbíyyih·ut jashtë qytetit të Baghdád Mírzá Yaḥyá it, që më vonë u quajt prej Bahá’í-ve Kopshti i Riḍvánit. Kjo ngjarje, që ndodhi tridhjetë e një ditë pas Novruzit, në prill 1863, shënoi fillimin e periudhës gjatë së cilës Bahá’u’lláh·u u shpalli shokëve të Vet Misionin e Tij. Në një Tabelë, Ai i referohet Deklarimit të Tij si “Dita e lumturisë supreme” dhe e ciëson Kopshtin e Riḍván·it si “Vendin nga i cili Ai përhapi mbi gjithë krijimin shkëlqimet e Emrit të Tij, Mëshirëplotit”. Bahá’u’lláh·u qëndroi dymbëdhjetë ditë në këtë Kopsht para se të nisej për në Stamboll, në vendin ku ishte syrgjynosur.

Deklarimi i Bahá’u’lláh·ut kremtohet çdo vit në dymbë-dhjetë ditët e Festës së Riḍvánit, të cilën Shoghi Effendi·u e cilëson si “festën më të shenjtë e më të rëndësishme midis të gjitha festave Bahá’í” (shih shënimin 138 dhe shënimin 140).

108

Bayán·i ¶77

Bayán·i, Libri Mëmë i Dispensacionit Bábí, është titulli që i ka dhënë Báb·i Librit të Tij të Ligjeve, por ky titull përdoret gjithashtu për tërësinë e Shkrimeve të Tij. Bayán·i Persian është vepra doktrinare madhore dhe bartësi kryesor i ligjeve të urdhëruara nga Báb·i. Bayán·i Arab shkon paralel me të për nga përmbajtja, por është më i vogël e me më pak peshë. Duke cilësuar Bayán·in Persian në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u vë në dukje se Bayán·i duhet konsideruar “në radhë të parë si një panegjirik i të Premtuarit sesa si një kod ligjesh e porosish të destinuara të jenë një udhërrëfim i përhershëm për brezat e ardhshëm”.

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar: “Bayán·i është zëvendësuar nga Kitáb-i-Aqdas·i, me përjashtim të atyre ligjeve që janë mbështetur e përmendur në Kitáb-i-Aqdas”.

109

zhdukja e librave ¶77

Në Tabelën e Ishraqat·it Bahá’u’lláh·u, duke iu referuar faktit që Báb·i i kishte vënë ligjet e Bayán·it në varësi nga miratimi i Tij, deklaron se i kishte futur në fuqi disa nga ligjet e Báb·it “duke i përfshirë ato në Kitáb-i-Aqdas me fjalë të tjera”, ndërsa disa të tjera i ka lënë mënjanë.

Lidhur me zhdukjen e librave, Bayán·i i urdhëronte pasuesit e Báb·it të zhduknin të gjithë librat, me përjashtim të atyre që ishin shkruar në mbrojtje të Kauzës e të Fesë së Perëndisë. Bahá’u’lláh·u e shfuqizon këtë ligj specifik të Bayán·it.

Përsa i përket natyrës dhe ashpërsisë së ligjeve të Bayán·it, Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, bën komentin që vijon:

Ligjet dhe urdhërat e ashpër të reveluar nga Báb·i mund të çmohen e të kuptohen drejt vetëm të interpretuar në dritën e vetë deklaratave të Tij për natyrën, synimin e karakterin e vetë Dispensacionit të Tij. Siç e zbulojnë qartë këto deklarata, Dispensacioni Bábí ishte thelbësisht i natyrës së një revolucioni fetar e me të vërtetë shoqëror, prandaj kohëzgjatja e tij do të ishte e shkurtër, por e mbushur plot ngjarje tragjike dhe reforma radikale e drastike. Báb·i dhe pasuesit e Tij i morën këto masa drastike me synimin që të minonin vetë themelet e ortodoksisë shiite, duke hapur kështu rrugën për ardhjen e Bahá’u’lláh·ut. Pra, për të shpallur pavarësinë e Dispensacionit të ri dhe për të përgatitur gjithashtu terrenin për afrimin e Revelacionit të Bahá’u’lláh·ut, Báb·i duhej të revelonte ligje tepër të ashpra, edhe pse shumë prej tyre kurrë nuk u zbatuan. Por vetë fakti që Ai i reveloi ato ishte në vetvete një provë e karakterit të pavarur të Dispensacionit të Tij dhe mjaftoi për të krijuar një tronditje aq të përhapur dhe për të nxitur një kundërvënie të tillë të klerikëve, që i shtyri ata të bëhen shkak i martirizimit të Tij.

110

Ne ju kemi lejuar të lexoni ato shkenca që janë të dobishme për ju, dhe jo të tilla që përfundojnë në polemika të kota ¶77

Shkrimet Bahá’í urdhërojnë fitimin e dijeve dhe studimin e arteve e të shkencave. Bahá’í·të ftohen të respektojnë njerëzit e kulturuar e me talent dhe paralajmërohen të mos ndjekin studime pa bukë, që shkaktojnë vetëm grindje boshe.

Në Tabelat e Tij Bahá’u’lláh·u i këshillon besimtarët të studiojnë shkenca e arte të tilla që janë “të dobishme” dhe i japin shtysë “përparimit e përmirësimit” të shoqërisë, ndërsa u tërheq vëmendjen kundër shkencave që “fillojnë me fjalë dhe mbarojnë me fjalë”, ndjekja e të cilave çon në “polemika të kota”. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, i krahason shkencat që “fillojnë me fjalë dhe mbarojnë me fjalë” me “ekskursione të pafrytshme në kleçka metafizike”, ndërsa në një letër tjetër shpjegon se ajo që Bahá’u’lláh·u kishte në radhë të parë parasysh me “shkenca” të tilla janë “ato traktate e komente teologjike që rëndojnë mendjen njerëzore, në vend që ta ndihmojnë atë t’i përmbahet së vërtetës”.

111

Ai Që ka biseduar me Perëndinë ¶80

Ky është një titull tradicional hebraik e islamik i Moisiut. Bahá’u’lláh·u thotë se me ardhjen e Revelacionit të Tij “veshët njerëzorë kanë pasur privilegjin të dëgjojnë se çfarë dëgjoi mbi Sinain Ai Që bisedoi me Perëndinë”.

112

Sinai ¶80

Mali në të cilin Perëndia i reveloi Ligjin Moisiut.

113

Fryma e Perëndisë ¶80

Është një prej titujve të përdorur në Shkrimet islamike e Bahá’í për të treguar Jesu Krishtin.

114

Karmeli ... Sioni ¶80

Karmeli, “Vreshti i Perëndisë”, është mali në Tokën e Shenjtë ku janë të vendosura Mauzoleu i Báb·it dhe selia e qendrës administrative botërore të Besimit.

Sioni është një kodër në Jerusalem, vendi tradicional i varrit të Mbretit David dhe simbol i Jerusalemit si Qytet i Shenjtë.

115

Arka Kërmëz ¶84

“Arka Kërmëz” është një referencë për Kauzën e Bahá’u’lláh·ut. Pasuesit e Tij janë quajtur “shokët e Arkës Kërmëz”, të lëvduar nga Báb·i në Qayyúmu’l-Asmá.

116

O Perandor i Austrisë! Ai Që është Agimi i Dritës së Perëndisë ndodhej në burgun e ‘Akká-së në kohën që ti u nise për të vizituar Xhaminë Al-Aqsá. ¶85

Franc Jozef·i (Franz Josef, 1830-1916), Perandor i Austrisë e Mbret i Hungarisë, bëri haxhillëk në Jerusalem më 186 Ndërsa ndodhej në Tokën e Shenjtë, ai nuk shfrytëzoi mundësinë të hetonte për Bahá’u’lláh·un, i Cili në atë kohë ishte i burgosur në ‘Akká.

Xhamia Al-Aqsá, fjalë për fjalë Xhamia “Më e largët”, përmendet në Kuran dhe është njëjtësuar me Malin e Tempullit në Jerusalem.

117

O Mbret i Berlinit! ¶86

Kajzeri Wilhelm·i I (Wilhelm Friedrich Ludwig, 1797-1888), mbreti i shtatë i Prusisë, u shpall Perandor i parë i Gjermanisë në janar 1871 në Versaj të Francës, pas fitores së Gjermanisë mbi Francën në Luftën Franko-Prusiane.

118

ai, pushteti i të cilit ia kalonte pushtetit tënd dhe pozita e të cilit ishte më e lartë se jotja ¶86

Kjo është një referencë për Napoleonin III (1808-1873), Perandor i Francezëve, që nga shumë historianë konsiderohej si monarku më i shquar i kohës së tij në Perëndim.

Bahá’u’lláh·u i drejtoi Napoleonit III dy Tabela dhe në të dytën profetizonte qartë se mbretëria e Napoleonit do të “zhytej në pështjellim”, se “perandoria do t’i ikte” nga duart dhe se populli i tij do të përjetonte “turbullira” të mëdha.

Brenda një viti, Napoleoni III pësoi një disfatë të bujshme nga dora e Kajzerit Vilhelmi I në betejën e Sedanit më 187 Ai shkoi syrgjyn në Angli, ku vdiq pas tre vjetësh.

119

O popull i Kostantinopojës! ¶89

Fjala e përkthyer këtu “Kostantinopojë” është në origjinal “Ar-Rúm” ose “Romë”. Në Lindjen e Mesme ky term është përdorur përgjithësisht për të treguar Kostantinopojën dhe Perandorinë Romane të Lindjes, më pas qytetin e Bizantit, ndërsa më vonë Perandorinë Otomane.

120

O vend që ndodhesh në brigjet e dy deteve! ¶89

Kjo është referencë për Kostantinopojën, të quajtur tani Stamboll. E vendosur në Bosfor, një ngushticë rreth 31 kilometra e gjatë që lidh Detin e Zi dhe Detin e Marmarasë, ajo është qyteti dhe porti më i madh i Turqisë.

Kostantinopoja ka qenë kryeqyteti i Perandorisë Otomane nga viti 1453 deri në vitin 192 Gjatë qëndrimit të Bahá’u’lláh·ut në këtë qytet, në fron ishte sulltani tiran Abdyl Hazizi. Sulltanët otomanë ishin gjithashtu Kalifë, autoriteti më i lartë i Islamit Sunit. Bahá’u’lláh·u parashikoi rënien e Kalifatit, që u abrogua më 192

121

O brigje të Rinit! ¶90

Në një prej Tabelave të Tij të shkruar para Luftës së Parë Botërore (1914-1918), ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon se, kur thoshte që i ka parë brigjet e Rinit “të mbuluara me gjak”, Bahá’u’lláh·u i referohej Luftës Franko-Prusiane (1870-1871), dhe se vuajtje të tjera do të vinin.

Në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u vë në dukje se “traktati tmerrësisht i rëndë “që iu imponua Gjermanisë pas disfatës së saj në Luftën e Parë Botërore “shkaktoi ‘vajtimin e Berlinit’, të profetizuar kobshëm një gjysmë shekulli më parë”.

122

O tokë e á-it ¶91

“á” është germa e parë e Ṭihránit, kryeqytetit të Iranit. Bahá’u’lláh·u shpesh herë ka parapëlqyer t’i paraqiste disa emra vendesh duke përmendur germën e tyre të parë. Sipas sistemit abxhad të llogaritjes, vlera numerike e á është nëntë, e barabartë me vlerën numerike të emrit Bahá.

123

brenda teje lindi Manifestimi i Lavdisë së Tij ¶92

Kjo është një referencë për lindjen e Bahá’u’lláh·ut në Ṭihrán më 12 nëntor 181

124

O tokë e Khá-së! ¶94

Referencë për provincën iraniane të Horasanit dhe zonat fqinjë, që përfshin qytetin e ‘Ishqábád (Ashkabad·it).

125

Po qe se dikush fiton njëqind mithqálë ar, nëntëmbë-dhjetë mithqálë prej tyre janë të Perëndisë dhe duhet t’i jepen Atij ¶97

Ky varg vendos Ḥuqúqu’lláh-un, të Drejtën e Perëndisë, dhënien e një pjese të caktuar të vlerës së zotërimeve të besimtarit. Kjo ofertë i bëhej Bahá’u’lláh·ut, si Manifestimi i Perëndisë, dhe pas Ngjitjes së Tij ‘Abdu’l-Bahá·it, si Qendra e Besëlidhjes. Në Vullnetin dhe Testamentin e Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i parashikoi që Ḥuqúqu’lláh-u duhej të jepej “përmes Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë”. Tani që nuk ka Ruajtës, ai jepet përmes Shtëpisë Universale të Drejtësisë, si Koka e Besimit. Ky fond përdoret për të mbështetur Besimin e Perëndisë, si dhe për qëllime të ndryshme filantropike. Dhënia e Ḥuqúqu’lláh-ut është një detyrim shpirtëror, plotësimi i të cilit është lënë në ndërgjegjen e çdo Bahá’í. Ndërsa është e lejuar t’i kujtohet komunitetit për kërkesat e ligjit të Hukuk-ut, asnjë besimtari nuk i duhet drejtuar për ta paguar atë.

Ky ligj është pëpunuar më tej në një numër zërash të Pyetje dhe Përgjigje. Pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut bazohet në llogaritjen e vlerës së zotërimeve individuale. Në qoftë se një person ka zotërime të një vlere të barabartë të paktën me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar (Py&Pë 8), është një detyrim shpirtëror të paguhen si Ḥuqúqu’lláh, vetëm një herë, nëntëmbëdhjetë për qind të shumës së përgjithshme (Py&Pë 89). Më tej, sa herë që të ardhurat e personit, pasi janë paguar të gjitha shpenzimet, e rrisin vlerën e zotërimeve të tij të paktën me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar, ai duhet të paguajë nëntëmbëdhjetë për qind të kësaj shtese, e kështu me radhë për çdo shtesë të mëtejshme (Py&Pë 8, Py&Pë 90).

Disa kategori zotërimesh, si banesa, përjashtohen nga pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut (Py&Pë 8, Py&Pë 42, Py&Pë 95), dhe janë formuluar zgjidhje të posaçme që parashikojnë rastin e humbjeve ekonomike (Py&Pë 44, Py&Pë 45), të investimeve të pafrytshme (Py&Pë 102) dhe të pagimit të Hukuk-ut kur personi vdes (Py&Pë 9, Py&Pë 69, Py&Pë 80). (Për këtë rast të fundit shih shënimin 4)

Pjesë të gjera nga Tabelat, nga Pyetje dhe Përgjigje e nga Shkrime të tjera që kanë të bëjnë me domethënien shpirtërore të Ḥuqúqu’lláh-ut, si dhe me hollësitë e zbatimit të tij, janë botuar në një përmbledhje me titull Ḥuqúqu’lláh-u.

126

Peticione të ndryshme kanë ardhur para fronit Tonë nga besimtarët lidhur me ligje të Perëndisë ... Ne, për rrjedhojë, kemi reveluar këtë Tabelë të Shenjtë dhe e kemi stolisur atë me rrobën e Ligjit të Tij, që ndoshta njerëzit t’u përmbahen porosive të Zotit të tyre. ¶98

“Për disa vite me radhë”, thotë Bahá’u’lláh·u në një prej Tabelave të Tij, “Pranisë Më të Shenjtë nga vende të ndryshme i kanë ardhur peticione që luteshin për ligjet e Perëndisë, por Ne e kemi përmbajtur Pendën derisa të vinte koha e caktuar”. Vetëm 25 vjet pas lindjes së Misionit të Tij Profetik në Síyáh-Chál·in e Ṭihránit, Bahá’u’lláh·u reveloi Kitáb-i-Aqdas·in, Thesarin e ligjeve të Dispensacionit të Tij. Edhe pasi e reveloi Aqdas·in, para se t’ua dërgonte atë miqve në Persi, Ai e mbajti me Vete për një kohë. Ky vonim me synim hyjnor në revelimin e ligjeve bazë të Perëndisë për këtë epokë dhe zbatimi i mëtejshëm gradual i përmbajtjes së tyre ilustrojnë parimin e revelacionit të shkallëzuar, i cili vlen edhe brenda për brenda misionit të çdo Profeti.

127

Vendi kërmëz ¶100

Kjo është një referencë për qytetin-burg të ‘Akká-së. Në Shkrimet Bahá’í fjala “kërmëz” përdoret në disa kuptime alegorike e simbolike. (Shih edhe shënimin 11)

128

Sadratu’l Muntahá ¶100

Fjalë për fjalë “Lulja më e largët e Lotusit”, e përkthyer nga Shoghi Effendi·u si “Pema tej së cilës nuk kalohet”. Në Islamin, për shembull, kjo përdoret në rrëfenjat për Udhëtimin Natën të Muhametit, si simbol për të treguar atë pikë në qiell tej së cilës as njerëz as engjëj nuk mund të kalojnë në afrimin pranë Perëndisë dhe për të përcaktuar kështu kufijt e dijes hyjnore që i revelohen njeriut. Kështu që në Shkrimet Bahá’í kjo përdoret shpesh herë për të treguar Vetë Manifestimin e Perëndisë. (Shih gjithashtu shënimin 16)

129

Libri Mëmë ¶103

Termi “Libri Mëmë” përdoret përgjithësisht për të treguar Librin qendror të një Dispensacioni fetar. Në Kuranin dhe në Hadithet islamike ky term përdoret për të cilësuar vetë Kuranin. Në Dispensacionin Bábí Libri Mëmë është Bayán·i, ndërsa në Dispensacionin e Bahá’u’lláh·ut Libri Mëmë është Kitáb-i-Aqdas·i. Për më tepër, Ruajtësi, në një letër të shkruar në emër të tij, ka vënë në dukje se ky koncept mund të përdoret edhe si “term kolektiv për të treguar kompleksin e Mësimeve të reveluara nga Bahá’u’lláh·u”. Ky term përdoret gjithashtu në një kuptim më të gjerë për të treguar Thesarin Hyjnor të Revelacionit.

130

Kush interpreton atë që është dërguar nga qielli i Revelacionit dhe ndryshon domethënien e qartë të saj ¶105

Në disa prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u vë në dukje dallimin midis vargjeve alegorike, të cilat i nënshtrohen interpretimit, dhe atyre vargjeve që kanë të bëjnë me çështje të tilla si ligjet e urdhërat, adhurimi e ritet fetare, domethënia e të cilave është e qartë dhe që kërkojnë bindje nga ana e besimtarëve.

Siç është shpjeguar në shënimin 145 dhe shënimin 184, Bahá’u’lláh·u caktoi Pasardhës dhe Interpretues të Mësimeve të Tij Djalin e Vet të madh ‘Abdu’l-Bahá·in. Nga ana e Vet, ‘Abdu’l-Bahá·i caktoi nipin e Tij më të madh, Shoghi Effendi·un, që Ta pasonte si interpretues i Shkrimeve të Shenjta dhe si Ruajtës i Kauzës. Interpretimet e ‘Abdu’l-Bahá·it e të Shoghi Effendi·ut konsidero¬hen si hyjnisht të frymëzuara dhe janë detyruese për Bahá’í·të.

Ekzistenca e interpretimeve të autoritetshme nuk përjashton që individë të ndryshëm t’i përkushtohen studimit të Mësimeve dhe të arrijnë në interpretime ose kuptime personale. Por në Shkrimet Bahá’í bëhet një dallim i qartë midis interpretimeve të autoritetshme dhe kuptimit që arrin çdo individ nga studimi i Mësimeve. Interpretimet personale të bazuara në kuptimin individual të Mësimeve janë fryt i aftësisë së arsyes së njeriut dhe, sigurisht, mund të ndihmojnë për një kuptim më të madh të Besimit. Megjithatë, pikëpamjeve të tilla u mungon autoriteti. Duke paraqitur idetë e veta personale, individët janë të ftuar të mos lënë mënjanë autoritetin e fjalëve të reveluara, të mos mohojnë ose kundërshtojnë interpretimet e autoritetshme dhe të mos hyjnë në polemika; përkundrazi, ata duhet të ofrojnë mendimet e tyre si një ndihmesë për dijen, duke e bërë të qartë se pikëpamjet e tyre janë thjesht personale.

131

mos u futni në hurdha publike të banjave persiane ¶106

Bahá’u’lláh·u ndalon përdorimin e hurdhave që gjenden në banjat publike tradicionale të Persisë. Në këto banja ishte zakon që shumë veta të laheshin bashkë në të njëjtën hurdhë dhe që uji të ndërrohej jo shpesh. Për rrjedhojë, uji ishte i turbullt, i pistë e i dëmshëm për shëndetin dhe binte erë shumë të keqe.

132

Shmangiuni gjithashtu hurdhave me erë të keqe në oborret e shtëpive persiane ¶106

Shumë shtëpi në Persi kishin në oborrin e tyre një hurdhë, e cila shërbente si rezervuar uji që përdorej për pastrim, për të larë e për qëllime të tjera shtëpiake. Meqenëse uji i hurdhave ishte i ndenjur dhe zakonisht nuk ndërrohej për javë të tëra, kishte prirjen të merrte një erë shumë të pakëndshme.

133

Ju ndalohet të martoheni me gratë e atit tuaj. ¶107

Martesa me njerkën ndalohet shprehimisht këtu. Ky ndalim vlen edhe për martesën me njerkun. Aty ku Bahá’u’lláh·u formulon një ligj midis një burri e një gruaje, ai zbatohet mutatis mutandis edhe midis një gruaje e një burri, veç rasteve kur konteksti e bën këtë të pamundur.

‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u konfirmojnë që edhe pse njerkat janë e vetmja kategori e familjarëve që përmendet në tekst, kjo nuk do të thotë se të gjitha bashkimet e tjera në gjirin e një familjeje janë të lejueshme. Bahá’u’lláh·u thotë se i takon Shtëpisë së Drejtësisë të nxjerrë ligje “lidhur me ligjshmërinë ose jo për t’u martuar me farefisin e vet” (Py&Pë 50). ‘Abdu’l-Bahá ka shkruar se sa më e largët të jetë lidhja e gjakut midis çiftit aq më mirë është, duke qenë se martesa të tilla janë baza e mirëqenies fizike të njerëzimit dhe sjellin miqësi midis njerëzve.

134

çështja e djemve ¶107

Në origjinalin arabisht, fjala e përkthyer këtu si “djem” në këtë kontekst nënkupton pederastinë. Shoghi Effendi·u e ka interpretuar këtë referencë si ndalim të të gjitha marrëdhënieve homoseksuale.

Mësimet Bahá’í për moralin seksual mbështeten mbi martesën dhe familjen, si themeli i shëndoshë i gjithë strukturës së shoqërisë njerëzore, dhe kanë për qëllim të mbrojnë e të forcojnë këtë institut hyjnor. Prandaj ligji Bahá’í i kufizon marrëdhëniet seksuale të lejuara në marrëdhëniet midis burrit dhe gruas me të cilën ai është martuar.

Në një letër të shkruar në emër të Shoghi Effendi·ut, thuhet:

Është gabim të lejohet që dashuria midis personave të të njëjtit seks, sado e thellë dhe e bukur që të jetë, të gjejë shprehje në akte seksuale. Të thuash se kjo është ideale, ky nuk është justifikim. Bahá’u’lláh·u ndalon me të vërtetë imoralitetin e çdo lloji, dhe si të tilla i shikon Ai marrë-dhëniet homoseksuale, që veç kësaj janë kundër natyrës. Të jesh i sëmurë nga kjo është një barrë e rëndë për një shpirt të ndërgjegjshëm. Por me këshillën e ndihmën e mjekëve, me një përpjekje të fuqishme e të vendosur dhe me anë të lutjes, një shpirt mund ta kapërcejë këtë gjymtim.

Bahá’u’lláh·u udhëzon që Shtëpia Universale e Drejtësisë të vendosë, sipas shkallës së fajit, ndëshkimet për marrëdhëniet intime jashtë kurore dhe për pederastinë (Py&Pë 49).

135

Askujt nuk i lejohet të mërmërisë vargje të shenjta para njerëzve duke ecur në rrugë ose në pazar ¶108

Kjo është një aluzion për zakonin e disa klerikëve e prijësve fetarë të Dispensacioneve të mëparshme, të cilët, për hipokrizi e për t’u shtirur dhe për të fituar lëvdatat e pasuesve të tyre, mërmërisnin sa për sy e faqe lutje në vende publike si shenjë të devotshmërisë së tyre. Bahá’u’lláh·u e ndalon një sjellje të tillë dhe thekson rëndësinë e përvuajtësisë e të devotshmërisë së vërtetë ndaj Perëndisë.

136

Secili e ka për detyrë të shkruajë një testament. ¶109

Sipas Mësimeve të Bahá’u’lláh·ut, çdo njeri ka për detyrë të shkruajë vullnetin e tij të fundit e një testament dhe është i lirë të disponojë pasurinë e vet ashtu si t’i pëlqejë (shih shënimin 38).

Bahá’u’lláh·u thotë që, duke bërë testamentin, “secili ka të drejta të plota mbi pasurinë e vet”, derisa Perëndia e ka lejuar individin “të bëjë çfarë të dojë me atë që i ka dhuruar atij” (Py&Pë 69). Në Kitáb-i-Aqdas janë shpallur udhëzimet për shpërndarjen e trashëgimit në rast se nuk ka testament. (Shih shënimin 38, shënimin 39, shënimin 40, shënimin 41, shënimin 42, shënimin 43, shënimin 44, shënimin 45, shënimin 46, shënimin 47, shënimin 4)

137

Emri Më i Madh ¶109

Siç është shpjeguar në shënimin 33, Emri Më i Madh i Perëndisë mund të marrë forma të ndryshme, të bazuara të gjitha në fjalën “Bahá”. Bahá’í·të në Lindje e kanë zbatuar këtë urdhër të Aqdas·it duke i filluar testamentet e veta me fraza të tilla si “O Ti Lavdi e Lavdiplotit”, “Në emër të Perëndisë, Lavdiplotit” ose “Ai është Lavdiploti” e të tjera si këto.

138

Të gjitha Festat kanë arritur përmbushjen e tyre në dy Festat Më të Mëdha, si dhe në dy Festa të tjera që bien në ditët binjake ¶110

Ky pasazh vendos katër festa të mëdha të vitit Bahá’í. Dy që janë caktuar nga Bahá’u’lláh·u si “dy Festat Më të Mëdha” janë, e para Festa e Riḍvánit, e cila përkujton Deklarimin e Misionit të Tij Profetik në Kopshtin e Riḍvánit në Bagdad gjatë dymbëdhjetë ditëve në prill-maj 1863, të cilësuar prej Tij si “Mbretëresha e Festave”, dhe e dyta Deklarimi i Báb·it, që ndodhi në Shiraz në maj 184 Dita e parë, e nëntë dhe e dymbëdhjetë e Festës së Riḍvánit janë Ditë të Shenjta (Py&Pë 1), si dhe dita e Deklarimit të Báb·it.

“Dy Festat e tjera” janë përvjetorët e lindjes të Bahá’u’lláh·ut e të Báb·it. Në kalendarin hënor mysliman këto bien në dy ditë njëra pas tjetrës, respektivisht ditëlindja e Bahá’u’lláh·ut në ditën e dytë të muajit të Muharremit 1233 A.H. (12 nëntor 1817) dhe ditëlindja e Báb·it në ditën e parë të po atij muaji 1235 A.H. (20 tetor 1819). Prandaj janë quajtur “Ditëlindje Binjake” dhe Bahá’u’lláh·u thotë se në sytë e Perëndisë këto dy ditë shihen si një e vetme (Py&Pë 2). Ai thotë që, në qoftë se ato bien gjatë muajit të agjërimit, porosia për të agjëruar nuk zbatohet në ato ditë (Py&Pë 36). Duke qenë se kalendari Bahá’í është kalendar diellor (shih shënimin 26 dhe shënimin 147), i takon Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë nëse Ditëlindjet e Shenjta Binjake duhen kremtuar mbi një bazë diellore apo hënore.

139

në ditën e parë të muajit të Bahá-it ¶111

Në kalendarin Bahá’í, muaji i parë i vitit dhe dita e parë e çdo muaji janë quajtur me emrin “Bahá”. Dita e Bahá-it e muajit të Bahá-it është kështu dita e Vitit të Ri Bahá’í, Novruzi, që është urdhëruar nga Báb·i si festë dhe këtu është konfirmuar nga Bahá’u’lláh·u (shih shënimin 26 dhe shënimin 147).

Veç shtatë Ditëve të Shenjta të urdhëruara në këto pasazhe të Kitáb-i-Aqdas·it, në kohën e Bahá’u’lláh·ut përkujtohej si Ditë e Shenjtë edhe përvjetori i Martirizimit të Báb·it dhe, si rrjedhojë e domosdoshme e kësaj, ‘Abdu’l-Bahá·i shtoi përkujtimin e Ngjitjes së Bahá’u’lláh·ut, duke u bërë gjithsej nëntë Ditë të Shenjta. Dy përvjetorë të tjerë që përkujtohen, por gjatë të cilëve puna nuk ndërpritet, janë Dita e Besëlidhjes dhe përvjetori i Vdekjes së ‘Abdu’l-Bahá·it. Shih seksionin për kalendarin Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

140

Festa Më e Madhe është, me të vërtetë, Mbretëresha e Festave ¶112

Kjo është një referencë për Festën e Riḍvánit (shih shënimin 107 dhe shënimin 138).

141

Më parë Perëndia i kishte ngarkuar secilit besimtar detyrën për të blatuar para fronit Tonë dhurata të paçmuara nga zotërimet e tij. Tani ... Ne i kemi liruar ata nga ky detyrim. ¶114

Ky pasazh shfuqizon një masë të Bayán·it që dekretonte se të gjitha objektet unikale të llojit të vet duhej t’i jepeshin Atij Që Perëndia do Ta shfaqë, kur Ai të shfaqej. Báb·i ka shpjeguar që, duke qenë se Manifestimi i Perëndisë është i pakrahasueshëm, çdo gjë e pashoqe në llojin e vet duhet me të drejtë t’i rezervohet Atij, në qoftë se Ai nuk dekreton ndryshe.

142

në agim ¶115

Përsa i përket pjesëmarrjes në lutjen e agimit në Mashrikul Azkar, Shtëpinë e Adhurimit Bahá’í, Bahá’u’lláh·u ka shpjeguar që, megjithëse koha e specifikuar në Librin e Perëndisë është “në agim”, është e pranueshme çdo kohë që nga “zbardhja e agimit, midis agimit dhe lindjes së diellit, ose edhe deri në dy orë pas lindjes së diellit” (Py&Pë 15).

143

Këto Tabela janë zbukuruar me vulën e Atij Që bën të agojë dita, Që ngre zërin midis qiejve dhe tokës. ¶117

Bahá’u’lláh·u pohon në mënyrë të përsëritur vërtetësinë absolute të Shkrimeve të Tij si Fjala e Perëndisë. Disa prej Tabelave të Tij gjithashtu kanë shenjën e njërës prej vulave të Tij. The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi V, f. 4, ka një fotografi të disa prej vulave të Bahá’u’lláh·ut.

144

Është e papranueshme që njeriu, të cilit i është dhuruar arsyeja, të kryejë diçka që ia rrëmben atë. ¶119

Në Shkrimet Bahá’í ka shumë pasazhe që ndalojnë përdorimin e verës e të pijeve të tjera dehëse dhe që tregojnë efektin shkatërrimtar të tyre mbi njeriun. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh·u thotë:

Kini mendjen të mos e shkëmbeni Verën e Perëndisë me verën tuaj, sepse ajo trullos mendjen dhe e largon shikimin tuaj nga fytyra e Perëndisë, Lavdiplotit, të Pashoqit, të Paarritshmit. Mos iu avitni asaj, sepse ju është ndaluar me urdhër të Perëndisë, të Lartësuarit, Fuqiplotit.

‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon se Aqdas·i ndalon “si pijet e lehta dhe të forta” dhe thotë se arsyeja e ndalimit të pijeve alkoolike është sepse “alkooli e çon mendjen në rrugë të gabuar dhe shkakton dobësimin e trupit”.

Shoghi Effendi·u, në disa letra të shkruara në emër të tij, thotë se ky ndalim përfshin jo vetëm konsumin e verës, por edhe të “çdo gjëje që turbullon mendjen”, dhe sqaron se përdorimi i alkoolit lejohet vetëm kur ai është pjesë e një trajtimi mjekësor që jepet “me këshillë të një mjeku kompetent e të ndërgjegjshëm, që mund të jetë i detyruar ta japë atë për kurimin e ndonjë sëmundjeje të veçantë”.

145

kthejeni fytyrën nga Ai që Perëndia ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë ¶121

Bahá’u’lláh·u bën aluzion këtu për ‘Abdu’l-Bahá·in si Pasardhësi i Tij dhe i fton besimtarët të kthehen drejt Tij. Në Librin e Besëlidhjes, Vullnetin e Testamentin e Tij, Bahá’u’lláh·u shpalos domethënien e këtij vargu. Ai thotë: “Objekti i këtij vargu të shenjtë s’është tjetër veçse Dega Më e Fuqishme”. “Dega Më e Fuqishme” është një prej titujve që Bahá’u’lláh·u i ka dhënë ‘Abdu’l-Bahá·it. (Shih gjithashtu shënimin 66 dhe shënimin 184).

146

Në Bayán ju është ndaluar të Na bëni pyetje. ¶126

Báb·i ua ndalonte pasuesve të Tij t’i bënin pyetje Atij Që Perëndia do Ta shfaqë (Bahá’u’lláh·un), veçse po t’i bënin ato me shkrim dhe për çështje të denja për pozitën e Tij të lartë. Shih Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

Bahá’u’lláh·u e heq këtë ndalim të Báb·it. Ai i fton besimtarët të bëjnë pyetje për ato që “kanë nevojë të pyesin” dhe i këshillon të mos bëjnë “pyetje të kota” si ato që preokuponin “njerëzit e kohëve të shkuara”.

147

Numri i muajve në një vit, i caktuar në Librin e Perëndisë, është nëntëmbëdhjetë. ¶127

Viti Bahá’í, sipas kalendarit Badí‘, përbëhet nga nëntëmbëdhjetë muaj prej nëntëmbëdhjetë ditësh secili, duke shtuar disa ditë plotësuese (katër në një vit të zakonshëm dhe pesë në një vit të brishtë) midis muajit të tetëmbëdhjetë e të nëntëmbëdhjetë, për t’ia përshtatur kalendarin vitit diellor. Báb·i u vuri muajve emra sipas disa atributeve të Perëndisë. Dita e Vitit të Ri Bahá’í, Novruzi, është e përcaktuar astronomikisht dhe përkon me sanataditën e marsit (shih shënimin 26). Për hollësi të mëtejshme, duke përfshirë emrat e ditëve të javës dhe të muajve, shih seksionin e kalendarit Bahá’í në The Bahá’í World [Bota Bahá’í], vëllimi XVIII.

148

i pari është stolisur me këtë Emër që ka mbuluar tërë krijimin ¶127

Në Bayán·in Persian, Báb·i i dha emrin “Bahá” muajit të parë të vitit (shih shënimin 139).

149

Zoti ka urdhëruar që të vdekurit të shtihen në dhe në arkivole ¶128

Në Bayán, Báb·i porosiste që të vdekurit të shtihen në dhe në arkivole prej kristali ose prej guri të lëmuar. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, ka shpjeguar se domethënia e kësaj mase ishte të tregohej respekt për trupin njerëzor, i cili “një kohë ishte i fisnikëruar nga shpirti i pavdekshëm i njeriut”.

Me pak fjalë, ligji Bahá’í për varrimin e të vdekurve thotë se është e ndaluar të çohet trupi më larg se një orë rrugë nga vendi i vdekjes; se trupi duhet të mbështillet me një pëlhurë të hollë mëndafshi ose pambuku dhe në gisht t’i vihet një unazë me mbishkrimin “Kam ardhur nga Perëndia dhe tek Ai kthehem, i shkëputur nga gjithçka veç Tij, duke u mbajtur fort pas Emrit të Tij, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit”; dhe se arkivoli duhet të jetë prej kristali, prej guri ose prej druri të fortë të një cilësie të mirë. Është vendosur një Lutje e posaçme për të Vdekurit (shih shënimin 10), e cila duhet thënë para shtirjes në dhe. Siç vënë në dukje ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Ruajtësi, lutja solemne dhe unaza duhen përdorur për ata që kanë arritur moshën e pjekurisë, dmth 15 vjeç (Py&Pë 70).

Përsa i përket materialit nga i cili duhet bërë arkivoli, thelbi i ligjit është se duhet bërë prej një materiali sa më rezistent. Kështu, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpjeguar se, veç materialeve të specifikuara në Aqdas, nuk ka kundërshtim që për arkivolin të përdoret druri më i fortë që disponohet ose betoni. Tani për tani, Bahá’í·të janë lënë të lirë të zgjedhin vetë lidhur me këtë.

150

Pika e Bayán·it ¶129

“Pika e Bayán·it” është një prej titujve me të cilin Báb·i i referohej Vetvetes.

151

të vdekurit duhet të mbështillen me pesë copë pëlhura mëndafshi ose pambuku ¶130

Në Bayán·in, Báb·i e ka përcaktuar se trupi i të vdekurit duhet mbështjellë me pesë copë pëlhura mëndafshi ose pambuku. Bahá’u’lláh·u e mbështet këtë masë dhe shton kushtin se për “ata që kanë mjete të kufizuara është e mjaftueshme një copë e vetme e njërës prej këtyre pëlhurave”.

Kur e pyetën nëse “pesë copë pëlhura” që përmenden në ligj duan të thonë “pesë qefinë të plotë” apo “pesë copë pëlhura që janë përdorur zakonisht deri atëherë”, Bahá’u’lláh·u u përgjigj se me këtë nënkuptohej “përdorimi i pesë copë pëlhurave” (Py&Pë 56).

Përsa i përket mënyrës sesi duhet mbështjellë trupi, në Shkrimet Bahá’í nuk ka asgjë që të përcaktojë sesi duhet bërë mbështjellja e trupit dhe as kur përdoren “pesë copë pëlhura” ose “një pëlhurë e vetme”. Tani për tani, Bahá’í·të janë lënë të lirë të përdorin gjykimin e vet për këtë çështje.

152

Ju ndalohet ta transportoni trupin e të vdekurit në një largësi më të madhe se një orë rrugë nga qyteti ¶130

Qëllimi i kësaj porosie është të kufizohet kohëzgjatja e udhëtimit në një orë kohë, pavarësisht nga mjeti i transportit që është zgjedhur për ta çuar trupin në vendin e varrimit. Bahá’u’lláh·u thotë se sa më parë të bëhet varrimi “aq më e përshtatshme dhe e pranueshme është kjo” (Py&Pë 16).

Mund të kuptohet që vendi i vdekjes të përfshijë qytetin ose qytezën në të cilën personi ndërron jetë , prandaj një orë udhëtim mund të llogaritet nga kufiri i qytetit deri në vendin e varrimit. Thelbi i ligjit të Bahá’u’lláh·ut është që i ndjeri të varroset afër vendit ku ai ose ajo vdes.

153

Perëndia i ka hequr kufizimet për udhëtim që ishin vendosur në Bayán. ¶131

Báb·i kishte vendosur disa kufizime për udhëtimet, që mbetën në fuqi deri në ardhjen e të Premtuarit të Bayán·it, kohë në të cilën besimtarët inkurajoheshin të niseshin, qoftë edhe në këmbë, për Ta takuar, duke qenë se arritja e Pranisë së Tij ishte fryti dhe qëllimi i vetë ekzistencës së tyre.

154

Lartësoni e nderoni dy Shtëpitë në Vendet e Shenjta Binjake dhe vendndodhjet e tjera ku froni i Zotit tuaj ... është vendosur. ¶133

Bahá’u’lláh·u i njëjtëson “dy Shtëpitë” si Shtëpia e Tij në Bagdad, të quajtur prej Tij “Shtëpia Më e Madhe”, dhe Shtëpia e Báb·it në Shiraz, të caktuara që të dyja prej Tij si vende haxhillëku. (Shih Py&Pë 29, Py&Pë 32 dhe shënimin 54).

Shoghi Effendi·u ka shpjeguar se thënia “vendndodhjet e tjera ku froni i Zotit tuaj ... është vendosur” u referohet atyre vendeve ku Personi i Manifestimit të Perëndisë ka banuar. Bahá’u’lláh·u thotë se “njerëzit e zonës ku këto ndodhen mund të zgjedhin që të ruajnë çdo shtëpi” ku Ai ka banuar, ose “njërën prej tyre” (Py&Pë 32). Institucionet Bahá’í kanë gjetur, kanë dokumentuar dhe atje ku ka qenë e mundur kanë blerë e restauruar disa prej vendndodhjeve historike që lidhen me Manifestimet Binjake.

155

Kini mendjen që asgjë e shkruar në Librin të mos ju pengojë t’i vini veshin këtij që është Libri i Gjallë ¶134

“Libri” është regjistrimi i Fjalës së reveluar të Manifestimit të Perëndisë. “Libri i Gjallë” është një referencë për Personin e Manifestimit.

Këto fjalë përmbajnë një aluzion për një thënie të Báb·it në Bayán·in Persian lidhur me “Librin e Gjallë”, të cilin Ai e njëjtëson me Atë Që Perëndia do Ta shfaqë. Në një prej Tabelave të Tij Vetë Bahá’u’lláh·u thotë: “Libri i Perëndisë është dërguar në formën e këtij të Riu”.

Në këtë varg të Aqdas·it, dhe përsëri në paragrafin 168 të Aqdas·it, Bahá’u’lláh·u i referohet Vetes së Tij si “Libri i Gjallë”. Ai paralajmëron “pasuesit e çdo Besimi tjetër” të mos kërkojnë “në Librat e tyre të Shenjtë arsye” për të hedhur poshtë fjalët e “Librit të Gjallë”. Ai u tërheq vëmendjen njerëzve të mos lejojnë që ajo që është regjistruar në “Librin” t’i pengojë ata të njohin Pozitën e Tij dhe të mbahen fort pas asaj që gjendet në këtë Revelacion të ri.

156

nderim për këtë Revelacion, nga Penda e Atij Që qe Lajmëtari Im ¶135

“Nderimi” që Bahá’u’lláh·u citon në këtë pasazh është nga Bayán·i Arab.

157

“Kibla është me të vërtetë Ai Që Perëndia do Ta shfaqë; sa herë që Ai lëviz, ajo lëviz, derisa Ai të arrijë në prehje.” ¶137

Për një diskutim të këtij vargu shih shënimin 7 dhe shënimin

158

Është e paligjshme të lidhësh martesë, veçse me ndonjë që beson në Bayán·in. Po qe se vetëm njëra palë e martesës e përqafon këtë Kauzë, zotërimet e tij ose të saj bëhen të paligjshme për palën tjetër ¶139

Pasazhi i Bayán·it që Bahá’u’lláh·u citon këtu tërheq vëmendjen e besimtarëve se është e afërt ardhja e “Atij Që Perëndia do Ta shfaqë”. Ndalimi për t’u martuar me një jo-Bábí dhe porosia, në bazë të së cilës pasuria e një personi, e burrit ose e gruas, që ka përqafuar Besimin nuk mund t’i kalojë ligjërisht të shoqit ose të shoqes jo-Bábí, janë mbajtur pezull shprehimisht nga Báb·i dhe më pas u hoqën nga Bahá’u’lláh·u para se ato të hynin në fuqi. Kur citon këtë ligj, Bahá’u’lláh·u vë në dukje se, duke e reveluar atë, Báb·i kishte parashikuar qartë mundësinë që Kauza e Bahá’u’lláh·ut të fitonte emër para asaj të Vetë Báb·it.

Në Perëndia kalon pranë Shoghi Effendi·u vë në dukje se Bayán·i “duhet konsideruar parësisht si një hymnizim i të Premtuarit sesa si një kod ligjesh e porosish të destinuara të jenë një udhërrëfim i përhershëm për brezat e ardhshëm”. “I ashpër në mënyrë të qëllimtë në ligjet e rregullat që impononte”, vazhdon ai, “revolucionar në parimet që fuste, i llogaritur për të zgjuar nga letargjia mijëravjeçare klerin dhe popullin dhe për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse institucioneve të vjetëruara e të korruptuara, ai shpallte nëpërmjet masave të tij drastike ardhjen e Ditës së parashikuar, të Ditës kur ‘Thirrësi do të bëjë thirrje për një nevojë të rëndë’, kur Ai do të ‘shkatërrojë gjithçka ka qenë para Tij, ashtu si Apostulli i Perëndisë rrëzoi zakonet e atyre që e kanë paraprirë’” (shih gjithashtu shënimin 109).

159

Pika e Bayán·it ¶140

Njëri prej titujve të Báb·it.

160

Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje ¶143

Shkrimet Bahá’í përmbajnë shumë pasazhe që sqarojnë natyrën e Manifestimit dhe raportin e Tij me Perëndinë. Bahá’u’lláh·u nënvizon natyrën unike e të përkryer të Hyjnisë. Ai shpjegon se “derisa nuk mund të ketë asnjë lidhje komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë Perëndinë e vërtetë që është Një me krijimin e Tij”, Perëndia urdhëron që “në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i kulluar e i panjollë të shfaqet në mbretërinë e tokës e të qiellit”. Kjo “Qenie misterioze e qiellore”, Manifestimi i Perëndisë, ka një natyrë njerëzore që i përket “botës së materies” dhe një natyrë shpirtërore “të lindur nga thelbi i Vetë Perëndisë”. Ai është gjithashtu i pajisur me një “pozitë të dyfishtë”:

Pozita e parë, e cila lidhet me realitetin e tij më të thellë, e paraqet atë si Një, zëri i të Cilit është zëri i Vetë Perëndisë ... Pozita e dytë është pozita njerëzore, që jepet në vargjet e mëposhtme: “Unë s’jam veçse një njeri si ju”. “Thuaj: lëvduar qoftë Zoti im! A jam Unë më tepër se një njeri, një apostull?”

Bahá’u’lláh·u thotë gjithashtu se në mbretërinë shpirtërore ka një “unitet thelbësor” midis të gjitha Manifestimeve të Perëndisë. Ato të gjitha revelojnë “Bukurinë e Perëndisë”, shfaqin emrat e atributet e Tij dhe i japin zë Revelacionit të Tij. Lidhur me këtë, Ai thotë:

Nëse ndonjëri prej Manifestimeve gjithpërfshirëse të Perëndisë do të deklaronte: “Unë jam Perëndia!”, në fakt Ai do të thoshte të vërtetën, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sepse është provuar shumë herë që nëpërmjet Revelacionit të tyre, atributeve dhe emrave të tyre shfaqen në botë Revelacioni i Perëndisë, emri dhe atributet e Tij...

Ndërsa Manifestimet revelojnë emrat dhe atributet e Perëndisë dhe janë mjetet me anën e të cilave njerëzimi gjen rrugën për tek dija e Perëndisë dhe e Revelacionit të Tij, Shoghi Effendi·u thotë se Manifestimet “kurrë ... nuk duhen njëjtësuar me atë Realitet të padukshëm, me Thelbin e vetë Hyjnisë”. Lidhur me Bahá’u’lláh·un, Ruajtësi ka shkruar se “tempulli njerëzor që ka qenë bartësi i një Revelacioni kaq të fuqishëm” nuk duhet njëjtësuar me “Realitetin” e Perëndisë.

Përsa i përket karakterit unik të pozitës së Bahá’u’lláh·ut dhe madhështisë së Revelacionit të Tij, Shoghi Effendi·u thotë se thëniet profetike lidhur me “Ditën e Perëndisë” që gjenden në Shkrimet e Shenjta të Dispensacioneve të kaluara, janë përmbushur me ardhjen e Bahá’u’lláh·ut:

Për Izraelin Ai ishte as më shumë e as më pak se mishërimi i “Atit të Përjetshëm”, “Zoti i Ushtrive” zbritur “me dhjetë mijë shenjtorë”; për Krishtërimin ishte Krishti i kthyer “në lavdinë e Atit”; për Islamin shiit ishte kthimi i Imam Hysenit; për Islamin sunit ishte zbritja e “Frymës së Perëndisë” (Jesu Krishti); për zoroastrianët ishte Sháh-Bahrám·i i premtuar; për Hindutë ishte ritrupëzimi i Krishnës; për budistët ishte Buda i Pestë.

Bahá’u’lláh·u cilëson pozitën e “Hyjnisë”, që Ai e ndan me të gjitha Manifestimet e Perëndisë, si

...pozita në të cilën ai vdes në veten e tij dhe jeton në Perëndinë. Hyjni, sa herë që Unë e përmend atë, do të thotë vetëfshirja Ime e plotë e absolute. Kjo është pozita në të cilën unë nuk kam kontroll as mbi vetë lumturinë time, as mbi fatkeqësinë time dhe as mbi jetën time ose rilindjen time.

Dhe përsa i përket raportit të vet me Perëndinë, Ai dëshmon:

Kur sodis, O Zoti im, raportin që më lidh mua me Ty, shtyhem t’u shpall të gjitha gjërave të krijuara “me të vërtetë, Unë jam Perëndia”; dhe kur unë shikoj vetë qenien time, ja, e gjej atë më të papunuar se balta!

161

pagimi i Zeqatit ¶146

Zeqati përmendet në Kuran si një detyrim i rregullt bamirësie për myslimanët. Me kalimin e kohës, koncepti mori formën e një takse lëmoshe, e cila impononte detyrimin që të derdhej për të ndihmuar të varfërit, për qëllime të ndryshme bamirësie dhe për të mbështetur Besimin e Perëndisë, një pjesë e përcaktuar e disa lloje të ardhurash tej kufijsh të caktuar. Kufiri i përjashtimit ndryshonte për artikuj të ndryshëm, po ashtu si dhe përqindja që duhej paguar për pjesën e tatueshme.

Bahá’u’lláh·u thotë se ligji Bahá’í i Zeqatit ndjek “atë që është reveluar në Kuran” (Py&Pë 107). Duke qenë se çështje të tilla si kufijt për përjashtimet, llojet e të ardhurave që kanë të bëjnë me këtë, shpeshtësia e pagesave dhe shkalla e taksave për kategoritë e ndryshme të Zeqatit nuk përmenden në Kuran, këto çështje duhet të shtjellohen në të ardhmen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë. Shoghi Effendi·u ka vënë në dukje se, në pritje të një legjislacioni të tillë, besimtarët duhet të kontribuojnë rregullisht, sipas mjeteve e mundësive të tyre, në Fondin Bahá’í.

162

Është e paligjshme të lypësh dhe është e ndaluar t’i japish atij që lyp. ¶147

Në një Tabelë ‘Abdu’l-Bahá·i shpjegon domethënien e këtij vargu. Ai thotë se “lypësia është e ndaluar dhe se t’i japish lëmoshë atyre që e kanë bërë zanat të lypurit gjithashtu është e ndaluar”. Po në atë Tabelë Ai më tej vë në dukje se: “Qëllimi është të çrrënjoset krejtësisht lypësia. Por në qoftë se një person nuk është në gjendje të sigurojë jetesën, ndodhet në varfëri të thellë ose bëhet i paaftë për punë, atëherë është detyrë e të kamurve ose e Përfaqësuesve t’i sigurojnë atij një pagë mujore për të jetuar ... Me “Përfaqësues” nënkuptohen përfaqësuesit e popullit, domethënë anëtarët e Shtëpisë së Drejtësisë”.

Ndalimi për t’u dhënë lëmoshë njerëzve që lypin nuk përjashton që individë të ndryshëm dhe Asamble Shpirtërore t’u japin ndihmë ekonomike të varfërve e nevojtarëve ose t’u krijojnë atyre mundësi të fitojnë zhdërvjelltësi të tilla që t’i lejojnë të fitojnë jetesën (shih shënimin 56).

163

Një gjobë ... ka qenë caktuar më parë ... për cilindo që i shkaktonte hidhërim tjetrit ¶148

Bahá’u’lláh·u shfuqizon ligjin e Bayán·it Persian lidhur me pagimin e një gjobe zhdëmtimi nga ai që i shkakton hidhërim të afërmit.

164

Pema e shenjtë e Lotusit ¶148

“Pema e Shenjtë e Lotusit” është një referencë për Sadratul Muntaha, “Pema tej së cilës nuk kalohet” (shih shënimin 128). Këtu përdoret simbolikisht për të treguar Bahá’u’lláh·un.

165

Thuajini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje. ¶149

Bahá’u’lláh·u thotë se “kërkesa” thelbësore për të recituar “vargjet e Perëndisë” është “etja dhe dashuria” e besimtarëve për të “lexuar Fjalën e Perëndisë” (Py&Pë 68).

Përsa i përket përkufizimit “vargje të Perëndisë”, Bahá’u’lláh·u thotë se ai nënkupton “gjithçka që është dërguar nga Qielli i Fjalës Hyjnore”. Shoghi Effendi·u, në një letër shkruar një besimtari në Lindje, e ka sqaruar se termi “vargje të Perëndisë” nuk përfshin shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá·it; po kështu ai ka vënë në dukje se ky term nuk ka të bëjë me shkrimet e atij vetë.

166

Jeni urdhëruar të përtërini orenditë e pajimet e shtëpive tuaja pas kalimit të nëntëmbëdhjetë viteve ¶151

Bahá’u’lláh·u konfirmon urdhërin e Bayán·it Arab lidhur me përtëritjen çdo nëntëmbëdhjetë vjet të orendive e pajimeve të shtëpisë, me kusht që njeriu të jetë në gjendje ta bëjë këtë. ‘Abdu’l-Bahá·i e lidh këtë porosi me mbështetjen e sqimës e të pastërtisë. Ai shpjegon se qëllimi i këtij ligji është që të ndryshohen ato orendi e pajime që janë vjetëruar, që kanë humbur lustrën dhe ngjallin neveri. Ligji nuk zbatohet për gjëra të tilla si sende të rralla e me vlerë, antika e arturina.

167

Lani këmbët ¶152

Në Kitáb-i-Aqdas besimtarët nxiten të bëjnë banjë rregullisht, të veshin rroba të pastra dhe në përgjithësi të jenë thelbi i pastërtisë e i sqimës. Pasqyra Përmbledhëse e Kodifikimi, seksioni IV.D. y.i.-vii., përmbledh porositë përkatëse. Lidhur me larjen e këmbëve, Bahá’u’lláh·u thotë se është e parapëlqyer të përdoret ujë i ngrohtë; por edhe larja me ujë të ftohtë është gjithashtu e lejuar (Py&Pë 97).

168

Ju është ndaluar të përdorni amvona. Ai që dëshiron t’ju recitojë vargjet e Zotit të tij, le të ulet në një karrige të vendosur mbi një podium ¶154

Këto porosi kanë praktikat e tyre pararendëset në Bayán·in Persian. Báb·i e ka ndaluar përdorimin e amvonave për të bërë predikime e për të lexuar Tekstin. Ai, përkundrazi, e ka thënë posaçërisht që, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të dëgjojnë qartë Fjalën e Perëndisë, duhej vendosur karrigia e folësit mbi një podium.

Duke komentuar këtë ligj, ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u e kanë bërë të qartë se në Mashrikul Azkar (ku predikimet janë të ndaluara dhe vetëm fjalët e Shkrimeve të Shenjta mund të lexohen) lexuesi mund të qëndrojë në këmbë ose i ulur, dhe po qe e nevojshme, që të dëgjohet më mirë, mund të përdorë një podium të ulët e të lëvizshëm, por se amvonat nuk lejohen. Në rast mbledhjesh në vende të ndryshme nga Mashrikul Azkar-i, lejohet gjithashtu që lexuesi ose folësi të qëndrojë ulur ose në këmbë dhe të përdorë një podium. Në një prej Tabelave të Tij, duke ripërsëritur ndalimin për të përdorur amvona, ‘Abdu’l-Bahá·i ka theksuar se kur Bahá’í·të mbajnë fjalime në mbledhje, ata duhet ta bëjnë këtë duke mbajtur një qëndrim sa më të përunjur e vetmohues.

169

Kumari ¶155

Veprimtaritë që përfshihen në këtë ndalim nuk janë shtjelluar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut. Siç e kanë vënë në dukje si ‘Abdu’l-Bahá·i dhe Shoghi Effendi·u, i është lënë Shtëpisë Universale të Drejtësisë të përcaktojë hollësitë e këtij ndalimi. Në përgjigje të pyetjeve nëse lotaritë, bastet për gjëra të tilla si garat e kuajve dhe lojrat e futbollit, bingot e të tjera si këto përfshihen në ndalimin për kumarin, Shtëpia Universale e Drejtësisë ka vënë në dukje se kjo është një çështje që do të shihet me hollësi në të ardhmen. Ndërkohë, Asambletë dhe individët këshillohen të mos e bëjnë problem këtë dhe të lihet në ndërgjegjen e besimtarëve individualë të vendosin.

Shtëpia e Drejtësisë ka udhëzuar se nuk është e përshtatshme të shtohen fondet për Besimin me anë lotarish, shortesh e lojrash të fatit.

170

përdorimi i opiumit ... lëndë që shkaktojnë plogështi e topitje ¶155

Ky ndalim i përdorimit të opiumit është ritheksuar nga Bahá’u’lláh·u në paragrafin e fundit të Kitáb-i-Aqdas·it. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë se një nga kërkesat për “një jetë të dëlirë e të shenjtë” është “mospërdorimi i plotë ... i opiumit dhe i drogave të ngjashme që bëhen ves”. Heroina, hashashi dhe nënproduktet e tjera të kanabis si marijuana, si dhe lëndët halucinogjene si LSD, pejoti e lëndë të tilla të ngjashme, konsiderohet se i nënshtrohen këtij ndalimi.

‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar:

Përsa i përket opiumit, ai është i neveritshëm e i nëmur. Perëndia na ruajtë nga ndëshkimi që Ai i jep atij që e përdor. Teksti i Librit Më të Shenjtë e thotë shprehimisht se ai është i ndaluar dhe se përdorimi i tij është kryekëput i dënueshëm. Arsyeja tregon se të pish opium është një lloj çmendurie dhe përvoja dëshmon se ata që e përdorin janë krejt të izoluar nga mbretëria njerëzore. I ruajtë Zoti të gjithë nga kryerja e një veprimi kaq të shëmtuar si ky, që rrënon vetë themelet e çdo gjëje njerëzore dhe që e përmbys përjetë atë që e kryen. Sepse opiumi kapet fort pas shpirtit dhe kështu ndërgjegja e atij që e përdor vdes, mendja e tij shkatërrohet, perceptimet e tij gërryhen. Ai e bën të gjallin të vdekur. Ai shuan zjarrin e natyrshëm. Nuk ka dëm më të madh se ai që shkakton opiumi. Të lumtur janë ata që kurrë nuk përmendin as emrin e tij; mendo, pra, sa fatkeq është ai që e përdor atë.

O ju që e doni Perëndinë! Në ciklin e Perëndisë Fuqiplotë dhuna dhe forca, shtrëngimi dhe shtypja të gjitha dënohen. Prandaj është e detyrueshme që përdorimi i opiumit të parandalohet me të gjitha mjetet, në mënyrë që gjinia njerëzore të shpëtojë ndoshta nga plaga më e tmerrshme. Përndryshe, mjerim e vuajtje atij që e lë mangut detyrimin e tij ndaj Zotit të vet.

Në një prej Tabelave të Tij, ‘Abdu’l-Bahá·i ka thënë lidhur me opiumin: “të gjithëve, atij që e përdor, atij që e blen dhe atij që e shet, u mohohet bujaria e hiri i Perëndisë”.

Në një Tabelë tjetër, ‘Abdu’l-Bahá·i ka shkruar gjithashtu:

Përsa i përket hashashit, ti ke vënë në dukje se disa persë janë mësuar ta përdorin. Perëndi i Mëshirshëm! Ky është më i keqi ndër lëndët dehëse dhe ndalimi i tij është reveluar shprehimisht. Përdorimi i tij shkakton shpërbërjen e mendimit dhe topitjen e plotë të shpirtit. Si është e mundur që ndokush të kërkojë frytin e pemës djallëzore dhe, duke e ngrënë atë, të mishërojë vetitë e një përbindëshi? Si është e mundur që ndokush të përdorë këtë drogë të ndaluar dhe kështu t’i mohojë vetes bekimet e Mëshirëplotit?

Alkooli rraskapit mendjen dhe e shtyn njeriun të kryejë veprime të pakuptimta, por opiumi, ky fryt i neveritshëm i pemës djallëzore, dhe ky hashash i ndyrë shuajnë mendjen, ngurtësojnë shpirtin, shkatërrojnë trupin dhe e lënë njeriun të dështuar e të humbur.

Duhet vënë në dukje se ndalimi i mësipërm për të përdorur disa lloje drogash nuk ndalon përdorimin e tyre kur jepen nga mjekë të kualifikuar si pjesë e një kure mjekësore.

171

“misteri i Ndryshimit të Madh në shenjën e Sovranit” ¶157

Shaykh Aḥmad-i-Aḥsá’í (1753-1831), themeluesi i Shkollës së Shaykhí·ve dhe i pari prej “yjeve binjakë që paralajmëruan ardhjen e Besimit të Báb·it”, profetizoi se me shfaqjen e të Premtuarit të gjitha gjërat do të ndryshonin, të fundit do të ishin të parët, të parët do të ishin të fundit. Bahá’u’lláh·u, në një prej Tabelave të Tij, i referohet “simbolit e aluzionit” të “misterit të Ndryshimit të Madh në Shenjën e Sovranit”. Ai thotë: “Me këtë ndryshim Ai ka bërë që të lartësuarit të përulen dhe të përulurit të lartësohen”, dhe kujton se “në ditët e Jesuit ata që ishin të shquar për diturinë e tyre, njerëzit e letrave e të fesë, e mohuan Atë, ndërsa peshkatarët e përvuajtur nxituan të pranoheshin në Mbretërinë” (shih gjithashtu shënimin 172). Për informacion të mëtejshëm lidhur me Sheik Ahmet Ahsai-n shih Lajmëtarët e Agimit [The Dawn-Breakers], kreu 1 dhe 1

172

“Gjashtën” e ngritur falë këtij “Elifi të Drejtë” ¶157

Në shkrimet e tij, Sheik Ahmet Ahsai e vinte shumë theksin te shkronja arabe “Váv”. Në Lajmëtarët e Agimit, Nabili thotë se kjo shkronjë “simbolizonte për Báb·in ardhjen e një cikli të ri të Revelacionit Hyjnor dhe që nga ajo kohë është përmendur nga Bahá’u’lláh·u në Kitáb-i-Aqdas në pasazhe të tilla si ‘misteri i Ndryshimit të Madh’ dhe ‘Shenja e Sovranit’ “.

Emri i shkronjës “Váv” përbëhet prej tri shkronjash: Váv, Elif, Váv. Sipas llogaritjes abxhad, vlera numerike e secilës prej këtyre shkronjave është respektivisht 6, 1 dhe Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij për një besimtar në Lindje jep një interpretim të këtij vargu të Aqdas·it. Ai thotë se “Elifi i Drejtë” i referohet ardhjes së Báb·it. Shkronja e parë, me vlerën gjashtë, që i paraprin Elifit, është një simbol i Dispensacioneve dhe Manifestimeve të mëparshme që i kanë paraprirë Báb·it, ndërsa shkronja e tretë, e cila gjithashtu ka vlerën numerike 6, përfaqëson Revelacionin suprem të Bahá’u’lláh·ut, që u shfaq pas Elifit.

173

Ju ndalohet të mbani armë, veçse kur është e domosdoshme ¶159

Bahá’u’lláh·u mbështet urdhërin që përmbahet në Bayán, i cili shpall të paligjshme mbajtjen e armëve, veçse po qe e domosdoshme. Përsa u përket rrethanave se kur për një njeri mund të jetë “e domosdoshme” të mbajë armë, ‘Abdu’l-Bahá·i ua lejon këtë besimtarëve për mbrojtje personale në një mjedis të rrezikshëm. Shoghi Effendi·u, në një letër të shkruar në emër të tij, gjithashtu vë në dukje se në rast emergjence, kur nuk ka një forcë legale së cilës t’i drejtohesh, një Bahá’í është i justifikuar të mbrojë jetën e vet. Ka edhe një numër situatash të tjera, në të cilat armët janë të nevojshme dhe mund të përdoren në mënyrë të ligjshme; për shembull, në ato vende ku njerëzit gjuajnë për të siguruar ushqimin e veshmbathjen, si dhe në disa sporte si gjuajtja me hark, qitja në shenjë dhe skerma.

Në nivelin shoqëror, parimi i sigurimit kolektiv, i shpallur nga Bahá’u’lláh·u (shih Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut, 117) dhe i përpunuar nga Shoghi Effendi·u (shih letrat e Ruajtësit te Rendi Botëror i Bahá’u’lláh·ut), nuk nënkupton shfuqizimin e përdorimit të forcës, por parashtron “një sistem ku forca të bëhet shërbëtore e Drejtësisë” e që parashikon ekzistencën e një force paqeruajtëse ndërkombëtare, e cila “të sigurojë unitetin organik të gjithë Konfederatës”. Në Tabelën e Bishárát-it, Bahá’u’lláh·u shpreh shpresën se “mjetet e luftës në gjithë botën do të kthehen në mjete rindërtimi dhe se grindjet e konfliktet midis njerëzve do të zhduken”.

Në një Tabelë tjetër, Bahá’u’lláh·u thekson rëndësinë e miqësisë me pasuesit e të gjitha feve; Ai thotë gjithashtu se “ligji i luftës së shenjtë është fshirë nga Libri”.

174

ju lejohet të visheni me mëndafsh ¶159

Sipas zakonit islamik, ishte përgjithësisht e ndaluar që burrat të visheshin me mëndafsh, veçse në kohë lufte të shenjtë. Ky ndalim, i cili nuk bazohej në vargjet e Kuranit, u shfuqizua nga Báb·i.

175

Zoti ju ka liruar ... nga kufizimet që zbatoheshin më parë për veshjen dhe për prerjen e mjekrës. ¶159

Shumë rregulla për veshjet e kanë prejardhjen në ligjet e zakonet tradicionale të feve botërore. Për shembull, kleri shiit adoptoi për vete përdorimin e mbulesave të kokës e të rrobave të posaçme dhe, ndërkohë, ua ndaloi njerëzve përdorimin e veshjeve evropiane. Zakoni mysliman, në dëshirën e tij për të ndjekur shembullin e rrobave të Profetit, futi gjithashtu një numër kufizimesh lidhur me rregullimin e mustaqeve dhe gjatësinë e mjekrës.

Bahá’u’lláh·u i hoqi këto kufizime për veshjen dhe mjekrën. Ai ua lë çështje të tilla “gjykimit” vetjak dhe, në të njëjtën kohë, i fton besimtarët të mos i kalojnë kufijt e së hijshmes dhe të tregojnë përmbajtje në çdo gjë që ka të bëjë me veshjen.

176

O Tokë e Káf-it dhe e Rá-së! ¶164

Káf dhe Rá janë dy bashkëtingëlloret e para të Kirmán, që është emri i një qyteti dhe i një province të Iranit.

177

dallojmë atë që përhapet prej teje fshehurazi e tinëzisht. ¶164

Ky pasazh është një referencë për intrigat e një grupi Azalísh, pasues të Mírzá Yaḥyá·it (shih shënimin 190), që kanë lidhje me qytetin e Kirmán-it. Midis tyre ishin Mullá Ja‘far, djali i tij Shaykh Aḥmad-i-Rúḥí e Mírzá Áqá Khán-i-Kirmání (që të dy dhëndurë të Mírzá Yaḥyá·it, si dhe Mírzá Aḥmad-i-Kirmání. Ata jo vetëm kërkonin të dobësonin Besimin, por edhe u përzien në intriga politike që arritën kulmin me vrasjen e Náṣiri’d-Dín Sháh·ut.

178

Sillni ndërmend sheikun që e kishte emrin Muḥammad-Ḥasan ¶166

Shaykh Muḥammad-Ḥasan, një prej eksponentëve kryesorë të Islamit Shiit, nuk e pranoi Báb·in. Autor i shkrimeve të vëllimshme të jurisprudencës shiite, thuhet se ka vdekur aty nga viti 185

Nabili, në Lajmëtarët e Agimit, përshkruan takimin që u bë në Najaf midis Mullá ‘Alíy-i-Basṭámí·t, një prej Shkronjave të të Gjallit, dhe Shaykh Muḥammad-Ḥasan·it. Gjatë takimit, Mullá ‘Alí·u shpalli shfaqjen e Báb·it dhe ngriti lart fuqinë e Revelacionit të Tij. Me nxitjen e sheikut, Mulla Aliu u deklarua menjëherë heretik dhe u dëbua nga mbledhja. Ai u gjykua, u çua në Stamboll dhe u dënua me punë të rëndë.

179

një sitës gruri e elbi ¶166

Ky është një aluzion për Mullá Muḥammad Ja‘far Gandum-Pák-Kun, personin e parë në Isfahan që pranoi Besimin e Báb·it. Ai përmendet në Bayán·in Persian dhe lëvdohet si një që “veshi rrobën e dishepulltarisë”. Në Lajmëtarët e Agimit, Nabili përshkruan pranimin pa kushte të Mesazhit nga “sitësi i grurit” dhe mbrojtjen e zjarrtë të Revelacionit të ri nga ana e tij. Ai u bashkua me njësitin e mbrojtësve të Fortesës Shaykh Ṭabarsí dhe u vra gjatë rrethimit të saj.

180

Kini mendjen që fjala “Profet” të mos ju largojë nga ky Lajm Më i Madh ¶167

Bahá’u’lláh·u u tërheq vëmendjen njerëzve “me intuitë” të mos lejojnë që interpretimet e tyre të Shkrimeve të Shenjta t’i pengojnë të njohin Manifestimin e Perëndisë. Pasuesit e çdo feje janë prirur të lejojnë që adhurimi i tyre për Themeluesin e saj t’i bëjë ta shohin Revelacionin e Tij si Fjalën e fundit të Perëndisë dhe të mohojnë mundësinë e shfaqjes së një Profeti të mëvonshëm. Kështu ka ndodhur me Hebraizmin, Krishtërimin dhe Islamin. Bahá’u’lláh·u e mohon vlerën e këtij koncepti të karakterit përfundimtar qoftë për Dispensacionet e së kaluarës qoftë për atë të Vetin. Përsa u përket myslimanëve, Ai ka shkruar në Kitáb-i-Íqán se “pasuesit e Kuranit ... kanë lejuar që fjalët ‘Vula e Profetëve’ t’u veshin sytë”, “të errësojnë të kuptuarit e tyre dhe t’i privojnë ata nga favori i të gjitha dhuntive të Tij të shumëfishta”. Ai thotë se “kjo çështje ka qenë një provë e vështirë për gjithë njerëzimin” dhe vajton fatin e “atyre që, duke u kapur nga këto fjalë, nuk kanë besuar tek Ai Që është Reveluesi i tyre i vërtetë”. Báb·i i referohet po kësaj çështjeje kur paralajmëron: “Mos lejoni që emrat t’ju ndajnë si me perde nga Ai Që është Zoti i tyre, qoftë edhe emri Profet, sepse ai emër s’është veçse një krijim i fjalës së Tij”.

181

çdo referim ndaj “Mëkëmbësisë” të mos ju ndalojë të njihni sovranitetin e Atij Që është Mëkëmbësi i Perëndisë ¶167

Fjala e përkthyer këtu “Mëkëmbësí” në origjinalin arab është “viláya”, e cila ka një varg kuptimesh, që përfshijnë “mëkëmbësí”, “ruajtësí”, “protektorat” dhe “pasardhësí”. Kjo fjalë përdoret në lidhje me Vetë Perëndinë, me Manifestimin e Tij ose lidhur me ata që janë Pasardhës të caktuar të një Manifestimi.

Në këtë varg të Aqdas·it, Bahá’u’lláh·u paralajmëron të mos lejohet që koncepte të tilla ta verbojnë njeriun ndaj “sovranitetit” të Manifestimit të ri Hyjnor, “Mëkëmbësit të vërtetë të Perëndisë”.

182

Sillni ndërmend Karímin ¶170

Ḥájí Mírzá Karím Khán-i-Kirmání (1810–rreth 1873) ishte kryetari i vetëquajtur i komunitetit të shaykhí·ve pas vdekjes së Siyyid Káẓim·it, i cili ishte pasardhësi i caktuar i Sheik Ahmet Ahsai-t (shih shënimin 171 dhe shënimin 172). Ai ia kushtoi veten përhapjes së mësimeve të Sheik Ahmetit. Mendimet e shprehura prej tij u bënë objekt mosmarrëveshjesh si midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të tij.

I konsideruar si një prej dijetarëve kryesorë e një prej autorëve më prodhimtarë të kohës së tij, shkroi libra e letra të shumta në fusha të ndryshme të dijes që kultivoheshin në ato kohë. Ai iu kundërvu në mënyrë aktive si Báb·it dhe Bahá’u’lláh·ut dhe i përdori traktatet e veta për të sulmuar Báb·in e Mësimet e Tij. Në Kitáb-i-Íqán, Bahá’u’lláh·u dënon tonin dhe brendinë e shkrimeve të tij dhe, për ta kritikuar, veçon një prej veprave të tij që përmban aluzione negative për Báb·in. Shoghi Effendi·u e përshkruan atë si “jashtë mase ambicioz e hipokrit” dhe tregon sesi ai “me kërkesë të posaçme të Shahut, kishte sulmuar poshtërsisht në një traktat Besimin e ri dhe doktrinat e tij”.

183

o njerëz të ditur të Bahá-it ¶173

Bahá’u’lláh·u lavdëron të diturit midis pasuesve të Vet. Në Librin e Besëlidhjes së Tij, Ai ka shkruar: “Të bekuar janë drejtuesit dhe të diturit midis njerëzve të Bahá-it”. Duke iu referuar kësaj thënieje, Shoghi Effendi·u ka shkruar:

Në këtë cikël të shenjtë të “diturit” janë, nga njëra anë, Duart e Kauzës së Perëndisë dhe, nga ana tjetër, mësuesit e përhapësit e Mësimeve të Tij që nuk kanë rangun e Duarve, por që kanë arritur një pozitë të shquar në punën e mësimit. Përsa u përket “drejtuesve”, ata janë anëtarët e Shtëpive Lokale, Kombëtare e Universale të Drejtësisë. Detyrat e secilit prej këtyre shpirtrave do të përcaktohen në të ardhmen.

Duart e Kauzës së Perëndisë ishin persona të caktuar nga Bahá’u’lláh·u dhe të ngarkuar me detyra të ndryshme, veçanërisht me atë të mbrojtjes e të përhapjes së Besimit të Tij. Në Memorials of the Faithful [Kujtime për Besnikët], ‘Abdu’l-Bahá·i ka përmendur besimtarë të tjerë të shquar si Duar të Kauzës dhe në Vullnetin e Testamentin e Tij ka përfshirë një porosi që e fton Ruajtësin e Besimit të caktojë Duar të Kauzës sipas gjykimit të tij. Shoghi Effendi·u në fillim ngriti pas vdekjes një numër besimtarësh në rangun e Duarve të Kauzës dhe gjatë viteve të fundit të jetës së tij caktoi në këtë pozitë gjithsej 32 besimtarë nga të gjitha kontinentet. Në periudhën midis vdekjes së Shoghi Effendi·ut më 1957 dhe zgjedhjes së Shtëpisë Universale të Drejtësisë më 1963, Duart e Kauzës drejtuan punët e Besimit në cilësinë e Kryeadministratorëve të Konfederatës Botërore embrionale të Bahá’u’lláh·ut (shih shënimin 67). Në nëntor 1964, Shtëpia Universale e Drejtësisë vendosi që ajo nuk mund të hartonte legjislacion për të bërë të mundur të caktonte Duar të Kauzës. Në vend të kësaj, me vendim të Shtëpisë së Drejtësisë më 1968, funksionet e Duarve të Kauzës për mbrojtjen dhe përhapjen e Besimit u shtrinë në të ardhmen me krijimin e Trupave Kontinentale të Këshilltarëve dhe më 1973 përmes ngritje së Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit, e cila e ka selinë në Tokën e Shenjtë.

Shtëpia Universale e Drejtësisë cakton Këshilltarët anëtarë të Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit dhe Këshilltarët Kontinentalë. Këshilltarët Kontinentalë caktojnë anëtarë të Trupave Ndihmëse. Të gjithë këta përfshihen në përkufizimin e të “diturve” të dhënë nga Shoghi Effendi·u në thënien e cituar më sipër.

184

për çdo gjë që nuk kuptoni në Librin drejtojuni Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm ¶174

Bahá’u’lláh·u e vesh ‘Abdu’l-Bahá·in me të drejtën për të inter-pretuar Shkrimet e Tij të shenjta (shih gjithashtu shënimin 145).

185

Shkolla e Njëshmërisë Transhendente ¶175

Në këtë varg dhe në ata që vinë menjëherë pas tij, Bahá’u’lláh·u përball njërën nga arsyet për të cilën disa prej Bábí-ve hodhën poshtë deklaratën e Tij se Ai është i Premtuari i Bayán·it. Ky refuzim bazohej në një Tabelë që Báb·i i drejtonte “Atij Që do të shfaqej”, prapa së cilës Báb·i kishte shkruar: “Ndriçofshin këtë letër në shkollën fillore shikimet e Atij Që Perëndia do Ta shfaqë”. Kjo Tabelë është botuar në Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

Këta Bábí thonin që, përderisa Bahá’u’lláh·u ishte dy vjet më i madhe se Báb·i, ishte e pamundur që Ai ta merrte këtë Tabelë “në shkollën fillore”.

Bahá’u’lláh·u shpjegon këtu se kjo referencë është për ngjarje që kanë ndodhur në botët shpirtërore tej këtij rrafshi të ekzistencës.

186

Ne i pranuam vargjet e Perëndisë ... që Ai Na para-shtroi ¶175

Në Tabelën e Tij drejtuar “Atij Që do të shfaqet”, Báb·i e karakterizon Bayán·in si një ofertë të Tij për Bahá’u’lláh·un. Shih Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb·it.

187

O njerëz të Bayán·it! ¶176

Kjo është një referencë për pasuesit e Báb·it.

188

shkronjat L, T dhe B të bashkoheshin e të gërsheto-heshin ¶177

Shoghi Effendi·u, në disa letra të shkruara në emër të tij, ka shpjeguar domethënien e “shkronjave L, T dhe B”. Ato janë shkronjat e para të frazës “Le të bëhet”, e cila, thotë ai, “shpreh Fuqinë krijuese të Perëndisë, Që me anë të urdhërit të Tij bën që të gjitha gjërat të vinë në ekzistencë” dhe “fuqinë e Manifestimit të Perëndisë, forcën e Tij të madhe krijuese shpirtërore”.

Në origjinalin arabisht urdhërorja “Le të bëhet” është fjala “kun”, që përbëhet prej dy shkronjave “káf” dhe “nún”. Ato janë përkthyer nga Shoghi Effendi·u në mënyrën e mësipërme. Kjo fjalë është përdorur në Kuran si urdhëri i Perëndisë që thërret në ekzistencë krijimin.

189

ky Rend i ri Botëror ¶181

Në Bayán·in Persian, Báb·i thotë : “Lum ai që e mbërthen shikimin mbi Rendin e Bahá’u’lláh·ut dhe falënderon Zotin e tij. Sepse Ai me siguri do të shfaqet. Perëndia me të vërtetë e ka urdhëruar këtë në mënyrë të pakundërshtueshme në Bayán·in”. Shoghi Effendi·u e njëjtëson këtë “Rend” me sistemin që Bahá’u’lláh·u parashikon në Aqdas, në të cilin Ai dëshmon ndikimin e tij revolucionarizues mbi jetën e njerëzimit dhe revelon ligjet e parimet që drejtojnë funksionimin e tij.

Tiparet e “Rendit të ri Botëror” janë përvijuar në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut e të ‘Abdu’l-Bahá·it, si dhe në letrat e Shoghi Effendi·ut e të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Institucionet e Rendit Administrativ Bahá’í të sotëm, të cilat përbëjnë “bazën strukturore” të Rendit Botëror të Bahá’u’lláh·ut, do të piqen dhe do të shndërrohen në Konfederatën Botërore Bahá’í. Lidhur me këtë, Shoghi Effendi·u thotë se Rendi Administrativ “kur pjesët e tij përbërëse, institucionet e tij organike, të fillojnë të funksio-nojnë me efektshmëri e energjikisht, do të shpallë të drejtën e tij dhe do të tregojë aftësinë e tij që të shihet jo vetëm si bërthama, por si vetë modeli i Rendit të Ri Botëror, të destinuar të përfshijë, kur të vijë koha, mbarë njerëzimin”.

Për informacion të mëtejshëm mbi evoluimin e këtij Rendi të ri Botëror shih, për shembull, letrat e Shoghi Effendi·ut të botuara në Rendi Botëror i Bahá’u’lláh·ut.

190

O burim zvetënimi! ¶184

Kjo është një referencë për Mírzá Yaḥjá-në, të njohur si Ṣubḥ-i-Azal (Mëngjesi i Përjetësisë), një gjysmëvëlla më i ri i Bahá’u’lláh·ut, që u ngrit kundër Tij dhe iu kundërvu Kauzës së Tij. Mírzá Yaḥjá-i ishte emëruar nga Báb·i të shërbente si kryetar nominal i komunitetit Bábí, në pritje të shfaqjes së shpejti të të Premtuarit. Me nxitjen e Siyyid Muḥammad-i-Iṣfahání·t (shih shënimin 192), Mírzá Yaḥyá-i e tradhtoi besimin e Báb·it, doli me pretendimin se është pasardhësi i Tij dhe intrigoi kundër Bahá’u’lláh·ut, duke u përpjekur madje edhe ta vriste. Kur Bahá’u’lláh·u i deklaroi atij shprehimisht Misionin e Tij në Adrianopojë, Mírzá Yaḥyá-i iu përgjigj duke arritur deri aty sa të dilte me pretendimin se ai vetë ishte bartësi i një Revelacioni të pavarur. Pretendimet e tij më në fund u hodhën poshtë nga të gjithë me përjashtim të pak vetave, që u bënë të njohur si Azalí (shih shënimin 177). Shoghi Effendi·u e quan atë “Kryeshkelësi i Besëlidhjes së Báb·it” (shih Perëndia kalon pranë, kreu X).

191

kujto sesi të kemi ushqyer ditë e natë për t’i shërbyer Kauzës ¶184

Në Perëndia kalon pranë, Shoghi Effendi·u i referohet faktit që Bahá’u’lláh·u, i Cili ishte trembëdhjetë vjet më i madh se Mírzá Yaḥjá-i, e kishte këshilluar dhe ishte kujdesur për të në periudhën e rinisë së hershme e të pjekurisë së këtij.

192

Perëndia e ka mbërthyer atë që të çoi ty në rrugë të shtrembër. ¶184

Kjo është një referencë për Siyyid Muḥammad-i-Iṣfáhání-n, të cilin Shoghi Effendi·u e ka quajtur “Antikrishti i Revelacionit Bahá’í”. Ai ishte njeri i korruptuar nga karakteri e me ambicje të madhe vetjake, që e nxiti Mírzá Yaḥjá-në t’i kundërvihej Bahá’u’lláh·ut dhe të pretendonte për veten e tij rangun e profetit (shih shënimin 190). Edhe pse ishte pasues i Mírzá Yaḥjá-it, Siyyid Muhamet Isfahani u syrgjynos bashkë me Bahá’u’lláh·un në ‘Akká. Ai vazhdoi të nxiste e të komplotonte kundër Bahá’u’lláh·ut. Duke përshkruar rrethanat e vdekjes së tij, Shoghi Effendi·u ka shkruar në Perëndia kalon pranë:

Një rrezik i ri kërcënonte tani jetën e Bahá’u’lláh·ut. Megjithëse Ai në mjaft raste ua kishte ndaluar rreptësisht pasuesve të Tij, si gojarisht dhe me shkrim, çdo akt hakmarrjeje kundër torturuesve të tyre dhe kishte kthyer në Bejrut një arab të pandërgjegjshëm të ardhur nga një fe tjetër, i cili bluante në kokë të kryente hakmarrje për paudhësitë që kishte pësuar Prijësi i tij i shumëdashur, shtatë prej shokëve u orvatën fshehurazi dhe vranë tre prej persekutuesve të tyre, ndër të cilët ishin edhe Siyyid Muḥamad e Aqá Ján.

Shtangia që përfshiu komunitetin edhe ashtu të shtypur ishte e papërshkrueshme. Zemërimi i Bahá’u’lláh·ut nuk kishte kufi. Ai i shpreh në këtë mënyrë, në një Tabelë të reveluar pak kohë pasi qe kryer ky akt, emocionet e Tij: “Sikur Ne të përmendnim atë që Na ndodhi, qiejt do të çaheshin më dysh dhe malet do të shembeshin”. Në një rast tjetër Ai shkruajti: “Burgimi Im nuk mund të Më dëmtojë. Ajo që mund të Më dëmtojë është sjellja e atyre që Më duan, që pretendojnë se janë të lidhur me Mua, e megjithatë kryejnë atë që i bën zemrën Time dhe Pendën Time të rënkojnë”.

193

Zgjidhni një gjuhë të vetme ... adoptoni ... një shkrim të përbashkët. ¶189

Bahá’u’lláh·u urdhëron të adoptohen një gjuhë e një shkrim botëror. Shkrimet e Tij parashikojnë dy faza në këtë proces. Faza e parë është zgjedhja e një gjuhe ekzistuese ose të shpikur, e cila duhet të mësohet pastaj në të gjitha shkollat e botës si gjuhë ndihmëse e gjuhëve amtare. Qeveritë e botës nëpërmjet parlamenteve të tyre ftohen ta vënë në jetë këtë vendim të rëndësishëm. Faza e dytë, në një të ardhme të largët, do të ishte adoptimi i një gjuhe të vetme dhe i një shkrimi të përbashkët për të gjithë mbi tokë.

194

Ne kemi caktuar dy shenja të arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore ¶189

Shenja e parë e arritjes së moshës së pjekurisë të njerëzimit që përmendet në Shkrimet e Bahá’u’lláh·ut është lindja e një shkence të cilësuar si ajo “filozofi hyjnore” që do të përfshijë zbulimin e një hapi rrënjësor drejt shndërrimit të elementeve. Ky është një tregues i shkëlqimeve të përhapjes së ardhshme të jashtë¬zakonshme të dijes.

Përsa i përket shenjës “së dytë” që Bahá’u’lláh·u tregon se është reveluar në Kitáb-i-Aqdas, Shoghi Effendi·u thotë se Bahá’u’lláh·u, “... në Librin e Tij Më të Shenjtë, ka urdhëruar zgjedhjen e një gjuhe të vetme dhe adpotimin e një shkrimi të përbashkët për të gjithë mbi tokë, urdhër që kur të vihet në zbatim do të ishte, siç thotë Ai Vetë në atë Libër, një prej shenjave të ‘arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore’ “.

Një shpjegim i mëtejshëm i këtij procesi të arritjes së moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore dhe të përparimit drejt pjekurisë jepet në thënien e mëposhtme të Bahá’u’lláh·ut:

Një prej shenjave të pjekurisë së botës është se askush nuk do të pranojë peshën e kurorës mbretërore. Kurora mbretërore do të mbetet pa askënd që të dojë të mbajë i vetëm peshën e saj. Ajo do të jetë dita në të cilën urtia do të shfaqet në gjirin e njerëzimit.

Shoghi Effendi·u e shoqëron arritjen e moshës së pjekurisë të gjinisë njerëzore me bashkimin e mbarë njerëzimit, me vendosjen e një konfederate botërore dhe me një stimulim të pashembullt të “jetës intelektuale, morale e shpirtërore të mbarë gjinisë njerëzore”.

Windows / Mac